Federata Shqiptare e Basketbollit, “Çertifikatë Mirënjohjeje” kryebashkiakut Mziu

Vleresim për kontributin e dhënë në zhvillimin e basketbollit në qytetin e Kamzës

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, është nderuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit me “Certifikatë Mirënjohjeje” për kontributin e dhënë në zhvillimin e basketbollit në qytetin e Kamzës. Certifikata iu dorëzua kryebashkiakut Mziu në kuadër të 70-vjetorit të FSHB-së nga sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, z. Korab Llazani, në një takim që u zhvillua në zyrën e kreut të Bashkisë. Bashkë me certifikatën z. Llazani i dhuroi kryebashkiakut Mziu edhe simbolin e 70-vjetorit të FSHB-së si dhe një album përgatitur për këtë vit jubilar, në të cilin Kamza ka një vend të rëndësishëm.
“Jam i emocionuar, u shpreh z. Mziu, sepse qyteti i Kamzës më në fund arriti që të ishte pjesë e sportit. Unë uroj 70-vjetorin e Federatës, por një përgëzim maksimal për presidentin, sekretarin e përgjithshëm dhe gjithë stafin drejtues. Unë ndihem shumë i kënaqur për basketbollin, për të cilin dua të vlerësoj maksimalisht trajnerin Adem Muhametaj, si banor i Kamzës, por edhe si një person që këmbënguli që Kamza duhet të përfaqësohet në basketboll. Sporti i basketbollit mbetet një sport, në radhë të parë, që ndikon pozitivisht tek qyteti, tek të rinjtë kryesisht, dhe ia ka arritur qëllimit, ndaj jam shumë i kënaqur, sepse kanë filluar tashmë me ekipet zinxhir, kurse në çdo shkollë orientohen drejt basketbollit dhe është për ta një sport shumë i mirë”. Duke folur për sportin e basketbollit dhe rolin që luan ai sidomos te të rinjtë, kreu i Bashkisë Kamëz tha: “Realisht unë e konsideroj basketbollin si një instrument, i cili e ka bërë të njohur qytetin e Kamzës, duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm për sportin në përgjithësi dhe veçanërisht për basketbollin, kështu që vërtet ndihem shumë i gëzuar që edhe Kamza përfaqësohet në basketboll, bëhet pjesë e festimeve apo e biografisë së këtyre 70 viteve, kështu që unë ju falënderoj dhe ju uroj përzemërsisht!”
Gjatë takimit, z. Mziu bëri të ditur angazhimin e tij edhe në të ardhmen për sportin e basketbollit. “Shpreh angazhimin tim maksimal për të qenë pjesë kontribuuese e basketbollit, duke shfrytëzuar çdo lloj mundësie për t’i krijuar infrastrukturë, për të nxitur grupet e ndryshme, edhe të rejat, edhe të rinjtë, për të qenë pjesë e këtij sporti. Ajo çfarë është themelorja, për ta bërë një sport popullor për qytetin”, – u shpreh z. Mziu.
Sekretari i përgjithshëm i FSHB-së, Korab Llazani, mes të tjerave tha se Kamza ka një vend të merituar në këtë 70-vjetor të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Në emër të presidentit të Federatës dhe të tijin, z. Llazani shprehu mirënjohjen për kreun e Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu. “Mbështetja nuk ka munguar, ashtu siç bashkëpunimi nga këtu ka qenë shumë frytdhënës”, u shpreh ndër të tjera z. Llazani, duke theksuar se sistemi i ekipeve zinxhir po funksionon dhe ka për të mbushur ekipet e Kamza Basket dhe premton për të ardhmen. “Jeni duke bërë punën më të mrekullueshme, është puna më e mirë. Fakti që është duke u rritur numri i atyre që shkojnë drejt basketbollit, edhe nga shkollat, është një tregues pozitiv i jashtëzakonshëm”, pohoi sekretari i përgjithshëm i FHSB-së.
Një pikë e rëndësishme e takimit ishte edhe projekti i pallatit të sportit në qytetin e Kazmës dhe ndërtimi sa më parë i tij. Kryebashkiaku Mziu tha se ndërtimi i pallatit të sportit do të ishte një zgjidhje jo vetëm për Kamzën, por edhe gjithë Shqipërinë, pasi projekti ka parametra bashkëkohorë, i hartuar nga një prej studiove më të mira në vend.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërDepozitat rënie drastike, ikin 120 milionë euro në tre muaj