FBI: Hetime për një dokument të falsifikuar në emër të Hillary Clinton

Agjencia “Reuters” ka raportuar se hetimet e agjencisë amerikane FBI, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, janë zgjeruar në dokumentet e falsifikuara, që sugjerojnë se fushata e kandidates demokrate, Hillary Clinton, mund të ndërmarrë masa ekstreme, siç është edhe “skenari për trazirë civile”, për ta siguruar fitoren.
Zyrtarë të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara privatisht kanë tërhequr vërejtjen se fushata ruse për shkatërrimin e besueshmërisë së zgjedhjeve, mund të ketë lëvizur përtej depërtimit dhe rrjedhjes së e-mail-eve të Partisë Demokratike, duke postuar dëshmi të imagjinuara për vjedhje të votave ose dezinformata të tjera, raporton “Reuters”.
Raportohet se FBI po e shqyrton një memorandum elektronik prej 7 faqesh, të postuar në rrjetin Twitter, më 20 tetor, nga personi Roger Stone, një operativist republikan dhe ish-ndihmës i kandidatit republikan për president, Donald Trump, që e ka logon e Fondacionit Clinton dhe kompanisë për hulumtime të opinionit, Benenson Strategy Group.
Në memorandumin e titulluar “Programi i Shpëtimit”, që është identifikuar si “i falsifikuar” nga fushata Clinton dhe Fondacioni Clinton, pretendon se rejtingu i saj në hulumtime të opinionit ka rënë dhe ka bërë thirrje për “ndryshime të ashpra të strategjisë për nëntor”, që mund të përfshijnë “skenarë të trazirës civile” dhe “sulm radiologjik” me bomba “të pista”, për shkatërrimin e votimeve më 8 nëntor. Nuk është e qartë se ku e ka origjinën ky dokument i rrejshëm dhe si ka filluar të qarkullojë në internet.

Comey në qendër të kritikave

Drejtori i FBI-së, James Comey është përzier në fushatën zgjedhore amerikane dhe është tani vetë në qendër të kritikave. A po përpiqet ish-republikani të sabotojë kandidaturën e Hillary Clintonit?
Më 2 mars 2015 “New York Times” shkruante se, Hillary Clinton përdorte në kohën e saj si sekretare e Jashtme një server privat për e-mail-e. Pasi Clintoni e pranoi pak ditë më pas këtë fakt të botuar nga “New York Times”, FBI-ja filloi hetime ndaj saj.
Një vit më vonë drejtori i FBI-së, James Comey deklaroi se institucioni i tij i kishte mbyllur hetimet dhe se nuk kishte gjetur ndonjë shkak për të ngritur akuzë kundër Clintonit. Shpallja e mbylljes së hetimeve pak kohë para zgjedhjeve presidenciale dhe në mënyrë aq të hollësishme e prezantimit të kësaj ngjarjeje përpara shtypit, sikurse e bëri vetë James Comey, është e pazakonshme në kritika të ashpra – edhe nga Donald Trump.
Republikanët në Kongres u zemëruan shumë që shefi i FBI-së, vetë ish-republikani, nuk rekomandoi ngritjen e padisë ndaj Hillary Clintonit. Sidomos Donald Trump, por edhe republikanë të tjerë e kritikuan ashpër atë. Demokratët, u ndjenë të lehtësuar dhe e lavdëruan vendimin. Në këtë kohë u duk se historia mori fund.
Por 11 ditë para zgjedhjeve James Comey, ndezi  për herë të dytë brenda pak muajsh një bombë politike. Ai i informoi me një letër të shkurtër anëtarët e Kongresit se FBI-ja ka nisur sërish hetime në lidhje me aferën e e-mail-eve të Hillary Clintonit, por se nuk mund të thotë nëse këto e-mail-e janë relevante apo jo. Letra jo vetëm që u bë menjëherë e njohur në publik, por dominon që prej atij momenti edhe fushatën zgjedhore në SHBA.

Presionet ndaj FBI

Kësaj radhe kritikat ndaj Comey-t erdhën nga kampi i demokratëve dhe nga Hillary Clinton. Me letrën e tij ai ka thyer jo vetëm një rregull të hekurt që gjashtë javë para zgjedhjeve të mos ndërmerret asnjë veprim që mund të interpretohet si ndikim politik, por e ka kthyer madje kokëposhtë fushatën zgjedhore.
Edhe Presidenti Barack Obama e kritikoi FBI-në, por pa e përmendur emrin e James Comey-t. Ai tha se hetuesit duhet të punojnë me informacione dhe vendime konkrete dhe jo me aludime.
Edhe shumë republikanë dhe ekspertë të drejtësisë janë të zemëruar me hapin e Comey-t për të informuar Kongresin, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë nga autoritetet më të larta të drejtësisë. Richard Painter, profesor i drejtësisë në Universitetin e Minesotës, tha se veprimi i Comey-t është “një shpërdorim monstruoz i postit” dhe “jo mënyra se si punon FBI-ja, e cila duhet t’i mbajë hetimet sekret”.
William Snyder, ish-zëvendësprokuror në shtetin e Pensilvanisë dhe të Uashingtonit, thotë se Comey, kur kishte deklaruar mbylljen e hetimeve nuk e dinte se do të dilnin materiale të tjera dhe se në momentin që ato dolën, e ndjeu veten të detyruar të bënte këto sqarime shtesë.

Kush e ka fajin?
Richard Painter dhe shumë të tjerë mendojnë se, James Comey është vetë fajtor, se ai nuk duhet t’i premtonte Kongresit, kur deklaroi mbylljen e hetimeve, se do ta informonte sërish, nëse do të kishte zhvillime të reja. William Snyder thotë se fajin e ka Kongresi, se nëse kongresmenët nuk do ta thërrisnin Comey-n për të deklaruar përpara Kongresit ai nuk do të vihej në një situatë të tillë.
Daniel Richman, këshilltar i Comey-t mendon se sido që të vepronte shefi i FBI-së ai do të kritikohej. Po të kishte heshtur, do të kritikohej dikur kur gjërat të dilnin në shtyp, se kishte heshtur në këto rrethana të jashtëzakonshme. Tani që u shpreh kritikohet për ndikim politik. Richman thekson se “axhenda e Comey-t është të mbrojë integritetin dhe kredibilitetin e FBI-së”.

FBI nuk e do Hillary Clinton-in

Burime të shumta të Byrosë së Hetimit në Shtetet e Bashkuara kanë rrëfyer për gazetën “The Guardian” se në radhët e FBI ekziston një antipati e thellë për Hillary Clinton, nga e cila rrjedh edhe dashakeqësia për të dëmtuar fushatën e saj vetëm disa ditë para zgjedhjeve.
Zyrtarë aktualë dhe ish-punonjës të FBI-së, ku asnjëri prej të cilëve nuk pranoi që të fliste publikisht, thonë se rihapja e hetimit për zonjën Clinton erdhi si pasojë e një klime kaotike të brendshme. Një agjent aktual e ka cilësuar FBI si “toka e Trump”, ose thënë ndryshe si “Trumpland”. “FBI është një Trumpland”, tha ai.
Por kjo antipati për Hillary Clinton, rrënjët e së cilës nuk dihet se nga vijnë, ngre pyetjen sesi do të jenë marrëdhëniet mes shefit të FBI-së, James Comey dhe ish-sekretares së Shtetit, nëse kjo e fundit zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Ka shumë njerëz që nuk mendojnë se Trump është i kualifikuar mjaftueshëm për të qenë president, por nga ana tjetër besojnë se Clinton është një nga kandidatët më të korruptuar për president”, tha një ish-zyrtar i FBI-së, i cili shtoi që këtë herë votuesit janë përballë dy zgjedhjeve shumë të vështira: një të paafti dhe një politikani të korruptuar.
Një furtunë reagimesh ka shpërthyer kundër James Comey, duke filluar nga presidenti Obama dhe dhjetëra përfaqësues demokratë, duke e akuzuar atë për ndikim në zgjedhje. Por ky i fundit ka ruajtur qetësinë, edhe pse Clinton dhe Trump i kanë bërë thirrje Byrosë që të tregojë gjithçka di.
“Fox News” i ka shkuar edhe më thellë. Ata raportojnë se FBI jo vetëm po heton e-mail-et e kandidates demokrate, por edhe fondacionin e saj, “Clinton Foundation” mbi mënyrën sesi ky i fundit merr fonde dhe donacione nga e gjithë bota.

Artikulli paraprakGjykata e Lartë britanike kundër Brexit
Artikulli tjetërSi u bë Maqedonia qendër globale e keqinformimit pro Trumpit?