Sterilizimi, koncesionari merr 275 euro për çdo operacion

Qytetarët shqiptarë i paguajnë kompanisë koncesionare “SaniService” Sh.p.k deri në 275 euro për çdo operacion që kryhet në spitalet publike të Shqipërisë, përfshirë lindjen natyrale. “SYRI.net” publikon për herë të parë në mënyrë ekskluzive, kontratën e shumëpërfolur të koncesionit për sterilizmin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Kontrata parashikon në detaje termat financiare të koncesionit, fatura e të cilit nuk ka kufij të sipërm dhe mund të rritet pambarimisht. Edhe pse qeveria ka deklaruar si vlerë totale të koncesionit shifrën 9.6 miliardë lekë, ajo është vetëm shuma minimale që i garantohet koncesionarit privat. Fatura reale e koncesionit mund të jetë dukshëm më e lartë, pasi për çdo operacion që do të kryhet në spitalet publike deri në vitin 2025, kompania “SaniService” do të arkëtojë nga 100-275 euro. Kjo tarifë do të paguhet jo vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale, por edhe për lindjet natyrale dhe aktivitetet invazive në shërbimin ambulator.

Çmimet

Çmimet që buxheti i paguan kompanisë koncesionare janë të parashikuara në nenin 7 të kontratës së koncesionit që qeveria shqiptare ka nënshkruar me kompaninë “SaniService”. Sipas këtij neni, Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor i paguan kompanisë që ka koncesionin e sterilizimit: 37 mijë e 700 lekë për çdo ndërhyrje me kompleksitet të lartë, 22 mijë e 300 lekë për çdo operacion me kompleksitet të mesëm dhe 13 mijë e 900 lekë ose 100 euro për çdo ndërhyrje të lehtë që kryhet në spitalet publike të Shqipërisë. Por kompania koncesionare nuk merr para vetëm për operacionet. Ajo paguhet nga buxheti i shtetit 1 090 lekë për çdo paketim me material të sterilizuar me temperaturë të ulët dhe 266 lekë për çdo paketim në autoklavë me avull. Por këto çmime janë vetëm për vitin e parë të koncesionit. Në kontratë është parashikuar se ato do të rriten çdo vit duke u indeksuar me inflacionin zyrtar që publikon Instituti i Statistikave. Fatura totale e koncesionit 10-vjeçar të sterilizimit është e paparashikueshme, për shkak se askush nuk mund të parashikojë se sa do të jetë numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalet publike të Shqipërisë deri në vitin 2025-ën. Por e sigurtë është se ajo do të jetë dukshëm më e lartë nga vlera 9.6 miliardë lekë, që qeveria ka deklaruar deri më tani.

Biznes me normë kthimi 10-fish

Sipas kontratës koncesionare, “Saniservice” do të investojë 1.53 miliardë lekë në total për të gjithë periudhën e koncesionit. Kjo shifër është 6.2 herë më e ulët se sa minimumi i të ardhurave që qeveria i ka garantuar kompanisë koncesionare, çka e shndërron koncesionin e sterilizimit në një biznes të artë me norma marramendëse fitimi. Por në të vërtetë, norma reale e kthimit nga koncesioni i sterilizimit mund të jetë deri në 10-fish më e lartë nga investimi. Qeveria nuk ka vendosur një kufi të sipërm të të ardhurave që do të marrë kompania koncesionare, por vetëm sa ka garantuar nivelin minimal të tyre. Nëse numri i operacioneve do të jetë i lartë fatura e koncesionit të sterilizimit mund të rritet pafundësisht deri në 15 miliardë lekë dhe më shumë duke e bërë koncesionin e sterilizimit një biznes shumë fitimprurës.

Koncesioni

“SaniService” është një bashkim kompanish i krijuar posaçërisht për koncesionin e sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Ajo përbëhet nga 4 kompani, të cilat janë “Investital LLC”, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. Procedura e koncesionit 10-vjeçar është hapur më 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj. Objekti i kontratës së partneritetit publik privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve. Ky shërbim ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë. Ky koncesion do të trajtohet sipas formulës “Pay and Use”, e cila nënkupton se, kompania që do të kryejë shërbimin do të paguhet për njësi, që në këtë rast është ndërhyrja kirurgjikale.
Sterilizimi, Vokshi: Rama i dhuroi mikut të tij 100 milionë euro
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi njëherësh edhe kryetare e Komisionit parlamentar të Shëndetësisë ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shpërdoruar 100 milionë euro për të cilat ai dje publikoi një foto me mbishkrimin se përfundoi procesi i trajtimit dhe sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në QSUT. Në përgjigje të saj Vokshi shkruan se Qendra për Sterilizimin e Sallave Operatore dhe Pajisjeve Kirurgjikale është finalizuar në qeverinë Berisha dhe se tashmë mbetej vetëm fillimi i punës nga stafi mjekësor. “Komandanti i Legjionit të korrupsionit u kujtua për të sterilizuar bisturitë në përpjekje për të shpëtuar nga ‘kolonia e mikrobeve’ që i kërkojnë t’ju kthejë lekët e karriges kryeministrore. Thuhet se ‘krimineli’ kthehet gjithnjë në vendin e krimit… Sot, Edvini u kthye në QSUT për të mbyllur pazarin e 100 milionë eurove që i dha mikut të tij Ilir Rrapaj për sterilizimin e pajisjeve kirugjikale. Fake News nga ERTV (Edvin Rama TV)!! Qendra për Sterilizimin e Sallave Operatore dhe Pajisjeve Kirurgjikale është finalizuar në qeverinë Berisha me fondet e Bankës së Këshillit të Europës. Pajisjet ishin blerë e montuar. Stafi i trajnuar dhe duhej të vihej në punë. Por Ramës i duheshin para për të blerë votat e qytetarëve, ndaj të gjitha pajisjet, ambientin, stafin bashkë me 100 mln euro ia dha dhuratë, me një marrëveshje superabuzive a superkorruptive, sponsorëve të karriges së tij, të cilët morën koncesionin me kompani me vetëm 1 punëtor…! 100 mln euro u vodhën në buxhetin e shëndetit për të kaluar në llogarinë e blerjes së ‘votës’! 100 mln euro për mikun e çiftit Rama-Beqaj në vend që të siguronin barna e kura të nevojshme për pacientët. Edi Rama e ka infektuar me drogë e korrupsion karriken e tij kryeministrore… e s’ka Zot që e sterilizon dot… Shqiptarët duhet ta largojnë njëherë e përgjithmonë këtë ‘mikrob’ sa pa infektuar gjithë Shqipërinë”.

Tenderat dhe QSUT, renditja e 10 kompanive fituese me vlerën më të lartë

Shëndetësia, një nga sektorët që në vazhdimësi ka nevojë për financime, por më kryesorja ka nevojë për menaxhim të duhur. Për blerjen e medikamenteve, pajisjeve mjekësore apo dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore herë pas here organizohen bashkëpunime me kompanitë private në forma të ndryshme, si tendera apo koncesione. Nëse i referohemi tenderave të organizuara nga qendra më e madhe spitalore në vend “Nënë Tereza”, rezultojnë 475 tendera me fitues. Si kompania që ka fituar tenderat në vlerë më të madhe në QSUT është “Megapharma” shpk me rreth 425 milionë lekë. Në vendin e dytë renditet “Rejsi Farma” me 392 milionë lekë e ndjekur nga bashkimi i kompanive “Montal Shpk” dhe “Biometric Albania” me 203 milionë lekë. Por këto dy kompani kanë marrë pjesë dhe janë shpalur fituese edhe veç e veç duke siguruar vendin e katërt dhe të pestë në renditje përkatësisht me vlerat, “Montal Shpk” me 188 milionë lekë dhe “Biometric Albanai” me 185 mln lekë. “OES Distrimed” shpk renditet në vendin e gjashtë me 155 mln lekë, në vendin e shtatë renditet “Lekli” Shpk me 127 mln lekë. Renditja e kompanive që kanë fituar tendera me vlerë të konsiderueshme me QSUT-në, vazhdon me “GTS2” shpk me vlerë 125 mln, “IMI Pharma” shpk me 118 mln dhe në vendin e dhjetë renditet “ONI” shpk me 106 milionë lekë. Por nëse ju referohemi të dhënave të bëra publike ka dhe një renditje tjetër sa i përket numrit më të madh të kontratave të fituara nga një kompani. Kështu në vendin e parë është “Aldosch Farma” shpk me 126 kontrata të fituara, “Megapharma” shpk me 82 kontrata dhe në vendin e tretë ndodhet “Montal” shpk me 42 kontrata të fituara.

Artikulli paraprakÇudia me statistikat zyrtare të INSTAT
Artikulli tjetërFreedom House: Miliarda dollarë nga trafiku i drogës në Shqipëri