Freedom House: Miliarda dollarë nga trafiku i drogës në Shqipëri

“Çështja urgjente e krimit të organizuar u shfaq edhe në fushën e kultivimit të kanabisit. Dy vjet e gjysmë pas goditjes që qeveria i bëri një prej zonave kryesore, tregtarët e kultivimit të drogës mbollën rreth 2.4 milionë fara kanabisi në të gjithë vendin, ndërsa trafiku i marijuanës përtej kufijve arriti në miliarda dollarë. Ekspertët vendas dhe përfaqësues të BE-së vlerësuan faktin, se përhapja e kanabisit do të ishte me pasoja për ekonominë e vendit, veçanërisht për bujqësinë, tregun e punës, stabilitetin social dhe kriminalizimin e ekonomisë”.
Ky është një nga përfundimet që citohet në raportin e Freedom House për Shqipërinë për vitin 2017.
Raporti vlerëson se, Shqipëria përgjatë 2016-ës ka qenë në udhëkryq, e detyruar për të zgjedhur nëse do të vazhdonte trashëgiminë e korrupsionit dhe krimit të organizuar apo të bënte një kthesë radikale dhe të rikthente aspiratat e njerëzve për një shtet që do të arrijë standardet e Bashkimit Europian.
Më 22 korrik, pas 18 muajve punë intensive dhe negociatash politike, Parlamenti shqiptar kaloi me një votim unanim një numër ndryshimesh kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Ndryshimet dhe ligjet e dekretuara në pjesën e dytë të vitit, kanë për qëllim frenimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të ndërhyrjeve politike në sistemin gjyqësor.
Konsensusi politik për ndryshimet kushtetuese u arrit me anë të presionit të vazhdueshëm nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe zbatimi i reformave do të jetë një sfidë e vërtetë për udhëheqësit e përçarë të politikës.
Pavarësisht bastisjeve policore dhe masave, financuesit dhe trafikantët arritën të zgjeronin plantacionet me kanabis në të gjithë vendin, duke përfituar nga fermerët e varfër dhe zyrtarët e korruptuar të shtetit. Problemi duket i rrënjosur thellë në ekonominë e dobët të shtetit, papunësinë e rinisë dhe korrupsionit gjerësisht të përhapur.
Çrrënjosja e kultivimit të kanabisit do të kërkojë masa të palëkundura dhe komplekse, si në afatshkurtër edhe në afatgjatë, që shkojnë përtej akuzave joproduktive që shiten nga përçarja politike e majtë-e djathtë. Mbi të gjitha, Shqipëria ka ende rekorde të ulëta në investigimin, identifikimin, hetimin dhe dënimin e figurave kyçe në trafikimin e drogës dhe në të tjera aktivitete të krimit të organizuar. Ligji i dekriminalizimit që kaloi në fund të vitit 2015, ka pasur rezultate të pakta në largimin e zyrtarëve të inkriminuar nga postet publike dhe nuk ka lënë gjurmë në problemin e infiltrimit të shtetit nga krimi i organizuar.
Ndër të tjera, raporti thekson se komiteti ad hoc për reformën elektorale dështoi për më shumë se një vit për të bërë ndryshime në Kodin Elektoral në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE-së.
Problemet zgjedhore të mbartura ndër vite, të tilla si: akuzat për blerje votash, presioni mbi votuesit, dhuna, janë përsëritur në zgjedhjet lokale të pjesshme që u mbajtën në dy zona në Dibër dhe Kolonjë.
Raporti citon se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë planifikuar në datë 18 qershor 2017 dhe do të jenë një test i rëndësishëm për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin miratuar në dhjetor 2015.
Gjithashtu në raport thuhet se, gazetarët në Shqipëri janë shpesh të pambrojtur ndaj presionit nga interesat politike dhe private. Media ka luajtur rol vendimtar në ekspozimin e korrupsionit dhe në bërjen publike të rasteve të shpërdorimit të detyrës nga ana e zyrtarëve. Largimet e një pjese të gazetarëve për shkak të këtyre presioneve tregojnë presionin e vazhdueshëm politik mbi mediat.
Angazhimi i shoqërisë civile konsiderohet pozitiv. Ata treguan reagim në rritje në lidhje me çështje të ndryshme sociale dhe politike, të tilla si ndërtimi i hidrocentraleve në lumenjtë e Valbonës dhe Vjosës dhe importi i mbetjeve për industrinë e riciklimit. Ata ushtruan presion mbi politikën dhe vendimmarrësit nëpërmjet takimeve, peticioneve, padive, regjistrimeve gjyqësore e protestave paqësore.
Edhe pse vetëm disa prej këtyre iniciativave nuk prodhuan rezultate konkrete në vitin 2016, ata treguan angazhimin qytetar në qeverisje.

Parashikimi për vitin 2017

Raporti i Freedom House për vitin 2017 parashikon se, zbatimi i Reformës në Drejtësi do të jetë në krye të axhendës së qeverisë me institucionet e reja që pritet të krijohen nga pranvera 2017, i cili do të kërkojë hartimin dhe miratimin e më shumë se 40 ligjeve të reja. Ata që e kundërshtojnë Reformën në Drejtësi do të intensifikojnë me gjasë rezistencën e tyre.
Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 do të kontribuojnë në rritjen e tensioneve, pasi udhëheqësit politikë do të jenë të angazhuar në negociata mbi aleancat parazgjedhore, gjithashtu duke u përpjekur për rishikimin e Kodit Zgjedhor në minutën e fundit.
Më 9 nëntor 2016, Komisioni Europian lëshoi një rekomandim pozitiv për Shqipërinë për të hapur bisedimet e pranimit me BE-në, por kjo kushtëzohet nga progresi i prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për më tepër, për të hapur zyrtarisht bisedimet e pranimit, vendi do të ketë nevojë për mbështetjen unanime të shteteve anëtare të BE-së, thuhet në raport.

Raporti, frikë për destablitet në vendet e Ballkanit

Sukseset e fundit të populistëve në zgjedhje në Perëndim, kanë rritur frikën për destabilitet në Evropën postkomuniste dhe Euroazi, ka paralajmëruar në një raport të tij, monitoruesi i demokracisë Freedom House. Në raportin e Freedom House thuhet se vetëm gjatë vitit të kaluar, vota e britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, kundërshtimi i votuesve holandezë për Marrëveshjen e Asociimit ndërmjet BE-së dhe Ukrainës dhe zgjedhja e Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara, “kanë rritur dyshimet së fundi për rendin e brishtë të pas Luftës së Ftohtë”. Gjetjet u bënë publike në raportin vjetor të grupit me seli në New York për Popujt në Tranzicion me nëntitullin “Premtimet e rreme të populizmit”. “Brexit dhe administrata e re në Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar populistët anti demokratë në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan” i tha Radio “Evropa e Lirë”, drejtori i projektit Popujt në Tranzicion të Freedom House, Nate Schenkkan. “Tani një masë kritike e liderëve në rajon hapur po e kundërshtojnë idenë e demokracisë liberale dhe ky populizëm po kombinohet gjithnjë e më shumë me nacionalizmin e vrazhdë etnik që në një mënyrë kërcënon paqen ne Evropë”, thotë Schenkkan. Raporti shënon se një “ripërtëritje” e populizmit në Evropë ka ndodhur që prej rikthimit në pushtet të kryeministrit hungarez Viktor Orban më 2010, duke ‘hequr’ kontrollet dhe balancat në këtë shtet të BE-së dhe ka vazhduar me sulmet mbi shoqërinë civile dhe shtypin në Ballkan. Në raport thuhet se në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan “vitet e populizmit dhe të korrupsionit kanë gërryer institucionet premtuese demokratike”. Raporti shënon edhe lëvizjet në vendet në tranzicion, duke përmendur edhe Kosovën. Sipas Freedom House, Kosova këtë vit ka lëvizur nga një regjim gjysmë autoritar i konsoliduar në një regjim tranzitor/hibrid. “Kosova ka filluar nga pika më e ulët nga vendet e Ballkanit në anketën tonë dhe gjatë dekadës së kaluar ka bërë përparim drejt konsolidimit të shtetësisë dhe ndërtimit të institucioneve të veta”, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë”, drejtori i projektit për Vendet në Tranzicion, i Freedom House, Nate Schenkkan. “Por tash e tutje bëhet ende më e vështirë”, paralajmëroi ai, duke shtuar se “qeveria e vendit dhe partitë politike duhet të rrisin llogaridhënien në çështjen e korrupsionit dhe ata duhet të marrin vendime të vështira politike, në çështjet siç janë përfaqësimi i pakicave dhe integrimi evropian”. Në studimin e Freedom House mbi demokracinë në 29 vende ish-komuniste nga Evropa Qendrore deri në Azinë Qendrore, thuhet se Shqipëria ka notën 4.14, njësoj sikurse edhe vitin e kaluar. Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë. Në raport ndërkohë, Serbia është vlerësuar se ka arritur në pikën më të ulët të demokracisë që prej vitit 2003, pavarësisht se ka bërë përparim në negociatat për pranimin në BE.

“Monitor”

Artikulli paraprakSterilizimi, koncesionari merr 275 euro për çdo operacion
Artikulli tjetërKëshilltarët e PD kundër Dakos për projektin Veliera