Çudia me statistikat zyrtare të INSTAT

Instituti i Statistikave deklaroi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.46 për qind gjatë vitit të kaluar, por një pjesë e kësaj rritjeje erdhi nga një shkak i çuditshëm, rënia e çmimeve për produktet dhe shërbimet e prodhuara në vend. Si asnjë vit tjetër më parë, deflatori në ekonominë shqiptare rezultoi negativ duke bërë që rritja reale e ekonomisë të jetë më e madhe se sa ajo nominale. Kjo është një rritje, të cilën Shqipëria nuk e ka hasur ndonjëherë në historinë e saj. Për krahasim nëse deflatori i vitit të kaluar, do të rezultonte sa ai i vitit 2015, rritja ekonomike e 2016-ës do të ishte më pak se 2 për qind. INSTAT e llogarit fillimisht prodhimin kombëtar të një viti të caktuar në vlerë nominale. Më pas, për të gjetur rritjen reale, kjo shifër zhvishet nga efekti i rritjes së çmimeve. Diferenca ndërmjet prodhimit nominal dhe atij real është deflatori, i cili shërben për të kuptuar se sa prej vlerës së shtuar në ekonomi është shkaktuar nga rritja e çmimeve të të njëjtës sasie mallrash apo shërbimesh. Historikisht deflatori ka shënuar gjithmonë vlera pozitive sepse çmimet tentojnë të rriten nga njëri vit në tjetrin. Kjo bën që rritja reale të jetë thuajse gjithmonë më e ulët se sa ajo nominale. Për shembull, gjatë vitit 2014, PBB nominale u rrit me 3.2 për qind, ndërsa PBB reale u rrit me 1.83 për qind. Diferenca prej 1.4 për qind është deflatori. Por vitin e kaluar ka ndodhur e kundërta. Deflatori ka qenë negativ, – 0.2 për qind dhe jo vetëm që nuk ka “ngrënë” nga prodhimi nominal, por e ka shtuar atë duke prodhuar një shifër më të lartë të rritjes ekonomike. Deflatori është i ndryshëm nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që ndryshe njihet si inflacioni. Indeksi i Çmimit të Konsumit mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të fiksuar mallrash, ndërsa deflatori llogarit ndryshimin e çmimit për të gjitha mallrat dhe shërbimet që prodhohen në vend. Por pavarësisht këtij ndryshimi në praktikë diferenca ndërmjet deflatorit dhe inflacionit tenton të jetë e vogël, pasi të dy tentojnë të masin të njëjtën gjë, ndryshimin e çmimeve në ekonomi. Për rrjedhojë, nëse IÇK është në rritje, deflatori vështirë se mund të jetë negativ. Kjo nuk qe ajo që ndodhi gjatë vitit të kaluar, pasi inflacioni rezultoi 2 për qind, ndërkohë që deflatori negativ.

Artikulli paraprakShqiptarët ikin jashtë dhe “harrojnë” të kthehen
Artikulli tjetërSterilizimi, koncesionari merr 275 euro për çdo operacion