Fabregas te Milani që në muajin janar

Cesc Fabregas, mund të jetë pikërisht spanjolli blerja e parë e pronarëve të rinj kinezë të Milanit. Dëmtimi i rëndë që ka pësuar Ricardo Montolivo ka detyruar drejtuesit e klubit kuqezi të përshpejtojnë bisedimet me Chelsea-n për mesfushorin e përfaqësues La Roja. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, drejtori i ardhshëm sportiv i Milanit, Massimiliano Mirabelli ka fluturuar drejt Londrës me një mision të qartë, të marrë ok-in e Chelsea-t për të vendosur që në janar në dispozicion të trajnerit Montella një element të rëndësishëm. Ka sinjale pozitive për Milanin se ky operacion merkatoje mund të realizohet me sukses pasi vetë Cesc Fabregas e shikon me sy të mirë një transferim të tijin te kuqezinjtë.
Për momentin Antonio Conte po i jep shumë pak hapësira në formacionin e Chelsea-t lojtarit dhe kjo është një nga arsyet kryesore që 29-vjeçari dëshiron të largohet nga kryeqyteti anglez. Për momentin problemi për Milanin qëndron te paga e lojtarit. 6 milionë eurot që Fabregas përfiton në një sezon janë shumë edhe pronarët e rinj kinezë dhe Mirabelli do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje që spanjolli të ulë disi pretendimet e tij ekonomike. Milani ka dashur ta afrojë në skuadër mesfushorin që në merkaton e verës, por për Adriano Gallianin transferimi i Fabregas në Milano në atë periudhë ka rezultuar thjesht dhe vetëm një mision i pamundur. Gjithsesi gjasat janë që në janar, 29-vjeçari spanjoll të vishet kuqezi me tifozët e Milanit që mund t’i gëzohen kështu klasit dhe golave të Fabregas.

Artikulli paraprakNapoli heq dorë nga pista Klose
Artikulli tjetërPSG nuk tërhiqet