PSG nuk tërhiqet

Mungesa e zyrtarizimit të rinovimit të Nejmar me Barcelonën ka shtyrë klubet angleze që të hidhen në sulm për futbollistin brazilian. Sipas “Daily Star”, parashikohet një derb i mirëfilltë në Mançester për futbollistin, pasi si Murinjo, ashtu edhe Guardiola, janë gati të bëjnë çmenduri për të siguruar firmën e tij.
Për transferimin e lojtarit, të dy klubet duhet të bëjnë gati një çek mjaft të majmë, pasi Barcelona nuk do të dorëzohet lehtësisht. Tabloidi anglez ka zbuluar se klubet në fjalë kanë konfirmuar se mund të shpenzojnë shifrën e 188 milionë eurove për brazilianin. Kuptohet që kjo do të ishte një shifër rekord për futbollin botëror, por ndoshta nuk mjafton të bindë Barcelonën, e cila jo rastësisht i ka vënë një klauzolë largimi prej 250 milionë eurosh futbollistit në kontratë.
Paris Saint Germain është gati për një ofensivë tjetër në adresë të Barcelonës për t’i rrëmbyer brazilianin Nejmar. Klubi francez ofron 200 milionë euro dhe është gati që ofertën ta bëjë zyrtare në merkaton e verës. Presidenti Nasser Al-Khelaifi ka gati gjithashtu ofertën faraonike për sulmuesin brazilian, duke përfituar edhe nga problemet ekonomike të lojtarit. Sipas burimeve të afërta pranë, Nejmar ka marrë sinjale nga Paris Saint Germain. Mendohet se Marquinhos, Lucas Moura dhe Thiago Silva që janë gjithashtu pjesë e Brazilit, kanë biseduar me Nejmar dhe kanë arritur ta bindin për t’i ndezur dritën jeshile transferimit.
Gjithsesi, në krahun tjetër Barcelona kërkon të mos jetë e papërgatitur në rast të një oferte, pasi ka gati kontratën e re. Nejmar do të ketë në tavolinë propozimin për rinovimin deri në vitin 2021 dhe me një pagë të barabartë me atë të Lionel Messi-t, 25 milionë euro në sezon. Në kampin katalanas janë optimistë për rinovimin edhe pse e pranojnë që kjo çështje nuk duhet të shtyhet më pasi ekziston rreziku që ish-sulmuesi i Santosit të zgjedhë një destinacion të ri. Agjenti i lojtarit, Agent Wagner Ribeiro është njeriu që po e shtyn sa më shumë çështjen e rinovimit pasi ai dëshiron largimin e Nejmar nga Katalonja. Gjatë kësaj vere, PSG dështoi në objektivin për afrimin e Cristiano Ronaldos, i cili deklaroi besnikëri përkundrejt Realit të Madridit dhe në këtë mënyrë, opsioni më i mundshëm për zëvendësimin e Ibrahimoviç mbetet braziliani i Barcelonës.

Artikulli paraprakFabregas te Milani që në muajin janar
Artikulli tjetërPaul Pogba rigjen shkëlqimin