Berisha-Ramës: Fundi yt është burgu ose fataliteti!

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi dje Ramën nga sheshi i lirisë se, fundi i tij i pashmangshëm do të jetë burgu ose fataliteti. Berisha përsëriti dje thirrjen ndaj Ramës të largohet pa humbur më kohë e t’i hapë rrugë krijimit të qeverisë teknike, e cila do të jetë garant i vullnetit të lirë të qytetarëve. Berisha tha se, pushtetin tashmë e ka në dorë populli shqiptar dhe është ai që vendos dhe jo më krimi dhe narkotrafiku në krye të qeverisjes. “Kjo betejë është një betejë vendimtare, është një betejë në të cilën, ne nuk humbasim dhe nuk mund ta humbim kurrë. Sot, jemi këtu për momentin disa qindra, por Edi Rama ta ketë të qartë se në çdo moment që të vendosin këta qytetarë këtu, ky bulevard do të ketë qindra mijëra. Merri këto ditë, si ditë mëshire që ti nuk e meriton. Të them si ditë mëshire se duhet ta kesh të qartë; fundi yt është ose burgu ose fataliteti, rrugë tjetër nuk ke. Poshtërimi që ti i ke bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhunimi që ti i bëre më 2015, kriminelët që ti solle në pushtet janë të gjitha akt-akuza e këtij populli ndaj teje. Ti meriton të kalbesh gjithë jetën në burgje. Por ke dhe një alternativë. Nëse nuk bindesh te kjo, të jesh i bindur se me lecka do kërrehesh dhe do përfundosh në ujërat e Lanës se aty e ke vendin”, u shpreh Berisha. Ish-Kryeministri e cilësoi protestën e opozitës dhe popullit shqiptar si një revolucion, i cili do të zgjasë deri në largimin me çdo kusht të Ramës nga pushteti. “Ky është revolucion, dhe çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë si drita e diellit, se kjo gjendje e tmerrshme në të cilën ky kryebandit ka zhytur Shqipërinë, kjo vello e zezë kanabisi dhe narko-eurosh, me të cilat ka mbuluar vendin, kjo nuk shqitet as me thirrje as me sllogane, kjo shqitet dhe përmbyset me të gjitha format e mosbindjes civile, për t’a shporrur Eskobarin me lecka nga pushteti”, tha Berisha. Nga ana tjetër, ish-Kryeministri Berisha vlerësoi të gjithë ata mijëra qytetarë që për 41 ditë resht janë bërë pjesë e kauzës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Një përshëndetje vëllazërore, të përzemërt të gjithë juve, vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, që bëtë këtë çadër pishtarin e shpresës, frymëzimit për shqiptarët, për mbarë kombin shqiptar. Në çadrën e lirisë kanë ardhur dhe vijnë jo vetëm qytetarë nga çdo skaj i vendit, por nga mbarë trevat shqiptare, nga emigracioni dhe diaspora dhe frymëzojnë këtu me vendosmërinë, me kauzën e drejtë, e cila mbrohet këtu në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sot, ne jemi në ditën e 41 të çadrës së lirisë, në të vërtetë jemi në ditën e 41 të fitores tonë, në ditën e 41 të marshit tonë të pandalur në fitoren tonë, në ditën e 41, të një vendosmërie absolute për të mbrojtur atë që është vlera më e shenjtë e vlerave të një demokracie; votën e lirë”, u shpreh ish-Kryeministri.

Një universitet privat u shndërrua në strofull të krimit shtetëror

Me tone të ashpra, ish-Kryeministri Berisha akuzoi dje shndërrimin e një unviersiteti privat në vegël në duart e Edi Ramës.  “Shqipëria ka rreth 50 universitete publike dhe private. Asnjë universitet publik, asnjë universitet përveç njërit privat nuk merr përsipër të shkelë rregullin e depolitizimit. Eshtë një universitet, i cili është bërë si institut i studimeve marksiste të Nexhmije Hoxhës; ky është Universiteti “Kristaq Rama”. Unë dua t’i them rektor/presidentit të tij; zotëri, liritë për të cilat keni luftuar, t’i njohin, të anëtarësohesh në PS, të bëhesh nënkryetar i saj, të marrësh çdo funksion dhe kjo është liria jote. Por të shndërrosh universitetin, në kundërshtim me ligjet në strofull të organeve të krimit shtetëror, do kesh pasoja shumë të rënda dhe i paralajmëroj, i bëj thirrje studentëve t’i tregojnë vendin këtij sharlatani, t’u tregojnë vendin atyre, të cilët për xhepat, për korrupsionin kërcënojnë diplomat tuaja për t’u bërë të pavlefshme në aktin e parë të fitores të demokracisë. Edi Rama edhe një herë të bëj thirrje të largohesh, largohu se përveç votës së lirë nuk ka forcë në botë, nuk ka fuqi mbi tokë që të ndalojë marshin fitimtar të këtij revolucioni”.

Do t’a fshijmë nga faqja e dheut Edi Ramën dhe drogën

Skema e Ramës për të krijuar bankën e tij përmes së cilës pastron paratë e pista e në krye ka emëruar bashkëshorten e vet do të zbardhet dhe Rama do të përgjigjet për të gjitha vjedhjet që ka bërë ndaj parave të shqiptarëve. “Edi Rama ka krijuar bankën e vet. Ka emëruar hanemin, zonjën Linda Basha në krye të bankës për të pastruar paratë e tij. Ja ku po të themi, se paratë e tua edhe prapa diellit do t’i gjejmë, dhe një për një do përgjigjesh vite burgu për paratë e vjedhura. Ky është revolucion, dhe revolucioni ka një mision; votën e lirë dhe asgjë nuk mund të pengojë fitoren e  tij. Edi Rama ka krijuar mafian e tij”, shprehet Berisha. Nga ana tjetër, ish-kryeministri tha në mënyrë të prerë se, votat e shqiptarëve nuk ka për t’i marrë më kurrë. “Le të supozojmë se ti mashtron edhe botën, se ti nuk ke korrur kurrë 2.500.000 rrënjë, por se ke korrur dhjetë herë më pak, ke korrur 250 mijë rrënjë, pra i bie që ke korrur 1 mijë ton, atëherë ku janë 1 mijë ton kanabis sot? Të gjitha në magazinat e policisë, në tunelet e ushtrisë, të gjitha në rezervat shtetërore. Pra, kemi të bëjmë këtu me një regjim që trafikon drogë çdo natë, dhe çdo natë mbyten djem të rinj, e ka kthyer prapë Otranton, një varr të tmerrshëm për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë. Atëherë çfarë do i bëjmë ne këtij? Çfarë kërkohet nga ne? Guxim, guxim dhe vetëm guxim. Do t’a fshijmë nga faqja e dheut Edi Ramën dhe drogën, drogën dhe Edi Ramën.  A nuk thanë në 2015 përfaqëues të ODIHR/OSBE se në këto zgjedhje votën e diktoi krimi. Po sot ku është krimi?! Nëse në 2015 ishin dy banda, sot janë 12 banda, sot të gjitha qarqet dominohen nga bandat, nga vrasësit, trafikantët dhe përdhunuesit. Po pse me këta do na e marrësh votën ne ti? Mund të na marrësh shpirtin me ta, por votën s’na e merr kurrë, se ne do të të japim ty atë që meriton. Edi Rama, i ke çuar problemet deri aty sa, do tmerrohesh, por dorëzohu shpejt. Punonjësve të administratës shtetërore, Policisë, Gardës, Ushtrisë, u janë dorëzuar formularët e patronazhistit. Po i paralajmëroj këtu, se në mënyrë absolute nga i pari tek i fundit po zbatuat formularin do qërroheni një herë e mirë nga administrata e shtetit. Qëndroni punonjës të denjë të ligjit dhe jo zagarë të krimit, çakenj të Edi Ramës”, u shpreh ish-kryeministri.

E gjithë droga që sekuestrohet nga policia magazinohet dhe trafikohet

Ish-Kryeministri Berisha hodhi dyshime të forta për destinacionin e drogës, që shpallet si e sekuestruar nga Policia. Berisha tha se e gjithë droga që sekuestrohet për show mediatik nga policia nuk asgjësohet, por maganizohet nëpër godina shtetërore e më pas trafikohet jashtë Shqipërisë. “Unë u bëj thirrje fermerëve shqiptarë, një thirrje vëllazërore, a e dëgjuat këto katër vite ketë kryebandit apo sejmenët e tij, që të shqipërojë njëherë fjalën ulli, domate, mollë, vreshta, arrorë? As dhe një herë të vetme. Ndërkohë ju dëgjoni nga ata dhe mediat e tyre çdo ditë drogë, hashash, kanabis. Po pse ky vend duhet jemi ne? Kurrën e kurrës nuk do pranojmë këtë ne. U bëj thirrje shqiptarëve të shtroni një pyetje. A deklaruan këta se kanë korrur 2 milionë e 500 mijë rrënjë kanabs. E raportoi këtë shifër edhe Departamenti i Shtetit në raportin e tij. Po a e dini çdo të thotë dy milionë e pesëqind mijë rrënjë? Në minimumin e kilogramëve do të thotë 10 mijë ton kanabis. Ku janë? Mirëpo ju duhet të dini se, gjatë qeverisë së mëparshme, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar solli këtu ekspertët më të mirë për të përcaktuar rregullat ligjore më transparente për asgjësimin dhe djegien e drogave, në mënyrë që askush nga policia apo dikush tjetër të mos të prekte një gjethe prej saj. Çfarë ndodh tani? Keni parë kund të digjet drogë? E tëra është bërë silazh në bunkerë, në tunele, në magazinat e Ushtrisë dhe Policisë, në Rezervat Ushqimore Shtetërore dhe çdo natë nisen drejt Italisë, Greqisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, dhjetëra tonelata drogë me të gjitha mjetet. Ku është droga? Edi Droga ku janë 10 mijë tonelatat e drogës”, u shpreh ish-Kryeministri Berisha. Ai deklaroi se sot sipas të dhënave zyrtare rezulton se, prodhimi i drogës në Shqipëri është 1250 herë më i madh krahasuar me vetëm dy vite më parë. “Edi Rama i ka bërë gjëmën vendit. Sot, vendi në mbarë botën thirret Kolumbia e Europës, por duhet të dini një gjë. Kolumbia kishte një qeveri, e cila ditë e natë përballej dhe luftonte drogën. Ishin grupet marksiste leniniste, që dikur stërviteshin dhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës, që bënin drogën, dhe në fund qeveria fitoi betejën me drogën dhe me Eskobarin. Kurse këtu Eskobar është kryeministri i vendit, çfarë do bëjmë ne? Do pranojmë ne që të qeverisemi, të shkemohemi, të mashtrohemi nga një drogmen, nga një trafikant? Apo do ngrihemi si një vigan në të drejtën tonë për të votuar të lirë siç votojnë kombe të tjera? Unë jam i bindur se shqiptarët do zgjedhin këtë të dytën. Në zgjedhjet e 2015-ës, jo ne, por komuniteti ndërkombëtar konstatoi se krimi diktoi votën, se paratë e drogës blenë votën, se administrata u mor fund e krye me votën, se mediat u kontrolluan nga qeveria, se nuk u respektua pra asnjë nga standardet e përcaktuara nga bota e lirë për të zhvilluar zgjedhje të lira. Po sot ku jemi? Sot droga krahasuar me vitin 2015 është sipas statistikës zyrtare 1250 herë më e madhe se dy vjet më parë”, tha Berisha.

Artikulli paraprakBasha me Europol: Gjurmim pasurive të zyrtarëve të lartë
Artikulli tjetërEuropa mbështetje Bashës e protestës për zgjedhjet e lira