Euro rritet në bursat ndërkombëtare, në Shqipëri e fundos droga

Shpresa se kandidati i pavarur i qendrës Emmanuel Macron do të mundë në raundin e dytë ekstremisten Marine le Pen ka reduktuar shqetësimet se një eurokeptike do të drejtojë ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës.
Euro në bursa u rrit me 1.4% gjatë ditës së djeshme në $1.0872, niveli më i lartë që nga muaji mars. “Tregjet po vlerësojnë fitoren e Macron”, tha Jordan Rochester, një analist i tregjeve të huaja në Nomura. “Macron është pro euro, pro biznes”.
Por, sjellja në tregun e brendshëm valutor, ka qenë e pandikuar nga optimizmi i lartë për euron. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 134.91 lekë, 0.02 lekë më pak se fundi i javës së kaluar, duke vijuar tendencën rënëse të javëve të fundit.
Ky është niveli i ri më i ulët i këtij viti, pas atij që u vendos të premten e kaluar. Për të ruajtur raportet me bursat ndërkombëtare, dollari ka rënë edhe më fort në tregun vendas, me 1.75 lekë në 124.25 lekë.
Ekspertët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e nënçmimit të euros në tregun vendas, pavarësisht se ai u rrit fort dje në bursa, lidhet me ofertën e lartë në valutë në Shqipëri, sipas tyre vjen nga aktivitete të ligjshme, por edhe kriminale.

Artikulli paraprakPse punonjësit në Shqipëri janë më pesimistët në Europë
Artikulli tjetërFOTO DITE