Euro në rënie për të 20 ditën radhazi

Monedha e përbashkët prej 20 ditësh vijon të zhvlerësohet në tregun vendas. Dje euro preku nivelin e këmbimit të 133 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Që nga fillimi i muajit qershor, euro është zhvlerësuar me gati 1.2 lekë duke shënuar në vazhdimësi rekorde të ulëta.
Gjithsesi, në bursë euro është pranë nivelit më të lartë të një viti, ku 1 euro blen 1.12  dollarë, duke u këmbyer 0.06 pikë më shumë se një ditë më parë.
Sipas ekspertëve nivele të tilla të ulëta të euros ishin parashikuar për sezonin veror, por duket se fushata zgjedhore ka qenë një nxitës për përshpejtimin e zhvlerësimit të euros në tregun vendas.
Euro pritet të zhvlerësohet më tej në fund të këtij muaji dhe javën e parë të muajit korrik, pasi me përfundimin e muajit të Ramazanit pritet të shtohet fluksi i turistëve nga Kosova.
Pas trysnisë së efekteve sezonale, ekspertët thonë që euro do të vijojë të zhvlerësohet edhe gjatë gushtit me rikthimin e emigrantëve për pushime.
Teprica e madhe në valutë, sipas tyre, përveç efekteve sezonale, është ndikuar më së shumti për shkak të investimeve të huaja si TAP, por edhe prej aktiviteteve të jashtëligjshme, duke bërë kështu që euro të kapë nivelet më të ulëta të 9 viteve

Artikulli paraprakTensione të reja SHBA-Rusi në Siri
Artikulli tjetërTAP përfundon transportin e 13 mijë tubave në Shqipëri