“ESPNFC”: Hysaj, mbrojtësi perfekt

Elseid Hysaj mes 32 futbollistëve për t’u vëzhguar në këtë sezon të Champions League. Rrjeti sportiv “ESPNFC”, në një analizë në startin e fazës së grupeve të këtij kompeticioni, ka përzgjedhur një lojtar për çdo skuadër, duke u bazuar në vlerat dhe pritshmëritë për performancën e tyre. Në radhët e Napolit, ku luajnë emra të rëndësishëm, spikat mbrojtësi 22-vjeçar shqiptar titullar i padiskutueshëm në formacionin e Sarrit. Hysaj luan prej dy sezonesh në Serinë A, një me Empolin dhe të fundit me Napolin, ndërsa ishte protagonist me Shqipërinë edhe në kampionatin e fundit europian të zhvilluar në Francë. Madje edhe në këtë turne është rreshtuar mes talenteve që duheshin vëzhguar.
Në paragrafin e shkurtër dedikuar Hysajt, shkruhej se në Francë 2016 ishte një nga mbrojtësit më të mirë të krahut, por jashtë Italisë mbetet një futbollist i nënvlerësuar. Një vlerësim i merituar për mbrojtësin kuqezi, që ka një raport të veçantë me trajnerin Sarri. Për Hysajn shkruhet gjithashtu se është shumë i disiplinuar në fazën mbrojtëse, si dhe mbështetja e tij ndihet në çdo moment kur skuara është në sulm. Hysaj është thjesht mbrojtësi modern perfekt. Një etiketim i goditur për mbrojtësin shqiptar, i cili po bën hapa galopantë në karrierë. Një investim i jashtëzakonshëm i presidencës napolitane që e bleu për vetëm 5 milionë euro, por që çmimi i kartonit të Hysajt është shumëfishuar duke i kaluar 20 milionë euro.
Napoli duket se ka gjetur te Milik zëvendësuesin ideal të Higuain, me polakun që shënoi një dygolësh në fitoren e italianëve 2-1 në transfertë ndaj Dinamos së Kievit në Grupin B, ku Hysaj luajti 90 minuta të plota. Benfica u surprizua në fund nga Beshiktash, që arriti të barazojë ndeshjen në minutën e 90-të. Në Grupin A, e gjithë vëmendja ishte për PSG-Arsenal, ndeshje që u mbyll në barazim 1-1. Cavani realizoi pas vetëm pak sekondash lojë, ndërsa në pjesën e dytë Sanchez barazoi për Topçinjtë. Me të njëjtin rezultat përfundoi dhe sfida mes Baselit dhe Ludogoretsit, me Xhakën që luajti titullar për zviceranët.

Artikulli paraprakRekordet e Ançelotit
Artikulli tjetërSekreti i superjahtit St. Princeshë Olga