Bologna blen lojtarin e Shpresave

Emanuele Ndoj është lojtari më i ri i Bolognas. Mesfushori shqiptar, i cili është rritur në akademinë e Romës, u transferua në radhët e kuqebluve, pas sezonit të kaluar në formë huazimi te Brescia në Serinë B. Sipas gazetës “Corriere dello Sport”, negociatat për blerjen e kartonit të talentit të kombëtares shpresa janë mbyllur prej muajit janar, për vlerën e përgjithshme të një milion eurove, megjithatë Bologna priti hapjen e merkatos së verës për të zyrtarizuar blerjen e lojtarit.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse 20-vjeçari do të qëndrojë gjatë në radhët e skuadrës së re, pasi emilianët po vlerësojnë mundësinë e huazimit, si mënyrë që lojtari të ketë hapësira për të vijuar rritjen dhe të fitojë eksperiencë.
Emanuele Ndoj cilësohet si një prej lojtarëve shqiptarë më të talentuar. Me një fizik mbresëlënës, prej 187 centimetrash, ai u kthye në një prej të rinjve më të spikatur gjatë sezonit të kaluar në Serinë B, duke luajtur 17 ndeshje me Brescian.
Futbollisti i lindur në Katania është një prej elementëve më të vyer edhe të kombëtares Shpresa. Pasi debutoi nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi në dy miqësoret me Moldavinë, për shkak dëmtimi Ndoj humbi miqësoren e luksit me Francën dhe sfidën e parë kualifikuese të Europianit të 21-vjeçarëve me Estoninë.

Artikulli paraprakErmir Lenjani drejt Sionit
Artikulli tjetërMarchetti apo Strakosha për Lazion?!