Elseid Hysaj pranë rinovimit me Napolin

E ardhmja e Elseid Hysajt do të vazhdojë të jetë te Napoli. Mediat italiane raportojnë se të enjten e ardhshme mbrojtësi i kombëtares shqiptare do të firmosë kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me klubin e kaltër deri në vitin 2021. Është arritur më në fund marrëveshja mes agjentit të Hysajt, Mario Giuffriedi dhe presidentit të Napolit, Aurelio de Luarentis për zgjatjen e marrëveshjes. Në ditët e fundit situata ishte ndërlikuar disi, madje vetë menaxheri i lojtarit i kërcënoi drejtuesit e Napolit se nëse akordi për rinovimin nuk do të mbyllej në një kohë shumë të shkurtër, ai do të niste kontaktet me klube të tjera që janë të interesuara për shërbimet e 22-vjeçarit.
Këtyre deklaratave të Giuffredit u janë trembur jo pak drejtuesit e Napolit, të cilët nuk dëshirojnë të privohen nga një talent i madh si Elseid Hysaj dhe kanë vendosur t’i plotësojnë kërkesat financiare lojtarit. Mediat italiane zbulojnë edhe detajet e marrëveshjes. Nga kontrata e re ish-mbrojtësi i Empolit do të përfitojë 1.5 milionë euro në sezon dhe në bazë të paraqitjeve të Hysajt kjo shifër mund të rritet me kalimin e viteve. Të enjten nën praninë e menaxherit të tij dhe presidentit të Napolit De Laurentis, Hysaj do të hedhë edhe firmën mbi kontratën e re të vlefshme deri në vitin 2021. Me zgjatjen e marrëveshjes me Napolin shuhen kështu zërat për një kalim të mundshëm të kuqeziut te Arsenali apo Bayern Munich.

Artikulli paraprakThomas Strakosha: Të kënaqur me Inzaghin
Artikulli tjetërCR7 mungon gjatë