CR7 mungon gjatë

Cristiano Ronaldo do të humbasë sfidën e Superkupës së Europës përballë Sevillas dhe takimet e vlefshme për dy javët e para të La Ligas ndaj Real Sociedad-it dhe Celta Vigos. Fillimisht u mendua se dëmtimi që pësoi në finalen e Kampionatit Europian mes Francës dhe Portugalisë pas kontaktit që pati me Dimitry Payet do ta mbante një muaj jashtë fushave të futbollit yllin portugez, por te Reali i Madridit kanë vendosur të mos përshpejtojnë fazën e riaftësimit të Ronaldos. Në këtë mënyrë drejtuesit e Los Blancos kanë vendosur që 31-vjeçari të qëndrojë me pushime për një muaj për t’u relaksuar sa më shumë pas atij sezoni shumë të gjatë dhe me shumë impenjime.
Pas një muaji që do të qëndrojë në pushim absolut pranë familjes së tij, portugezi do të rikthehet në stërvitje për të nisur fazën e riaftësimit. Gjithsesi për të parë sërish Cristianon në fushë duhet të presim mesin e muajit shtator. Është e sigurtë mungesa e luzitanit në finalen e Superkupës së Europës ndaj Sevillas që do të luhet në Norvegji më 9 gusht dhe në dy ndeshjet e para të La Ligas në të cilat Reali i Madridit do të ketë përballë Sociedadin dhe Celtan. Dëmtimi në gju që ka pësuar 3 herë fituesi i Topit të Artë nuk mund të hidhet lehtë pas krahëve dhe te Los Blancos duan që ylli i skuadrës së tyre të rikthehet më i fortë se kurrë. Cristiano do të mungojë edhe në takimin kualifikues për Botërorin Rusi 2018 që Portugalia do të zhvillojë ndaj Zvicrës më 6 shtator, ndërsa do të jetë gati për ndeshjen e tretë të La Ligas ndaj Osasunës, një javë më pas.
Reali i Madridit përgatitet për sezonin e ri që do ta nisë me finalen e Superkupës së Europës më 9 gusht ndaj Sevillas. Por te “Los Blancos” janë disa probleme që duhen zgjidhur dhe që kanë të bëjnë me të ardhmen e Alvaro Moratës, James Rodriguez dhe Iskos.
Pas rikthimit në Spanjë, Morata ka shfaqur dëshirën për të biseduar me trajnerin Zinedine Zidane për të kuptuar perspektivën e tij në skuadër. Synimi i sulmuesit është që të luftojë për vendin e titullarit me treshen Ronaldo-Bale-Benzema. Nëse ai nuk do të jetë i kënaqur me aktivizimin që mund t’i ofrojë Zidane, atëherë Morata mund të këmbëngulë për largimin në drejtim të një skuadre tjetër.
Në të njëjtën situatë gjenden edhe James Rodriguez për të cilin Reali shpenzoi 80 milionë euro dhe iberiku Isko, me këtë të fundit që prej kohësh kërkon me forcë vendin në formacionin titullar. Ndërkaq, janë shumë pranë largimit edhe Nacho me destinacion të mundshëm Romën dhe Jese Rodriguez. Kjo për faktin se hapësirat e tyre në skuadër do të ngushtohen ndjeshëm me rikthimin e Coentraos dhe Asensios.

Artikulli paraprakElseid Hysaj pranë rinovimit me Napolin
Artikulli tjetërÇmimi “Lojtari më i Mirë” në Europë