Ekzekutimi i 25-vjeçarit krim shtetëror/ Policia vendos armën në vendin e krimit, si gënjyen për rrethanat e vrasjes

Është e rrethuar me hije të forta dyshimi ngjarja e ndodhur pas mesnate në Tiranë, ku punonjës të Policisë së Shtetit ekzekutuan me armë 25-vjeçarin Klodjan Rasha, i cili sipas tyre nuk iu bind urdhërit për të ndaluar. Edhe pse nuk ka një deklaratë nga zyrtarë të Policisë apo Prokurorisë, edhe dy njoftimet e sjella nga Policia e Tiranës në grupe ëhatsup-i lënë vend për diskutim, për shkak të informacioneve kontradiktore.

Në njoftimin paraprak thuhej se punonjësi i Policisë kishte qëlluar në drejtim të Rashës pasi ky i fundit mbante një send të fortë në dorë, ndërkohë që rruga ku ka ndodhur ngjarja, po sipas bluve ka qenë e pandriçuar. Gjë që në fakt hidhet poshtë nga ana e fqinjëve të familjes Rasha, të cilët shprehen se dritat në rrugicën ku Policia ka qëlluar të riun janë funksionale dhe përgjatë gjithë natës rruga është e ndriçuar.

”Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë që sa i përket sendit që në fillim u duk si armë, dhe më pas rezultoi pas më shumë se 6 orësh të ishte pistoletë, ngrihen pikëpyetje se pse hetuesve iu desh një kohë kaq e gjatë për zbulimin e saj, në një kohë kur e gjithë rrugica e ngushtë mund të përshkruhet vetëm për disa minuta.

Sa i takon të riut, për të cilën Policia u kujdes të njoftonte në rrugë jozytare se kishte qenë një person me precedentë penalë të mëparshëm, fqinjët dhe familja pretendojnë të kundërtën, duke thënë se ai ishte shumë i sjellshëm, dhe nuk ngacmonte akënd në lagje.

Ndërkohë xhaxhai i Klodjanit, Hasan Rasha teksa foli në emrin e familjes, tha se nipi i tij ishte një person që kishte pasur më herët probleme me shëndetin mendor, për të cilat dhe ishte mjekuar, ndërsa dha bindjen e plotë se nuk kishte pasur armë as me vete dhe as në shtëpi. Ai kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më parë nga ana e Policisë, ndërsa u shpreh i bindur se nipi i tij nuk ka drejtuar armë në drejtim të punonjësve të Policisë.

Sakaq, pranë zonës ku Policia ka qëlluar të riun, ka disa biznese, kamerat e të cilave janë sekuestruar dhe pritet që të hedhin më shumë dritë rreth kësaj ngjarje të rëndë, që padyshim njollos edhe policinë e shtetit, pasi reagimi i efektivit duket të jetë më shumë sesa nën kushtet e vetëmbrojtjes.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se Rasha ka marrë dy plumba, një në kokë dhe një në shpinë, që nuk ka lidhje asesi me veprimin e Policit për ta neutralizuar atë. Policia dhe SHÇBA po kryejnë hetime në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që efektivi që ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit për momentin ndodhet i ndaluar.

Artikulli paraprak8 Dhjetori/ Basha, Berisha dhe drejtuesit e PD, homazhe te monumenti i Azem Hajdarit në sheshin Demokracia
Artikulli tjetërRezoluta e djeshme e PPE përcakton fatin e pakthyeshëm të Ramës