Eksportuesit në pikiatë nga zhvlerësimi i lekut nga droga

Eksportuesve shqiptarë u ka shkuar laku në frymën e fundit prej kostove në rritje nga taksat e larta, shtrenjtimi i energjisë, formalizimi dhe tani së fundmi nga forcimi i lekut. Për shumëkënd lajmi për forcimin e monedhës vendase ngjan si një zhvillim pozitiv, por në fakt zemra e ekonomisë, eksportuesit shqiptarë që i sjellin në ekonominë vendase 1.8 miliardë euro në vit, humbën vetëm nga lëvizjet e kursit të këmbimit rreth 30 milionë euro vitin e kaluar, teksa kursi mesatar i euros më 2016-n zbriti në 137.4 lekë, nga 139.7 më 2015-n.
“Albaco Shoes” një nga kompanitë më të mëdha të eksportit në sektorin fason, konkretisht në prodhimin e këpucës po sheh një rënie të dukshme të fitimeve prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët euro. Nënçmimi me rreth 4 pikë që nga fillimi i vitit të kaluar e ka vënë në vështirësi kompaninë, e cila i ka të gjitha të ardhurat në euro dhe shpenzimet në lekë.
Ekonomistja e “Albaco” pohoi se nëse kursi i këmbimit vijon nënçmimin për euron siç ka ndodhur së fundmi, rënia e të ardhurave do të krijojë vështirësi. Volumi i këmbimeve të kompanisë në një ditë arrin mesatarisht 50-60 mijë euro. Në një muaj sipërmarrja e fasonit këmben rreth 1 milion euro. Duke qenë se euro është zhvlerësuar me 3.5 për qind humbjet e kompanisë nga kursi i këmbimit llogariten 35 mijë euro në muaj. Kjo shumë e konvertuar në 12 muaj i çon humbjet nga kursi i këmbimit në një vit në rreth 450 mijë euro.
Kjo shumë për kompanitë e fasonit, të cilat punojnë me një marzh të ulët fitimi është jashtëzakonisht e madhe. Vlera e munguar mund të investohej në makineri ose në shtimin e forcës së punës, por më e keqja është se nuk ka zgjidhje në sfond, pasi Shqipëria aplikon një regjim të lirë të kursit të këmbimit ku çmimi i vlerave monetare përcaktohet nga kërkesa dhe oferta.
Një situatë të ngjashme pohoi edhe fabrika tjetër e prodhimit të këpucës “Famiko Shoes” në Shkodër. Administratori i saj, Alfred Kokaj, tha se të ardhurat ranë ndjeshëm nga zhvlerësimi i euros. “Ne i kemi të gjitha kontratat në këtë monedhë dhe kur i këmbejmë ato në lekë për të paguar rrogat dhe taksat kemi shumë humbje. Bëjini llogaritë vetë. Një euro kushton gati pesë lekë më pak se vjet. Të gjithë këto janë humbje”, tha Alfredi. Për të mbrojtur të ardhurat që po humbasin nga kursi, “Famiko Shoes” është duke marrë në konsideratë një eksperiment të rrezikshëm, rritjen e çmimeve për kontraktorët italianë.
Alfredi tha se po bën përpjekje për të negociuar rritje çmimesh, por ky vendim rrezikon të çojë në humbjen e kontraktorëve. Konkurrenca është rritur ndjeshëm dhe Shqipëria ka avantazh kryesor koston e ulët. Por zhvlerësimi i euros dhe rritja e pagës minimale do të krijojë pasoja fatale për fasonerinë shqiptare duke rrezikuar përfundimisht avantazhin e kostove të lira.
Por teksa çmimet e shitjes janë bërë më të lira duke i krijuar humbje fasonit, sektori nuk po përfiton nga kostot më të lira të lëndëve të parave si rezultat i nënçmimit të euros. Ekonomistja e “Albaco Shoes” tha se kompania nuk e blen lëndën e parë. Ajo sillet nga porositësit italianë. Në Shqipëri vetëm sa realizohet qepja.

Euro prish planet për investime të eksportuesve

Sektori i agropërpunimit, i orientuar për eksport, po pëson humbje të dyanshme nga rënia e lirë e euros. Alban Zusi, presidenti i Shoqatës së Eksportuesve, me aktivitet në sektorin e përpunimit të peshkut, tha se ka parë rënie të fitimeve me 20 për qind, vetëm nga ndryshimi i kursit të këmbimit. Duke qenë se të gjitha të ardhurat i realizon në euro dhe nga ana tjetër e gjithë kolona e shpenzimeve është në lekë, Zusi tha se kursi i këmbimit i ka shkaktuar humbje vjetore rreth 60 mijë euro. Kjo është shumë për një eksportues, tha ai. “Kisha planifikuar të investoja në teknologji. Mund të punësoja dy menaxherë të mirë”, por nuk mundem. Zusi tha se industria e përpunimit është bërë gjithnjë e më pak konkurruese për shkak të kostove në rritje. Në tre vitet e fundit, rritja e çmimit të energjisë me mbi 30 për qind, rritja e tatim fitimit dhe dividendit me 50%, formalizimi etj., i kanë rritur kostot e aktivitetit me 15-20%. Bizneset e sektorit gjithnjë e më shumë po punojnë për mbijetesë.
Nga situata e krijuar Zusi tha se për herë të parë që nga fillimi i aktivitetit u ka kërkuar rritje çmimi konktraktorëve. Akumulimi i kostove e bën të pamundur zhvillimit e aktivitetit nëse nuk gjenden zgjidhje. Njëra nga ato është ndryshimi i çmimit, por kjo do të rrezikojë humbjet e partnerëve. “Kërkesën për rritje çmimi e kemi bërë, por ende nuk e dimë reagimin e tyre”, tha Zusi.
Më tej, ai sqaroi se nënçmimi i euros për disa kompani të vogla mund të prodhojë faliment. Gjithashtu disa produkte të agropërpunimit që dalin në tregun shqiptar nga prodhuesit vendas po bëhen gjithnjë e më pak konkurruese pasi euro në rënie i ka bërë çmimet e mallrave të importit më të lira. Disa lloje salcash që prodhohen në vend dhe konserva me produkte të mishit janë vënë në mbijetesë për tregun shqiptar. Artikuj të ngjashëm që vijnë nga importi me 10-20 lekë më lirë, teksa ambienti i biznesit nuk ka qenë favorizues për kostot e prodhimeve vendase.
Në të njëjtën luftë për mbijetesë janë vënë edhe markat vendase të prodhimit të qumështit. Ulja me gati 5% e çmimeve të markave të importit nga nënçmimi i euros i kanë bërë prodhimet shqiptare gjithnjë e më pak konkurruese.
Zusi pohoi se kursi i këmbimit ashtu si në të gjithë botën edhe në Shqipëri ka një lidhje të fortë me ecurinë e eksporteve. Ai tha se disa industri eksportuese kanë lulëzuar pikërisht në momentin që euro u forcua në 140 lekë, që prej vitit 2010. Ai tha se institucionet shqiptare duhet të gjejnë një mënyrë që të ndalojnë zhvlerësimin e euros nga faktorë të brendshëm si një nga mjetet thelbësore të mbrojtjes së eksporteve. Një ekonomi ka zhvillim të qëndrueshëm dhe produktivitet të lartë kur nxit prodhimin dhe eksportet. Për të arritur këtë synim plot vende kanë bërë zhvlerësim të kontrolluar të monedhave kombëtare dhe këtë praktikë duhet të ndjekë edhe Shqipëria, këshilloi Zusi.

Si ekonomia e zezë po dëmton konkurrencën, ku po investohen paratë e paligjshme

Eksportuesit janë të shqetësuar se mbifurnizimi i tregut me euro, që ka çuar në rënien e fortë të euros dhe po i dëmton ndjeshëm ata, po vjen nga ekonomia e paligjshme dhe pikërisht nga tregtimi i hashashit. Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuesve, beson se eurot nga shitja e hashashit e kanë zhvlerësuar monedhën vendase dhe për më tepër po konkurrojnë në mënyrë të pandershme disa linja specifike të industrisë. Monedha vendase tregtohet aktualisht me rreth 135 lekë, nga 138-139 lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke ulur ndjeshëm të ardhurat në lekë të eksportuesve. Por nuk është shqetësimi kryesor vetëm rënia e euros. Bizneset serioze, që me mundim po ecin përpara, si rrjedhojë e rritjes së kostove, konkurrencës dhe frenimit të konsumit, janë të shqetësuar se këto para do të tentohen të investohen në aktivitete të ligjshme, duke konkurruar me çmime të lira. Zusi pohoi se ka sinjale nga prodhues dhe përpunues të lëkurëve, se disa kultivues të hashashit janë u futur në këtë biznes. Për shkak të erës, që ka lëkura, çorienton nuhatjen, ndaj eksporti i këtij produkti përdoret si mbulesë e transportit të hashashit nga Shqipëria drejt vendeve të tjera. Duke mos pasur qëllim kryesor fitimet nga eksporti i lëkurës, kultivuesit e hashashit të futur në këtë biznes nuk e kanë problem ta shesin produktin e lëkurës me çmim shumë të lirë, duke ndikuar në falimentimin e bizneseve serioze. Zusi tha se valuta që po vjen nga hashashi e ka vënë me shpatulla për muri ekonominë serioze. Më së shumti paratë e krimit po investohen kryesisht në hoteleri-turizëm, ku përveç ndërtimeve pa kriter këto lloj investimesh nuk janë një model i mirë për sektorin. Duke qenë se fitimet e tyre, hotelet i kanë vetëm fasadë, bizneset serioze të hotelerisë rrezikojnë të përfshihen në konkurrencë të pandershme. Ekonomia shqiptare vuan nga një nivel i lartë informaliteti, por së fundmi kultivimi masiv i lëndëve narkotike pritet të vështirësojë klimën për bizneset e ligjshme. Zusi tha se me përjashtim të lëkurës (për qëllim trafikimi të produktit të fshehur), paratë e pista nuk preferohen të investohen në biznese të mundimshme ai përpunimi, që nuk kanë kthime të shpejta e të larta, por do të orientohen kryesisht në ndërtim e hoteleri.

Industria në mbijetesë

Lorenc Molishti, sipërmarrës i “Sidney”, një biznesmen me përvojë në sektorin e agropërpunimit, me prodhim vaji, salcash dhe konservime të ndryshme në Qarkun e Beratit tha se humbjet që vijnë nga kursi i këmbimit janë një luks krahasuar me kostot që ka pësuar sektori kohët e fundit. Ai tha se llogaritë tregojnë se në shumë raste kostot që krijon prodhimi në vend kalojnë çmimin fundor.
Ngastrat e vogla me të cilat prodhojnë fermerët, mungesa e teknologjisë, tregu jo i sigurt dhe çmimet e larta të plehrave bëjnë që prodhimet nga fushat e fermerëve shpesh të mos justifikojnë shpenzimet që janë bërë për kultivimin e tyre. Përpunimit të këtyre produkteve në fabrikat vendase i shtohen edhe disa kosto të tjera, që lidhen me taksat e rritura nga qeveria qendrore dhe ajo lokale.
Molishti tha se zinxhiri që realizon prodhimin nga fusha deri te fabrikat e përpunimit nuk funksionon. Gjithashtu përjashtimi nga TVSH i bizneseve të vogla e bën shumë të vështirë operimin në formalitet. Ai tha se aktualisht industria e agropërpunimit është në mbijetesë, jo se nuk punon, por nuk është më fitim. Ai tha se ekonomia shqiptare në këtë stad nuk prodhon biznese fitimprurëse në agropërpunim. Kursi i këmbimit qe goditja finale, porse tani Molishti tha se ka vendosur të diversifikohet në sektorin e turizmit.

Kostot rriten edhe për fermerët

Eksportuesit shqiptarë të prodhimeve bujqësore janë gjithashtu viktima të rënies së euros. Administratori i “Gogo Eksport” pohoi se prej një viti ka pësuar rënie të ndjeshme të fitimeve për shkak të rënies së euros. Të ardhurat janë ulur të paktën me 6 për qind tha eksportuesi i fruta dhe perimeve teksa lajmëroi se, kjo përveçse dëmton biznesin e tij i shtrin efektet negative edhe në fitimet e fermerëve. “Ne jemi të detyruar që këtë sezon të japim çmime më të ulëta për grumbullimet, që do të kemi nga fermerët, në mënyrë që të ruajnë marzhet tona nga lëvizja e euros. Kjo që po ndodh me kursin e këmbimit është një gjë shumë e keqe për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe biznesin e lidhur me të”, tha Gogo në një prononcim për “Monitor”.

Artikulli paraprakMziu inspekton investimet e bashkisë për 2017, 30 projekte do të kryhen në Paskuqan
Artikulli tjetërKLSH: Qeveria 314 milionë euro vjedhje shqiptarëve më 2016