Mohimi i krimeve të diktaturës të jetë vepër penale

Dritan DEMA

Kujtimi i krimeve të kryera nga regjimet totalitare në Shqipëri
Kanë kaluar rreth 26 vjet nga ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, nga një regjim i egër diktatorial, në një sistem politik shumëpartiak. Por, a është shëruar apo çliruar akoma shoqëria shqiptare, nga traumat, torturat dhe tronditjet, e pësuara gjatë viteve të pushtimit nazifashist ’39-’44 dhe më pas izolimit nga regjimi komunist ‘4 -’91?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, po e analizoj në vijim:
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në këto 26 vjet ka miratuar dy rezoluta:
E para, në tetor 2006, Rezoluta: “Për dënimin e krimeve te kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” dhe e dyta, në nëntor 2016,
Rezoluta: “Për dënimin e krimeve te komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.
Këto rezoluta janë për t’u përshëndetur dhe tashme Parlamenti shqiptar duhet të vijojë me veprime konkrete, në realizim të plotë të gjitha pikave, të këtyre rezolutave.

6000 persona të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë citohet:
“Në periudhën 1944-1991, rreth 6.000 persona u ekzekutuan me ose pa urdhër të Gjykatës dhe trupat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjeve të tyre për varrim. Ka edhe raporte të shumta se të burgosur politikë vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqe të tjera. Megjithatë, trupat e tyre janë ende të humbur”.
Në javën e parë të nëntorit 2016, përpara ceremonisë së Lumturimit të 39 Klerikëve Katolikë, Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet Rezolutës që përmenda me lart, do të deklaronte se:
“Vlerëson me mirënjohje të thellë veprën, punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore të klerikëve shqiptarë gjatë regjimit komunist për ruajtjen e besimit fetar dhe të tolerancës fetare, në funksion të ndërtimit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut.
Vlerëson se klerikët që ishin viktimë e krimeve dhe persekutimeve të regjimit komunist, si dhe familjarët e tyre meritojnë rehabilitim, respekt dhe mirëkuptim për vuajtjen e tyre, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj sistemit më të egër diktatorial komunist në Evropën Lindore”.

Por, në fund të muajit nëntor 2016, gjatë një tubimi në Shkodër, qytetari Odise Porodina deklaronte: https://www.youtube.com/ëatch?v=Co7BNAaH2fE
“Nuk e di Ai (duke iu referuar Presidentit të Republikës) së ç’është Postriba, që një grusht kriminelësh erdhën dhe sulmuan Shkodrën, por morën përgjigjen e merituar. Duan tani që krimineleve t’u bëjnë edhe buste. Merr dekoratën dhe ia ven atij kriminelit në qafë, Atij Ballistit”.
Por faktet tregojnë, se banorët e Postribës, Bashkia Shkodër, ishin ndër të parët që u përballën me një terror shtetëror, pas organizimit të një kryengritje kundër pushtetit komunist, nga 6 organizatorë nga kjo zonë dhe më gjerë.
Sipas Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politike në Postribë: “37 persona janë pushkatuar pa gjyq, 67 persona u dënuan me burgim, 37 persona të tjerë janë internuar me forcë dhe janë djegur 19 shtëpi banimi”.
Vrasje, pushkatime pa gjyq, burgosje, internime dhe djegie të shtëpive: janë prova të një krimi shtetëror ndaj shumë personave të pafajshëm, me elementë që mund të konsiderohen: Krime Kundër Njerezimit.
Trajtimi i këtyre çështjeve nga vendet ish-komuniste, tashmë anëtare të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian në dhjetor 2010 ka përgatitur një raport për Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës, me temën e sipërcituar. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.
http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A52010DC0783
Në këtë raport, ndër të tjera, citohet:
“Drejtësia për viktimat është e rëndësishme për tranzicion të suksesshëm nga totalitarizmi në demokraci”.
“Gjykimet e autorëve, mekanizma të kërkimit të së vërtetës, hapjen e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimin dhe kompensimin e viktimave dhe kthimin e pronave të konfiskuara, janë ndër mjetet kryesore për arritjen e këtij objektivi”.

“Katër shtetet anëtare të BE-së kanë legjislacionin kombëtar për mohimin e krimeve të kryera nga regjimet totalitare e cila përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste:
– Në Republikën Çeke, Kodi Penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, e vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist apo komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit.
– Në Poloni, mohimi publik dhe kundërfaktual për krime naziste, krimeve të komunizmit dhe krimeve të tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimeve të luftës është një vepër penale.
– Në Hungari, refuzimin publik, vënia në dyshim ose degradimin e faktit të genocidit dhe krime të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare është një vepër penale.
– Në Lituani, lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimet e kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik) apo Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”.

Ka disa aspekte që po punohet në këtë drejtim, të cilat janë:
o Edukimi dhe ndërgjegjësimi
o Projektet kërkimore
o Simbolet e totalitarizmit
o Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve

Në raport gjithashtu citohet:
“Më 16 qershor 2009 Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme miratoi konkluzionet duke deklaruar se: “Për të forcuar vetëdijen evropiane të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, kujtimi i të kaluarës të trazuar të Evropës duhet të ruhet, pasi pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin”.

o Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve
6000 jetë njerëzore janë marrë, dhe më pas trupat janë zhdukur nga Institucionet e shtetit shqiptar, gjate viteve 1944-1991.
Këta mund të kishin qenë, apo edhe mund të jenë: gjyshërit, baballarët, vëllezërit, motrat, bijtë dhe bijat apo të afërmit e secilit prej nesh.
Në këtë kontekst, në linjë me shtetet e tjera evropiane si: Çekia, Polonia, Hungaria dhe Lituania, një numër shoqatash dhe aktivistësh nga Britania e Madhe, në bashkëpunim me diasporën shqiptare të vendeve të ndryshme dhe grupe të tjera të interesit, iu kemi propozuar dhe kërkuar parlamentarëve shqiptarë, ndryshimin e Kodit Penal, duke parashikuar si vepër penale të veçantë:
“Miratimi, lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim ose përpjekja për të justifikuar krimet fashiste, naziste dhe komuniste, degradimi i faktit të genocidit dhe krime të tjera kundër njerëzimit nga regjimet totalitare, përbën vepër penale”.
Kjo iniciativë është mbështetur fuqimisht edhe nga drejtuesit e partive politike shqiptare në Britani, Z. Lavdrim Krashi – Përfaqësues Politik i Partisë Socialiste në Londër MB) dhe Z. Naim Hasani – Kryetar i Partisë Demokratike, në Londër, MB.
Duke e përfunduar, të vetëdijshëm për rolin dhe përgjegjësinë që kemi, ju bëjmë apel mbarë diasporës shqiptare dhe të gjitha grupeve të tjera të interesit në Shqipëri, t’i drejtohen me një shkresë elektronike parlamentarëve shqiptarë të Qarkut të tyre, duke ju kërkuar ndryshimin e sipërcituar në legjislacionin penal shqiptar.
Me këtë iniciativë në synojmë të shërbejmë si një katalizator, për ndërtimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës, duke garantuar Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, mbrojtjen e dinjitet dhe të personalitetit njerëzor, pajtimin, harmoninë shoqërore, në shërbim të aspiratës tonë për identitet dhe bashkim kombëtar.

*Anëtar i Bordit Drejtues të MEAF
Fondacionit të Shqiptarëve Etnike në Midlands.
www.meaf.org.uk
Email: [email protected]

Artikulli paraprakEksodi i mjekëve shqiptarë po boshatis dhe mbyll spitalet
Artikulli tjetërAmbasadorja fshehu 40 faqe raport të krimit