Edhe në Shqipëri, Banka Veneto bëhet pjesë e Intesa

Banka e Shqipërisë ka njoftuar se vendimet e marra në fundjavë nga Banka e Italisë dhe qeveria e Republikës së Italisë, kanë sjellë ristrukturim të plotë të veprimtarisë së grupit bankar “Veneto Banca”. Pjesa më e mirë e veprimtarisë së këtij grupi, ku përfshihen edhe filialet e tij në Shqipëri dhe në disa vende të tjera, i kanë kaluar Bankës Intesa Sanpaolo, grupi më i madh bankar në Itali. Kjo është e konfirmuar edhe në njoftimin për shtyp të grupit bankar Intesa Sanpaolo të datës 26 qershor 2017.
Për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që “Banka Veneto sh.a”, deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar “Veneto Banca”, tani do të zotërohet nga grupi bankar “Intesa Sanpaolo” dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.
Në këtë proces, krahas mbikëqyrjes nga afër, Banka e Shqipërisë do të ushtrojë kompetencat që i njeh ligji dhe kuadri rregullativ për rastin e ndryshimit të aksionerit të një banke, përfundon njoftimi i Bankës së Shqipërisë.

Kalimi i bankave Veneto te Intesa

Duke filluar nga dita e hënë i gjithë rrjeti i dy bankave italiane, Popolare Vicenza e Veneto Banca (klientë, depozita, letra me vlerë,…) u transferua formalisht tek Intesa Sanpaolo, duke siguruar në këtë mënyrë vazhdimësi të plotë të të gjithë marrëdhënieve të klientëve.
Të dielën Këshilli italian i Ministrave miratoi dekretin, sipas të cilës banka do të marrë nga shteti 5.2 miliardë euro: 4.8 miliardë euro do të shërbejnë për të ruajtur normën e kapitalit bazë të Intesa Sanpaolo (12,8%) dhe 400 milionë euro për garanci. Kryeministri italian Paolo Gentiloni, në një konferencë për shtyp ka bërë publik dekretin, i cili i hap rrugë likuidimit të Popolare di Vicenza e Veneto Banca dhe kalimin e pjesëve të mira te Banka Intesa.
Kriza e bankave të rajonit të Veneto daton para krizës ekonomike dhe “ka arritur nivele që panë të nevojshme një paketë shpëtimi për të shmangur rreziqet e një dështimi të çrregullt”, shpjegoi Gentiloni. Nga sistemi ynë bankar, “Intesa San Paolo Group, i cili po merr këto banka veneciane, është një nga asetet më të  vlefshme”, tha Kryeministri.
Edhe Intesa njoftoi zyrtarisht kalimin e bankave Veneto në administrim të saj.

Bankat në Shqipëri

Intesa San Paolo dhe Veneto Banka kanë të dyja filiale në Shqipëri.
Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund të vitit 2016 totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliardë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave apo rreth 11% të totalit të sistemit. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri, Intesa Sanpaolo është nga më të shëndetshmet dhe më fitimprurëset e sistemit bankar shqiptar. Në vitin 2017, filiali i Shqipërisë raportoi një fitim prej rreth 17 milionë eurosh.
Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditet e 12-a, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.

Artikulli paraprakGrezda prezantohet te Osijek
Artikulli tjetërKili në finale, Ronaldo në shtëpi