Grezda prezantohet te Osijek

Eros Grezda karikon skuadrën e tij të re Osijek për aventurën europiane. Transferimi ishte kryer që para një muaji, madje Grezda ishte bashkuar me skuadrën gjatë përgatitjeve në Slloveni, por Osijek vendosi ta prezantonte zyrtarisht mesfushorin e kombëtares shqiptare vetëm para nisjes së aventurës europiane, ku Osijek, që këtë sezon do të luajë në kualifikueset e Europa League, përballet në raundin e parë me klubin nga Andorra Santa Coloma. Grezda, që në fakt nuk ka shumë nevojë për prezantim për fansat e Osijek falë aventurës së tij në Kroaci ku dy vitet e fundit luajti me Lokomotivën e Zagrebit, skuadër madje me të cilën i ka shënuar Osijek, u prezantua bashkë me përforcimet e tjera, Nikola Jambor dhe portierin Marijan Antolovic, ndërsa foli me entuziazëm për aventurën e tij të re që nis pikërisht nga sfida europiane me Santa Coloma.
“Jam shumë i lumtur që transferohem te Osijek pasi ky është një hap i madh përpara në karrierën time. Skuadra është e mirë dhe e di që mund të shpërthej këtu. Mund të luaj si në krahun e majtë edhe të djathtë e rëndësishme është të jem në formacion. Santa Coloma? Ne nuk duhet t’i nënvlerësojmë për faktin se është një skuadër nga Andorra. Duhet të jemi seriozë në maksimum dhe atëherë nuk do të kemi probleme. Natyrisht që jemi favoritë. Kemi punuar fort, veçanërisht unë që jam bashkuar pak më vonë me shokët e skuadrës. Nuk shikoj ndonjë problem në faktin që praktikisht nuk kam patur pushim mes dy sezoneve. Jam gati për këtë aventurë të re”, tha ai.
Osijek ndodhet aktualisht në Andorra ku Grezda pritet që të luajë ndeshjen e tij të parë me skuadrën e tij të re, pikërisht këtë të enjte përballë Santa Coloma-s.

Artikulli paraprakRamën e ndëshkuan me votë 78% e shqiptarëve
Artikulli tjetërEdhe në Shqipëri, Banka Veneto bëhet pjesë e Intesa