Dy koncesione të reja, një HEC në Lushnjë dhe një në Dibër

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka vijuar procedurat për dhënien e koncesioneve të hidrocentraleve. Listës së gjatë dhe intensive këtyre muajve të fundit, i janë shtuar edhe dy projekte të tjera për të cilat gara është e hapur dhe pret ofertuesit e radhës.
Bëhet fjalë për një hidrocentral në Lushnjë dhe një tjetër në Qarkun e Dibrës. Hidrocentrali i parë është ai i Lusës që pritet të ndërtohet mbi përroin që mban të njëjtin emër dhe që është degë në pjesën e sipërme të lumit Mat.
“Pellgu ujëmbledhës i Lusës ndodhet në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Mat dhe pjesa e shfrytëzimit përfshin nga pika e burimit deri në kuotën 500 metra mbi nivelin e detit. Listës së hidrocentraleve i shtohet edhe ai i Thanës. Ky hidrocentral është i tipit pranë digës dhe përdor për prodhimin e energjisë elektrike ujërat e rezervuarit të Thanës, tashmë të ndërtuar dhe të vënë në shfrytëzim prej shumë vitesh. Ky rezervuar, nga ana e tij për t’u mbushur dhe për t’u ushqyer me ujë, shfrytëzon ujërat e lumit Devoll”, thuhet në dokumentin e ministrisë.
Të dy këto hidrocentrale do të jenë të formës partneritet publik privat me të drejtë shfrytëzimi për 35 vjet dhe pjesën më të madhe të vlerësimit me pikë e merr fuqia e instaluar që do të propozohet. Ofertat duhet të paraqiten brenda datës 17 korrik.

Artikulli paraprakRusia: Al Bagdadi mund të jetë vrarë
Artikulli tjetërPS keqpërdorim të të dhënave personale për zgjedhjet