Rusia: Al Bagdadi mund të jetë vrarë

Ushtria ruse njoftoi të premten se mund të ketë vrarë udhëheqësin e grupit terrorist të Shtetit Islamik, në një nga sulmet ajrore në Siri rreth fundit të muajit maj, që kishte si objektiv komandantët e IS-it.
Por analistët e shërbimeve të zbulimit janë shumë skeptikë mbi njoftimet se kreu i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi mund të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror muajin e kaluar. Edhe zëdhënësi i operacioneve amerikane kundër IS-it kolonel Ryan Dillon, tha se Shtetet e Bashkuara “ende nuk mund ta konfirmojnë lajmin”.
Në një deklaratë në Facebook të Ministrisë ruse të Mbrojtjes thuhet se, sulmi ajror pranë Rakës, kryeqytetit “de facto” të Shtetit Islamik, ndodhi gjatë një takimi ku merrte pjesë udhëheqësi i IS-it, Abu Bakr al-Bagdadi.
Rusia pretendon se gjatë sulmit u vranë komandantë të lartë, 30 komandantë të forcave në terren, si dhe rreth 300 militantë që shërbenin si roje personale të tyre. Ushtria ruse njoftoi se po e konfirmon vrasjen e al-Bagdadit përmes “kanaleve të ndryshme”.

Artikulli paraprakEuropol: Xhihadistët po rekrutojnë të rinj dhe gra
Artikulli tjetërDy koncesione të reja, një HEC në Lushnjë dhe një në Dibër