Dy aksidente në Tiranë, një i vdekur e një i plagosur rëndë

Dy aksidente kanë ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, ku si pasojë një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë. Aksidenti i parë me pasojë vdekjen ka ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë rreth orës 10:35 në afërsi të mbikalimit të Kasharit. Burime nga Policia e Tiranës bënë me dije se, drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz”, shtetasi I.N., ka aksidentuar një punëtor të mirëmbajtjes së rrugëve, ende i paidentifikuar, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme. Sakaq, po kryhen veprimet për identifikimin e viktimës si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, një person është plagosur pas një aksidenti të rëndë që ka ndodhur paraditen e djeshme në zonën e quajtur “Pallati me Shigjeta”. Ngjarja ka ndodhur poshtë mbikalimit që është në ndërtim e sipër, tek kryqëzimi i Rrugës së “Kavajës” me Unazën e Re.
Nga të dhënat paraprake, raportohet se automjeti që u përfshi në aksident ka qenë me targa të huaja, ndërsa nuk dihet ende identiteti i kalimtarit të plagosur. Aktualisht, policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Vritet në aksident në Itali 45-vjeçarja shqiptare

Një grua shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në Itali. 45-vjeçarja me iniciale D.B., nënë e 3 fëmijëve është goditur për vdekje nga një automjet, i cili drejtohej nga një shtetas italian i moshuar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:30 në zonën e Ponsacco, në Pisa. Shtetësja shqiptare kishte vite që jetonte në Itali.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia, zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë, por të gjitha tentativat e tyre për të shpëtuar gruan kanë qenë të kota. Zjarrfikësit e kanë ngritur automjetin me disa jastëkë me ajër, për të shpëtuar gruan që ndodhej poshtë tij, ndërsa personeli mjekësor përpiqej ta mbante në jetë. Por çdo gjë ka qenë e kotë, 45-vjeçarja me inicialet D.B. ka humbur jetën.
Nuk dihet ende dinamika e aksidentit, nëse gruaja po kalonte rrugën apo është marrë përpara nga makina, ndërsa ndodhej në trotuar. Hetimet do të zbulojnë shkaqet. Ndërkohë që policia ka shoqëruar në komisariat të moshuarin, emri i të cilit nuk bëhet publik.
Mediat italiane kanë dhënë detaje mbi aksidentin e ndodhur në mbrëmjen e së hënës në qytezën e Ponsacco në Pisa, ku humbi jetën një 45-vjeçare shqiptare. Shqiptarja, nënë e tre fëmijëve, është identifikuar si Diana Brahimi dhe punonte si estetiste. Ajo si çdo ditë ishte duke ecur në trotuar, duke u kthyer nga puna. Ishte ora 19:30, kur Diana është goditur për vdekje nga një makinë e cila drejtohej nga një 90-vjeçar italian.

Artikulli paraprak45 milionë USD tendera për 11 miq
Artikulli tjetërPlagoset me thikë nxënësi në Lushnjë