Dorëzohen Barça dhe Reali

Tregu aziatik ka filluar të bëhet gjithnjë e më ndikues në ekonominë e klubeve europiane dhe jo vetëm falë investitorëve të shumtë që kanë marrë kontrollin e tyre. Kompanitë televizive në Azi paguajnë miliarda euro çdo vit për të transmetuar ndeshjet e klubeve më të njohura, aq sa tanimë kanë në dorë edhe oraret e takimeve më të rëndësishme.
Një prej tyre është edhe ajo që cilësohet si një nga ndeshjet më spektakolare në Europë, “El Clasico” në Spanjë mes Barcelonës dhe Real Madridit. Teorikisht, kjo ndeshje duhet të luhet në darkë, por pas kërkesave të shumta nga Kina, një prej tregjeve në lulëzim, është vendosur që orari të zhvendoset gjatë pasdites.
Liga e Futbollit në Spanjë ka bërë të ditur dje se “El Clasico” i radhës, i vlefshëm për javën e 14 të kampionatit, do të luhet të shtunën më 3 dhjetor, në “Kamp Nou”, në orën 16:15. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të përmbushur kërkesat nga kompanitë kineze të transmetimit, të cilët në këtë mënyrë do t’u ofrojnë ndjekësve të tyre të shumtë ndeshjen në orën 23:15 lokale.

Artikulli paraprakPresidenti: Po rikthehen simbolet e diktaturës
Artikulli tjetërBartomeu: Messi më i miri, pas 2 muajsh rinovimi