Donald Tusk për vizitë në Maqedoni

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, qëndroi dje për një vizitë disaorëshe në Shkup, ku u takua me presidentin Gjorge Ivanov.
Nga kabineti i presidentit maqedonas bënë të ditur se Ivanov dhe Tusk patën një takim 30-minutësh, ndërsa më pas edhe një takim mes dy delegacioneve për temat aktuale.
Sipas paralajmërimeve, në këto takime do të bisedohet për krizën e migrantëve dhe rolin e Maqedonisë në përballje me sfidat, por edhe për krizën aktuale politike.
Tani për tani nuk ka njoftime nëse Tusk do të kërkojë nga presidenti Ivanov që të mandatojë për kryeministër liderin social-demokrat, Zoran Zaev, si hap drejt zgjidhjes së krizës qeveritare.
Lidhur me vizitën e kreut të Këshillit Evropian u prononcua kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, duke shpresuar se gjatë kësaj vizite do të ketë presione të reja ndaj presidentit.
“Besoj se mesazhet e tij do të jenë në frymën e njëjtë të asaj që kemi dëgjuar nga e gjithë bota demokratike, gjatë këtyre ditëve dhe muajve të kaluar, e që kanë të bëjnë me transferimin e shpejtë të pushtetit, ndryshimin e pushtetit, respektimin e Kushtetutës dhe të shumicës parlamentare”, tha lideri i opozitës, Zaev.

Artikulli paraprakÇmendet Mario Gomez me 3 gola
Artikulli tjetërMbrojtja në hapësirën kibernetike