Çmendet Mario Gomez me 3 gola

Ndeshje triller në “Baye Arena” mes Bayer Leverkusenit dhe Wolfsborgut, ku protagonist kryesor i kësaj sfidë ishte Mario Gomez, që realizoi një tregolësh brenda 7 minutave lojë, por që nuk u mjaftoi “ujqve” të merrnin pikët e plota në këtë transfetë. 3-3 u mbyll kjo ndeshje e çmendur, me katër gola që u realizuan në 9 minutat e fundit.
Aranguiz dha një kros perfekt për Bellarabin në minutën e 40-të, me vendasit që shkuan në dhomat e zhveshjes në avantazh të një goli. 20 minuta nga starti i pjesës së dytë Volland në shtyllën e dytë realizoi një gol të thjeshtë, që ishte i dyti për vendasit.
E pabesueshmja nisi në të 80-ën kur Mario Gomez shkurtoi në 2-1 diferncën me një goditje të saktë me kokë, që nxorri jashtë loje portierin. Vetëm 3 minuta më pas, sulmuesi veteran shfrytëzoi sërish armën e tij më të fortë, lojën ajrore, për golin e barazimit.
Në të 87-ën 31-vjeçari u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, por nuk ishte e thënë që Wolfsburgu të merrte fitoren aq shumë të dëshuruar për objektivin mbijetesë, pasi Havertz në të 89-ën shmangu humbjen e Leverkusenit.
Fitore shprese e Ingolshtadit në shtëpi me Mainzin. 2-1 përfundoi ky takim, që u zhbllokua që në minutën e 1-rë nga Bregerie. Oztunali në të 70-ën ktheu përkohësisht ekulibrat në rezultat, sepse shqiptari Hadërgjonaj i dha fitoren Ingolshtadit me një një goditje kros që përfundoi direkt e në rrjetë.
Ndërprerja për ndeshjet e kombëtareve nuk ka ulur ritmin e Bajern Mynihut. Bavarezët kanë regjistruar sot fitoren e radhës me një sukses të thellë 6-0 ndaj Augsburgut, duke ecur të pashqetësuar drejt titullit të radhës. Lewandowski me 3 gola dhe Myler me 2 ishin protagonistët kryesorë të kësaj ndeshjeje që i shërbeu ekipit të Ançelotit që të mbante në 13 pikë diferencën ndaj Lajpcigut ndjekës, i cili arriti ndërkohë një fitore të thellë 4-0 ndaj Darmshtadit.
Për t’u theksuar është kthimi në fushë i Mërgim Mavrajt me skuadrën e Hamburgut, që regjistroi një fitore shumë të rëndësishme 2-1 pikërisht ndaj ish-skuadrës së mbrojtësit shqiptar, Këlnit. Me 10 pikë në 4 ndeshjet e fundit, Hamburgu duket në rrugën e duhur për të mbijetuar në elitën e futbollit gjerman.

Artikulli paraprak150 milionë euro
Artikulli tjetërDonald Tusk për vizitë në Maqedoni