Diego Costa drejt Kinës

Me 19 gola në këtë sezon të Premier League, Diego Costa është golashënuesi më i mirë i Chelsit dhe po udhëheq, Blutë e Londrës drejt fitimit të titullit kampion në Angli. Por ky që është drejt fundit me shumë gjasa do të jetë edhe sezoni i fundit i sulmuesit të kombëtares spanjolle me skuadrën e Antonio Contes. U përfol edhe në janar për një largim të Diego Costës nga Chelsi drejt kampionatit kinez, por ajo që nuk u realizua me sukses në dimër pritet të zyrtarizohet në verë.
Mediat spanjolle zbulojnë se bomberi 28-vjeçar ka firmosur një parakontratë me skuadrën e Tianjin Quanjian në kampionat kinez dhe në merkaton e ardhshme do t’i bashkohet ekipit që drejtohet nga ish-mbrojtësi i kombëtares italiane Fabio Cannavaro. Diego Costa nga marrëveshja e re që do ta çojë atë në Kinë do të përfitojë plot 30 milionë euro në sezon, ndërsa Chelsea nga shitja e sulmuesit me origjinë braziliane do të përfitojë rreth 90 milionë euro, një shifër e konsiderueshme kjo për një lojtar 28-vjeçar. Te Tianjin Quanjian, Diego Costa do të luajë përkrah, brazilianit Alexandre Pato dhe mesfushorit belg Axel Witsel, të cilët zgjodhën ta vazhdojnë karrierën pikërisht në Lindjen e Largët.

Artikulli paraprakDhomat Bilaterale e huaja të Tregtisë: Biznesi në Shqipëri nuk ka siguri
Artikulli tjetërFeyenoord, Vilhena firmos deri më 2020