Dhoma Amerikane: Po favorizohen me super pushtet persona të caktuar

Pas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është Dhoma Amerikane që ka reaguar ndaj projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të ekspertit fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, një nismë e deputetit të Kuvendit, z. Gjovalin Kadeli dhe që pritet të diskutohet këto ditë në Komisionin e Ekonomisë.
Drafti parashikon krijimin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë (IEF), një organizëm që grupon të gjithë ekspertët fiskalë persona fizikë dhe të gjitha shoqëritë e ekspertëve fiskalë të regjistruara në Regjistrin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë të Shqipërisë.
Projektligji i jep kontroll mbi profesionin e këshilltarit tatimor dhe autoritet të plotë një OJF të vetme, pikërisht Institutit të Ekspertëve Fiskalë.
Në një letër, që Dhoma Amerikane i ka nisur Komisionit të Ekonomisë, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe atij të Drejtësisë, Petrit Vasili, ka paraqitur disa problematika të ngritura nga anëtarët e saj, të cilat janë biznese të regjistruara në fushën e konsulencës, përfshirë zyra avokatore, auditues ligjorë dhe kontabilistë të miratuar, në lidhje me këtë projekligj. Së pari, ata kanë paraqitur shqetësimin për mungesën totale të konsultimit publik, pasi projektligji do të duhej të diskutohej jo vetëm me bizneset në përgjithësi, por edhe me Dhomën Kombëtare të Avokatëve, IEKA (Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar), IKM (Instituti i Kontabilistëve të Miratuar), SHKFSH (Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë), Këshillin Tatimor pranë Ministrisë së Financave dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në draftimin dhe implementimin e legjislacionit tatimor.
Dhoma shton se mungesa e konsultimit publik është një element i mjaftueshëm për Komisionin që të refuzojë miratimin e këtij projektligji dhe i kërkon Komisionit të mos e miratojë këtë projektligj.
Dhoma thekson se relacioni, që shoqëron projektligjin nuk paraqitet asnjë analizë, studim apo dhe thjesht problematikat që mund të jenë shfaqur që të ketë krijuar nevojën për rregullimin e këtij profesioni në Shqipëri.
Problematika më e rëndësishme, thekson Dhoma, është kufizimi i shërbimeve të përcaktuara në projektligj vetëm për ekspertët fiskalë, duke përjashtuar profesionistët e tjerë që aktualisht i kryejnë këto shërbime.
Dhoma kundërshton si ekskluzivitetin, ashtu edhe numrin e gjerë të shërbimeve që përcaktohet në projektligj.
Drafti ka dhe mbivendosje me aktivitetin e ushtruar nga avokatët përsa i takon përfaqësimit në gjyq të klientëve, si dhe ofrimi i shërbimeve të konsulencës fiskale.
Ka dhe mbivendosja me shërbimet e konsulencës fiskale të ofruara nga auditues ligjorë dhe kontabilistë të miratuar.
Rezulton se shërbimet që do të ofrohen nga ekspertë fiskalë aktualisht ofrohen nga auditues ligjorë (sigurisht sa kohë auditori nuk gjendet në konflikt interesi), si dhe nga kontabilistë të miratuar.
Dhoma thotë se të dy këto profesione të rregulluar duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë këto shërbime pa patur nevojë që të licencohen si ekspertë fiskalë, pasi profesionet e tyre janë të rregulluara me ligj dhe janë të mbikëqyrur nga institucione që ofrojnë sigurinë maksimale për shërbimet e ofruara.
Këshillimet në fushën fiskale duhet të vazhdojnë të jepen edhe nga audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar, pa patur nevojë për një licencë si ekspert fiskal, rekomandon Dhoma.
Dhoma thekson se nenit 32 të projektligjit “Ekspertët fiskalë që kanë fituar titullin e ‘ekspertit fiskal’ nuk i nënshtrohen kritereve të regjistrimit dhe ushtrimit të profesionit të parashikuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore. Ata automatikisht e kanë fituar titullin e ‘Ekspertit Fiskal’ dhe regjistrohen si të tillë në regjistrin e ekspertëve fiskalë”. Çfarë do të thotë një dispozitë e tillë, përveçse që aktualisht paska “ekspertë fiskalë” të licencuar (ende pa u miratuar një ligj për këtë licencim) dhe këta ekspertë konsiderohen automatikisht “ekspertë fiskalë” sipas ligjit të ri.
Përveçse është një dispozitë antikushtetuese, favorizuese për persona të caktuar, ajo tregon qartë se ka një përpjekje nga një apo më shumë persona për t’u licencuar që në ditën e parë të miratimit të ligjit, duke përfituar kështu benefite të padrejta kundrejt profesionistëve të tjerë që do të duhet të përmbushin kushtet tejet strikte të parashikuara në projektligj, thotë Dhoma.
Deri më tani nuk kemi dijeni se cilët janë “ekspertët fiskalë që kanë fituar automatikisht titullin e ekspertit fiskal” përpara miratimit të këtij ligji dhe si justifikohet ky propozim.
Dhoma thotë se rregullimi i ngushtë i profesionit të ekspertit fiskal në legjislacion do të rezultojë në rritje të kostove për ata që kanë më pak mundësi për të paguar. Ai do të pengojë konkurrencën dhe do t’i drejtojë tatimpaguesit tek alternativa më të kushtueshme.

Reduktimi i konkurrencës në treg

Nuk ka asnjë arsye bindëse ekonomike në favor të reduktimit të konkurrencës në treg, reduktim i cili bëhet i mundur me këtë projektligj.
Sipas Dhomës, projektligji i jep kontroll mbi profesionin e këshilltarit tatimor dhe autoritet të plotë një OJF të vetme të quajtur Instituti i Ekspertëve Fiskalë.
Roli i kësaj organizate, sipas projektligjit tejkalon kompetencat e çdo lloj organizate profesionale, duke i dhënë të drejtat ekskluzive mbi (i) anëtarësimin e të gjithë profesionistëve, (ii) hartimin e provimeve të pranimit dhe programeve të kualifikimit të vijueshëm profesional, (iii) hartimin e rregulloreve të kontrollit të cilësisë, (iv) investigimin dhe monitorimin e disiplinës profesionale dhe (v) marrjen e masave disiplinore. Këto të drejta të gjitha bashkë nuk i ka as bordi i Mbikëqyrjes Publike, i cili rregullon auditimin ligjor dhe as IEKA – organizata e EKR, madje as të dyja bashkë këto organe nuk i gëzojnë këto të drejta në fushën e tyre. Pasi nuk mundet që një organ, kushdo qoftë, të kryejë si funksionin legjislativ, atë ekzekutiv edhe gjyqësor. Në qoftë se i referohemi modelit gjerman të rregullimit të profesionit të këshilltarit tatimor, i cili është modeli me sistem më të fortë rregullator, të drejtat e mësipërme i kanë kryesisht organet shtetërore dhe organizatat e ekspertëve fiskalë kanë një rol dytësor në rregullimin e profesionit të këshilluesit tatimor.

Artikulli paraprakShoqatat e biznesit: Energjia po supertarifohet, operatorët po lundrojnë në para
Artikulli tjetërLicencimi i dyshimtë i bankës ku u emërua drejtore Linda Rama