Shoqatat e biznesit: Energjia po supertarifohet, operatorët po lundrojnë në para

Grupi i interesit, i përbërë nga Dhomat e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit të listuara (Aneksi A), i kanë drejtuar një kërkesë Entit Rregullator të Energjisë (ERE), ku pasi i parashtrojnë të dhënat mbi performancën e mirë financiare të tri operatorëve energjetikë, kërkojnë që tarifat e energjisë të ulen, pasi sipas atyre ato janë tepër të larta, sidomos për biznesin. Në shkresë argumentohet se fitimet e tri operatorëve të energjisë (KESH, OST, OSHEE) janë tepër të larta dhe vijnë kryesisht nga tarifat e larta dhe sidomos diferenca e tarifave mes operatorëve. Diferencat ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave variojnë nga 0.6 deri në 9 lekë për kwh. Sipas shkresës, këto diferenca të paarsyeshme dëshmojnë qartë se, me vendimet e fundit të ERE, tre operatorët e mëdhenj (sidomos OSHEE) mund të “lundrojnë” në para, me norma fitimi të panjohura nga sektorët e tjerë, gjithnjë në kurriz të bizneseve. Më të dëmtuarit nga çmimet janë konsumatorët e niveleve të tensioneve 35, 20–6, 0.4 kw, që do të thotë të gjitha kategoritë e bizneseve, përveç furrave të bukës. Shoqatat dhe Dhomat kanë argumentuar në shkresën dërguar ERE, që është krejtësisht e padrejtë që bizneset operuese në Shqipëri ta paguajnë kaq shtrenjtë energjinë elektrike. Tarifat e larta, si dhe diferencat e mëdha të totalit të tyre me çmimet (Aneksi D) vërtetojnë qartësisht se, duke i reduktuar ato, çmimi i energjisë elektrike ka pasur dhe ka një mundësi të vetme, atë të uljes ndjeshëm të tij.

Argumentet e biznesit

Premisë. Pas shqyrtimit të aplikimeve të tri operatorëve të mëdhenj të tregut tonë energjetik, përkatësisht KESH, OST dhe OSHEE, si dhe të objektivave të tyre financiare, konstatojmë që ERE me vendimet e saj ka miratuar që për vitin 2016: KESH të shiste energji me tarifën 1.45 lekë/kwh, për të siguruar të ardhura vjetore 2,150,320,000 lekë dhe një fitim 988,653,333 lekë me normë 46%. OST të transmetonte energji me tarifën 0.65 lekë/kwh, për të siguruar të ardhura vjetore 5,545,481,300 lekë dhe një fitim 1,920,648,000 lekë me normë 34.6%. OSHEE të shpërndante energji me tarifën mesatare 4.75 lekë/kwh, për të siguruar të ardhura vjetore 50,437,992,000 lekë dhe një fitim 9,732,982,667 lekë me normë 19.2%. Kjo performancë e shkëlqyer e tri operatorëve, e pasqyruar nga bilancet e tyre të mbyllura për vitin 2016 (Anekset B dhe C) mbetet e panjohur për të gjithë të interesuarit, sepse tarifat e miratuara nga ERE realizojnë vetëm 40% të të ardhurave. Janë diferencat ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave (të vendosura përsëri nga ERE), që plotësojnë pjesën tjetër prej 60%. Prandaj, duhej që ERE të njoftonte publikun edhe për këtë pasojë me shumë peshë të vendimit të saj për çmimet! Vlen të përmendim këtu që performanca financiare e tri operatorëve nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë, sepse prodhimi vendas dhe importi i saj mbeten pothuaj në të njëjtat shifra si më parë. Më tej, vendimi Nr. 190, datë 22.12.2016 i ERE jo vetëm që i ka lënë të pandryshuara tarifat, por për periudhën 1 janar–31 mars 2017 i ka rënduar edhe më shumë pagesat për energjinë me çmime të reja tepër të larta. Diferencat ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave variojnë nga 0.6 deri në 9 lekë për kwh. Këto diferenca të paarsyeshme dëshmojnë qartë se me vendimet e fundit të ERE, tre operatorët e mëdhenj (sidomos OSHEE) mund të “lundrojnë” në para, me norma fitimi të panjohura nga sektorët e tjerë, gjithnjë në kurriz të bizneseve. Vërtet, më të dëmtuarit nga çmimet janë konsumatorët e niveleve të tensioneve 35, 20–6, 0.4 kw, që do të thotë të gjitha kategoritë e bizneseve, përveç furrave të bukës (Aneksi D). Ndërkaq, sipas metodologjisë së miratuar nga ERE, tarifat e aplikuara nga të tre operatorët përfshijnë jo vetëm kostot operative dhe amortizimin e investimeve, por edhe vetë fitimin, si dhe tatimin mbi fitimin, në kundërshtim me ligjin për kontabilitetin. Po ashtu, performanca financiare e të tri operatorëve në dy vitet e fundit i rendit ato ndër 10 kompanitë me të ardhura dhe fitime më të larta në vendin tonë. Kjo performancë mund të shërbejë si një argument mjaft bindës edhe për rinegocimin e borxheve ndaj kreditorëve të tyre dhe jo të nxitohet për shlyerjen e tyre në kohë rekord. Një shqyrtim tërësor i tarifave dhe i çmimeve (Aneksi D) nxjerr në pah ndërsubvencionimin ndërmjet kategorive të konsumatorëve, në kundërshtim të hapur me nenin 19 të Ligjit bazik 43/2015. Të gjithë konsumatorët e tensioneve 35, 20-6, 0.4 kw, pra bizneset, OJF-të, institucionet publike dhe jo publike e paguajnë energjinë me çmim më të lartë se familjet. Duket sikur ERE u thotë këtyre kategorive: “Meqë ju punësoni pjesëtarët e gjithë familjeve, duhet të paguani edhe një pjesë të faturave të tyre për energjinë”! Por, sigurisht, shtrenjtësia e energjisë elektrike në vendin tonë shkaktohet nga diferencat e mëdha ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave. Këto diferenca do të përcaktonin tarifën për FSHU, ndryshe të ardhura të tjera akoma më të mëdha për OSHE, që e ka pjesë të saj. Kështu, pasi energjia është prodhuar apo importuar, transmetuar dhe shpërndarë deri tek konsumatori, ERE ka vendosur që vetëm për dërgimin e faturës, mbledhjen e pagesave dhe “borxhin e keq”, konsumatorët të ngarkohen me  0.6 deri në 9.1 lekë/kwh. Kjo supertarifë është krejt e panevojshme, sepse nuk justifikohet me kostot e sistemit të pagesave, ndërkohë që “borxhi i keq”, detyrë e FSHU për ta shlyer, ka zbritur në 6% të totalit të vlerës së faturuar (sipas raportit të vetë OSHEE).

Artikulli paraprakBE: Shqipëria, e fundit në rajon për shkencën dhe teknologjinë
Artikulli tjetërDhoma Amerikane: Po favorizohen me super pushtet persona të caktuar