Dhoma amerikane denoncon: Draft buxheti, antikushtetues

Dhoma Amerikane e Tregtisë, në cilën janë të anëtarësuar të gjithë bizneset kryesore të vendit, ka bërë publike komentet e saj për paketën fiskale 2018 në Ministrinë e Financave, bën të ditur Revista” Monitor”.
Përveç komenteve teknike dhe mendimeve për mundësi ekonomike, si ajo e mungesës së stimujve realë për biznesin, ekspertët dhe anëtarët e Dhomës, kanë denoncuar metodën e papranueshme, dhe sipas tyre në kundërshti me normat kushtetuese, me të cilat qeveria ka vendosur të menaxhojë ndryshimet fiskale të lidhura me buxhetin, pra ato ligje të zbatueshme që ndryshojnë kriteret e taksimit dhe shpenzimeve për të arritur parashikimet e rritjes ekonomike.
Pa hyrë në teknicizma të ndërlikuara, koncepti është që qeveria, ka parashikuar në projekt vendimin e buxhetit të delegojë me një VKM të mëvonshme përcaktimin e shumë ndryshimeve në sistemin fiskal, si përcaktimin e “kritereve , kushteve dhe proceduarave për zbatim”, pa përcaktuar qartësisht principet që duhet të ndjekë qeveria në përgatitjen e një dekreti të tillë.
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë një interpretim i saktë i Kushtetutës thotë se niveli i taksimit duhet të përcaktohet qartë në ligj.
Ndërsa në projektligjin e buxhetit 2018 parashikohet një delegim tek qeveria për të përcaktuar kufirin e zbatueshmërisë së TVSH-së dhe heqjen nga taksat të kategorive të caktuara ose për përcaktimin e subjekteve që mund të përfitojnë nga ulja me 5 për qind e taksës mbi të ardhurat mbi aktivitetin e prodhimit të software-ve.
Në fakt sipas nenit 155 të Kushtetutës “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj”, pra jo me një VKM.
Parashikimi i ndryshimeve thelbësore në sistemin e taksimit përmes një dekreti, në rast të një padie të pranuar nga Gjykata Kushtetuese, mund të ngjallë kaos në financat publike, duke krijuar hapësira të paqarta në zbatim, pra në pagesat ndaj shtetit.
Një sistem ekonomik ka nevojë për ligje të qarta, të zbatueshme në mënyrë koherente, dhe të qëndrueshme në kohë, ndërsa qeveria Rama gjatë legjislaturës së saj ka ndryshuar shumë herë sistemin fiskal, ndonjëherë në valën e nevojave urgjente të kasës dhe herë të tjera nën valën e protestave të gjeneruara nga ligjet e dobëta, duke shkaktuar një klimë paqartësie që në të vërtetë krijon më shumë dëm se sa një taksim i lartë.
Nisma për t’i kërkuar qeverisë vendimin se çfarë dhe se si të taksojë rrit rreziqet e diskrecionit në zbatueshmërinë e taksës, mjafton të mendosh për përcaktimin, mesa duket i deleguar tek Ministria e Financave (që mbulon edhe një pjesë të mirë të turizmit), të atyre që janë hotel me pesë apo katër yje sipas standardeve ndërkombëtare, të cilët përfitojnë nga përjashtimi nga të gjitha taksat për 10 vjet.

Trajtimi me fokus të veçantë i biznesit të vogël

“Në këtë paketë fokusohet sektori i turizmit në lidhje me TVSH dhe teknologjia në lidhje me tatim fitimin, të cilat si sektorë japin më shumë incentiva për të ardhmen. Ndërkohë që Shqipëria si vend i vogël që është mendojmë se duhet t’i kushtojë më tepër rëndësi bizneseve, të cilat japin ndikim në afatshkurtër siç janë profesionet e lira. Bizneset e vogla me këtë ligj që pritet të zbatohet vitin tjetër, do të kalojnë si subjekte me TVSH dhe do të duhet të paguajnë çdo muaj përveç sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, tatimit në burim edhe TVSH. Nga kjo nënkuptohet që këto biznese do të duhet të nxjerrin më shumë lekë nga xhepi i tyre. Mirë do ishte që të mendohej dhe për këtë fakt, pasi si biznese të vogla, me tërë këto shpenzime për një muaj, dihet fundi i tyre. Kjo nënkupton që duhet t’u kushtohej rëndësi edhe këtyre lloj subjekteve që të mos përfundojnë ciklin e jetës së tyre pa nisur akoma”, vijon drafti.

 

Propozimi për uljen e kufirit të regjistrimit të TVSH-së

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH duhet të ketë parasysh parimet e mëposhtme: lehtësimi i procedurave të deklarimit të TVSH nga bizneset e vogla me deklarime tre-mujore, heqje gjobash për vonesë në deklarim etj., si dhe mos futja në TVSH e bizneseve shumë të vogla. “Shqetësim për anëtarët tanë përbën kapaciteti i Administratës Tatimore (dhe sistemit e-tax) për manaxhimin e një numri të madh subjektesh në TVSH. Kostoja e administratës për menaxhimin dhe kontrollin e këtyre subjekteve duhet të justifikohet me të ardhurat që ata do të sjellin në buxhet. Shqetësimi tjetër ka lidhje me faktin se fokusi i Administratës Tatimore nuk duhet të zhvendoset tek tatimpaguesit e vegjël, pasi dëmi më i madh në buxhet shumicën e rasteve bëhet nga të mëdhenjtë”, evidentohet në dokumentin me propozime. Nga ana tjetër, iniciativa në uljen e kufirit të TVSH duhet të shoqërohet me masa të tjera në kuadrin e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimin mbi fitimin. Ndërsa evidenton problematikën e deklarimit të xhiros nga bizneset, Dhoma sugjeron që, ministria të propozojë ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe atë për taksat vendore që të vendosë një mënyrë dhe masë tatimi që iu lejon këtyre bizneseve të vogla formalizimin e tyre pa barrë fiskale të ekzagjeruar. “Në këtë këndvështrim, duhet të trajtohen veçmas aktivitetet e shitjes se mallrave dhe ato të shërbimeve. Si rrjedhojë, Dhoma sugjeron se në këtë rast zgjidhja më e mirë do të ishte që klasifikimi i biznesit të bëhet në bazën e fitimit.

Propozime për ndryshime të papërfshira në Paketën Fiskale

(Ligji për tatimin mbi të ardhurat/Zgjatja e periudhës së mbartjes për humbjet tatimore) “Legjislacioni shqiptar, sipas Ligjit për “Tatimin mbi të Ardhurat” nr. 8438 datë 28.12.1998, i ndryshuar, parashikon që humbjet tatimore mund të barten dhe shfrytëzohen për një periudhë jo më shumë se 3 vjet. Duhet pasur parasysh fakti se vendet e BE-së, si p.sh Italia, u japin shoqërive një periudhë të pacaktuar kohore për shfrytëzimin e humbjeve tatimore të krijuara gjatë 3 viteve të para të investimit. Në këtë drejtim, si dhe me qëllim krijimin e një mjedisi tërheqës për investimet e huaja direkte që kryejnë investime Greenfield, rekomandohet së tepërmi që periudha 3-vjeçare e përcaktuar në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të zgjatet minimalisht 10 vjet”, propozon Dhoma
(Ligji për TVSH/Vonesat në rimbursimin e TVSH) “Për të shmangur shtimin e shumave të TVSH të parimbursuara nga Administrata Tatimore, sugjerojmë si më poshtë:
Të përcaktohet shprehimisht në ligj që në rast të kredive tatimore qoftë për TVSH apo tjetër tatim, pavarësisht se mund të jenë të pakontrolluara, të mund të përdoren për të kompensuar detyrime të tjera tatimore. Kjo gjë do të shfryjë efektin nga vonesat në kontroll dhe rimbursim të TVSH;
-të lejohet kompensimi me detyrime doganore (tarifë doganore, TVSH apo taksa kombëtare të pagueshme në doganë);
-interesi për rimbursim me vonesë të TVSH të përllogaritet automatikisht nga sistemi e-tax” sugjeron Dhoma.

Njohja e borxhit të keq

“Borxhi i keq duhet të njihet në momentin kur provohet pamundësia e këtij arkëtimi. Kjo pamundësi provohet nga shoqëritë përmbaruese, të cilave ligji iu ka dhënë atributin e mbledhjes së borxhit, ose të shpalljes së tij si të pambledhshëm në kushte të caktuara”, sugjeron Dhoma.

Ligji për taksat vendore
Taksat e Përkohshme

“Ligji për Taksat Vendore (Neni 33) parashikon që Këshilli Bashkiak, kur gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të komunitetit, në territorin brenda juridiksionit të tij. Sidoqoftë, nuk jepet asnjë specifikim tjetër në ligj lidhur me kufizimet e këtij autoriteti, arsyetimin e domosdoshëm që duhet të mbështesë vendimin për vendosjen e këtyre taksave, si dhe qartësimin se çfarë do të ishte e domosdoshme për komunitetin, për qëllimet e vendosjes së këtyre taksave. Kjo e lë Këshillin Bashkiak një autoritet që tejkalon vetë ligjin dhe krijon pasiguri për të ardhmen”, sipas Dhomës. Ndaj rekomandohet që për të shmangur ekspozimin e paparashikueshëm dhe të pajustifikuar financiar të operatorëve të biznesit, Ligji duhet të përcaktojë qartësisht dhe Këshillat Bashkiakë duhet të përcaktojnë dhe parashikojnë qartësisht në vendimet e tyre, gjatë vendosjes së taksave të tilla të përkohshme, me arsyetimin e mjaftueshëm mbi: -nevojat përkatëse të komuniteteve për përfitimin e të cilëve aplikohen këto taksa; -kushtet dhe kriteret për llogaritjen dhe implementimin e këtyre taksave. Gjithashtu, këto taksa nuk duhet -të aplikohen më shumë se 2 vjet rresht dhe të mos përsëriten brenda periudhës 5- vjeçare, duke filluar nga viti i fundit i zbatimit të këtyre taksave; -të tejkalojnë në vit 50% të taksave të përgjithshme lokale vjetore në buxhetin e Bashkisë.

Heqja dhe ulja e tarifave doganore për disa produkte

“Ne e vlerësojmë faktin që Ministria e Financës dhe e Ekonomisë ka propozuar ndryshime të tarifave dhe taksave doganore në lidhje me produktet IT dhe kancelarike. Me qëllim që kompanitë IT në Republikën e Shqipërisë të jenë të konkurueshme në rajon do të sugjeronim uljen tarifore edhe për “42029219 42029298- Çantë për lap top.- Taksa doganore 15%”. Këto produkte kanë vlerë të vogël në blerje dhe ndërkohë në vendet e BE e kanë taksën doganore 2.7%. Kjo do të ndihmonte në një unifikim të taksave dhe tarifave doganore”, propozon Dhoma.

Njohja e shpenzimeve të zbritshme për individët

Sipas Dhomës Amerikane, përfshirja në shpenzime të zbritshme për qëllime të të ardhurave personale (vjetore) të më shumë shpenzimeve, përgjithësisht ato lloj shpenzimesh për të cilat të ardhurat zakonisht shkojnë të patatueshme nga ofruesit e këtyre shërbimeve (psh. shërbimet dentare dhe shëndetësore, riparimet e automjeteve, kurset trajnuese ose kurseve jashtëshkollore, qirasë së shtëpive etj) . “Rimbursimi i tatimit për këto lloj shpenzimesh do të zëvendësohej në buxhet nga tatimi që do u merrej furnizuesve”, evidenton Dhoma.

Artikulli paraprakBB: Shqipëria në listën e 5 vendeve me pagat më të ulëta
Artikulli tjetërBarcelona tremb Interin