Derbi, shansi i fundit për trajnerin e “Dortmundit”

Derbi ndaj Schalke 04 në fundjave mund të jetë ndeshja e fundit e trajnerit holandez Peter Bosz në krye të Borussias së Dortmundit. Ndaj Tottenhamit në Champions, shpresonte ta festonte me fitore ditëlindjen e tij të 54-t, por nuk ndodhi kështu. Verdhezinjtë shënuan ndeshjen e pestë radhazi pa fitore, madje disfatën e katërt në pesë takimet e fundit, ecuri kjo që e ka lëkundur në themel pozicionin e trajnerit. Tashmë jashtë Championsit dhe në vendin e 5-të në Bundesligë, për Borussian e Dortmundit mund të thuhet se është në krizë rezultatesh. Bosz e ka edhe një shans, në derbin e Ruhrit. Nëse “verdhezinjtë” nuk fitojnë në “Signal Iduna Park” me rivalët e përjetshëm, sipas “Bild”, holandezi do të shkarkohet nga detyra.
Ndërkohë, Australia duhet të gjejë trajner të ri për finalet e Botërorit. Vetëm një javë pas suksesit ndaj Hondurasit në play off, që u dha mundësinë “Socceros” të siguronin një biletë për në “Rusi 2018”, vjen dorëheqja e papritur e Ange Postecoglou. “Ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marrë. Ka qenë privilegj për mua drejtimi i kombëtares së vendit tim. Por kjo arritje më ka kushtuar impenjim maksimal në aspektin personal dhe profesional. Kam investuar në këtë detyrë gjithçka kam mundur, duke e ditur se sa e rëndësishme ishte kjo periudhë për futbollin australian. Më vjen vërtet shumë keq, që duhet t’i jap fund këtij udhëtimi. E ndiej që është momenti i duhur për t’ia kaluar këtë përgjegjësi dikujt tjetër, me energji të reja. U detyrohem shumë tifozëve dhe Federatës”, tha ai.

Artikulli paraprakOpozita kundër taksës së pronës në komision
Artikulli tjetërGjithë arsimi me koncesion në kurriz të qytetarëve