Denoncimi: Kryepolici mbron autorët që duan të më vrasin

Një të riu nga Fushë Arrëzi i është bërë një atentat vitin e kaluar nga dy persona, ndërsa jeta e tij vazhdon të jetë e kërcënuar, pasi sipas tij, dy autorët mbrohen nga kreu i Policisë së Pukës, pasi janë njerëz të afërt të tij. I riu i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Berisha, duke i kërkuar ndihmë pas atentatit ndaj tij në korrik të vitit të kaluar. Ylber Gjinaj nga Fushë-Arrëzi thotë se, vitin e kaluar i është bërë atentat nga dy vëllezër, por fatmirësisht ka shpëtuar. Ai është detyruar të largohet jashtë vendit, pasi sipas tij, autorët e atentatit kanë lidhje familjare me shefin e Komisariatit të Policisë së Pukës. Ai akuzon Policinë dhe Prokurorinë se nuk e kanë hetuar këtë ngjarje. I riu nga Fushë Arrëzi thotë se, ka mundur të marrë me “shoqëri” edhe një video nga Policia e Pukës ku shfaqet momenti i atentatit ndaj tij.
“Video tronditëse e një atentati, marrë nga Policia Pukë, që dëshmon: -fshehjen e vrasësve nga çunat e krimit. Viktima që u shpëtoi plumbave informon”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar videon e postuar nga qytetari nga Fushë Arrëzi si dhe mesazhin e tij.
“Jam Ylber Gjinaj, banor i qytetit të Fushë Arrëzit të Pukës. Vjet më është bërë një tentativë vrasje nga dy vëllezer, por fatmirësisht, Zoti madh kam shpëtuar. Pasi kam mundësuar videon ta marr nga ambjentet e Policisë së Pukës me “shoqëri”, dua ndihmën tënde, pasi Policia e Pukës dhe Prokuroria as që e kanë vendosur ujin në zjarr. Për këtë ngjare madje unë jam detyruar të largohem jashtë vendit, pasi personat që donin të realizonin vrasjen kanë lidhje familjare me shefin e Komisariatit të Policisë së Pukës, Hamdi Shullanin”, shkruan qytetari nga Puka.
Pas këtij denoncimi publik të qytetarit nga Puka, ish-kryeministri Berisha shkruan se, kjo është një indiferencë kriminale, aleancë e qartë e policisë me vrasësit. Berisha i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin për këtë ngjarje të rëndë. “Kjo është një indiferencë kriminale, aleancë e qartë e policisë me vrasësit. Unë i bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimin për ndëshkimin e kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në zyrat e shtetit”, shkruan Berisha.
Megjithëse është natë, nga pamjet e kamerave duket se si djali po vjen me një makine tip “Audi” dhe ndalon, kur befas pas tij vjen një makinë tip Mercedes ¬Benz. Nga makina e dytë dalin dy të rinj me armë, ku njëri prej të cilëve duket se si e mbush pistoletën dhe qëllon dy herë ndaj djalit. Fatmirësisht objektivi i atentatit arrin të shpëtojë dhe i jep gaz makinës duke u larguar.
Por përveçse nuk arrijnë dot të realizojnë vrasjen, dy personat me sa duket nga emocionet, harrojnë të vendosin frenat e dorës te makina e tyre. Për pasojë në momentin që objektivi i atentatit largohet, njëkohësisht “largohet” edhe makina e tyre. Ajo bie në humnerë prej gati 50 metrash duke u shkatërruar.
Shefi i Policisë së Pukës është akuzuar nga opozita për bashkëpunim me trafikantët në mbjelljen e kanabisit në Pukë. Ai është akuzuar se zotëron disa parcela me drogë në bashkëpunim me nipin e vrasësit Arben Frroku, Sokol Frroku edhe ky i dënuar nga Gjykata për vrasje. Para pak ditësh, policia ndërmori një aksion për shkatërrimin e parcelave me drogë në Pukë, por parcelat që janë në pronësi të shefit të komisariatit dhe vrasësit Frroku nuk janë prekur, ndonëse janë të dallueshme. Skandali është denoncuar në media para pak kohësh nga një qytetar.
Pas publikimit të lajmeve në media për mbjelljen e parcelave me kanabis në Pukë nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Pukës, në bashkëpunim me shefin e Komisariatit të Policisë, policia ndërmori një aksion për shkatërrimin e kanabisit, por burimet bënë të ditur se nuk u prekën parcelat e zyrtarëve të lartë.

Artikulli paraprakZoto: Nuk dhashë urdhër për pajisjen e përgjimit
Artikulli tjetërShifrat zyrtare të një batërdie vjedhjesh