Dëmtimet te Reali, akuza mjekëve

Reali i Madridit po kalon një moment të shkëlqyer këtë sezon, duke qenë një pikë larg kryesuesve në kampionat dhe pjesëmarrës në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Por duket se, pikërisht në momentet më kulminante të edicionit do të vuajë mungesa të rëndësishme në formacion. Në takimin e parë ndaj Mançester Sitit, trajneri Zidan nuk pati në dispozicion Kristiano Ronaldon, ndërsa Karim Benzema luajti vetëm 45 minuta.
Të dy kishin probleme muskulore. Duke ditur kalendarin e ngjeshur, mungesat e lojtarëve nuk janë aq të papritura. Por në Madrid i kanë të paralajmëruara dhe mbi të gjitha, kanë qenë shkak për të krijuar tension. Futbollistët kanë dalë hapur në kundërshtim me stafin mjekësor dhe me drejtuesin e tyre, Hesus Olmo.
Në sezonin e shkuar, Hesus Olmo pati një debat të ashpër me Karlo Ançelotin. Tekniku italian ishte i pakënaqur nga puna e stafit mjekësor dhe mbi të gjitha, që kishin ndërhyrë në përgatitjet atletike të lojtarëve, duke ndikuar negativisht.
Për këtë arsye, ndërhyri edhe presidenti Florentino Perez, që mbajti anën e stafit mjekësor. Pas largimit të teknikut italian, Olmo pati më tepër ndikim në përgatitjet e futbollistëve dhe në fakt, lista e të dëmtuarve për probleme muskulore është shtuar ndjeshëm, duke e çuar numrin në plot 26.
Duke iu referuar probleme të shpeshta që kanë pasur, lojtarët kanë refuzuar që të ndiqen nga mjekët e Realit. Diçka e paprecedentë, por që futbollistët e kanë sfiduar klubin, pikërisht, sepse drejtuesit nuk kanë reaguar ndaj bilanceve negative me dëmtimet apo pakënaqësive në trajtim.
Në një letër që ata mendohet se i kanë dërguar presidentit Perez janë përmendur edhe rasti i Hames Rodrigezit, që mungoi 53 ditë për një dëmtim që u premtua se do të riaftësohej për 4 javë. Rasti i Pepes që u premtua se do të riaftësohej maksimalisht për 21 ditë, por që mungoi për 36-të.
Rasti i Benzemasë, që u parashikua se do të ishte i gatshëm brenda 2 apo 3 javësh, ndërkohë që nuk ia dolën për plot 43 ditë. Tregues të qartë që nuk janë në nivelin e një klubi të madh si Reali i Madridit, duke bërë edhe që futbollistët të kërkojnë mjekë privatë, për të zgjidhur problemet e tyre.
Portugezi nuk ka pranuar që të ndiqet për problemet fizike në klinikën “Santias-La Moraleja”, e cila është kontraktuar nga Reali i Madridit dhe bashkëpunon me Hesus Olmon. Ai është parë gjatë këtyre ditëve, duke kryer vizita në klinikën “Rubier”, duke treguar qartë se është i gatshëm të paguajë individualisht diku tjetër, vetëm për të shpresuar një riaftësim më të shpejtë dhe një trajtim më profesional.
Media spanjolle ka bërë edhe lidhjen që e bën të paprekshëm shefin e stafit mjekësor të Realit, Hesus Olmo. Ai është i besuari i Pako Morates, i cili është anëtar i kryesisë së klubit madrilen dhe njëkohësisht kardiologu personal i Florentino Perezit. Për këtë shkak, kreu i merenguesve nuk ka marrë asnjë masë, pavarësisht se lojtarët janë rebeluar në mënyrë të hapur.

Artikulli paraprakDorëzohet deputeti i PDK, Azem Syla
Artikulli tjetërPogba: Dua të bëhem më i mirë se Pele e Maradona