Demiraj paralajmëron krerët e policisë për drogën e zgjedhjet

Një ditë pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm, Dritan Demiraj, zhvilloi një takim dje me drejtuesit e policive në qarqe për procesin zgjedhor dhe luftën ndaj drogës. Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ka zgjatur rreth një orë. Bëhet e ditur se takimi ka patur për qëllim prezantimin e prioriteteve të punës gjatë drejtimit të Ministrisë.
Prioritet ka qenë ruajta e sigurisë dhe rendit për zgjedhjet parlamentare dhe lufta kundër kultivimit të kanabisit. Ministri Demiraj u ka bërë të qartë drejtuesve të policive në qarqe, se cilido person me uniformë apo pa uniformë që përfshihet në fushatën zgjedhore do të largohet nga puna dhe do të ndiqet penalisht. Po ashtu, Demiraj ka paralajmëruar drejtuesit e policive në qarqe që të mos bëjnë asnjë tolerim ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit pasi do të penalizohet rreptësisht.
Të martën, në ditën e parë të punës Demiraj u takua me Shefin e Shërbimit Informativ, Visho Ajazi. Demiraj zëvendëson Fatmir Xhafajn, i cili qëndroi në krye të këtij institucioni vetëm dy muaj. Marrëveshja e 18 majit e zëvendëson atë me Dritan Demirajn, i cili do të mbajë funksionin e ministrit teknik për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Ministri-policisë: Burg për cilindo që bën fushatë

Prioriteti kryesor i ministrit të Brendshëm gjatë takimit me drejtuesit e policive në qarqe ka qenë garantimi i një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. Ministri Demiraj u ka bërë të qartë drejtuesve të policisë se, kushdo punonjës policie me uniformë apo pa uniformë përfshihet në fushatën e partive politike do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale.
Gjatë takimit, Demiraj ka garantimin e një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. “Mospjesëmarrja dhe mospërfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore është një prioritet madhor. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikëri misionin kushtetues, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal”, është shprehur Demiraj.
Ministri nënvizoi se, cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përfshihet në fushata duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale. “Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim”, u shpreh ai.

Penalizim për cilindo që lejon kultivimin e kanabisit

Çështja tjetër që ministri Demiraj trajtoi me shumë vëmendje në takimin me drejtuesit e policive në qarqe ishte ashpërsimi i luftës kundër kanabisit në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë. Ministri tha se, duhet të vijojë intensifikimi në luftën ndaj fenomenit të drogës, sidomos në parandalimin e saj në mbjellje apo kultivim.
“Kontrolli i territorit është detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit”, u shpreh Demiraj.
Bëhet e ditur se, ministri Demiraj u ka kërkuar drejtuesve të policive në qarqe që të marrain masa për parandalimin e kultivimit të kanabisit në zonat që ata mbulojnë.
Ministri Demiraj u ndalua edhe tek forcimi i sigurisë dhe rendit publik gjatë sezonit turistik. Demiraj kërkoi angazhim maksimal nga Policia e Shtetit për të garantuar rendin dhe qetësinë publike gjatë këtij sezoni veror dhe një përqendrim të veçantë në drejtim të parandalimit të aksidenteve dhe përmirësimit të qarkullimit rrugor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Demiraj garantoi mbështetjen e tij edhe për modernizimin e reparteve të policisë.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakLidhjet e pronarit të televizionit, Rakipi me masakrën Çole-2015
Artikulli tjetërMafia do shkulet me 25 Qershor