Dekonspirimi, 3 oficerët e drogës u zhdukën ditën e fletë-arresteve

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dyshime të forta se operacioni për arrestimin e 3 oficerëve të policisë në kuadër të hetimeve që kanë nisur për dosjen Habilaj është dekonspiruar. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se Prokuroria ka pasur informacione të sigurta mbi vendndodhjen e 3 zyrtarëve të policisë, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, por që në ditën e lëshimit të fletë arresteve nuk janë gjetur në vendet ku ndodheshin një ditë më parë. Kështu sipas burimeve, Prokuroria ka pasur informacione mbi vendndodhjen e 3 zyrtarëve, në datat 19, 20 dhe 21 nëntor, ndërkohë që policia nuk i gjeti në zonat ku ata rezultonin se frekuentonin dhe banonin. Burimet bëjnë të ditur se të tre zyrtarët e policisë ndodheshin në Tiranë, por ata janë njoftuar nga oficerë policie që të largohen.
Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Krimit të Organizuar, Gjergj Kohila dhe ish-Shefi i Postës Kufitare të Dhërmiut dyshohet të jenë larguar jashtë vendit, por nuk përjashtohet mundësia që ata të vazhdojnë të fshihen në Shqipëri. Tre oficerët e drogës janë larguar nga Shqipëria disa javë më parë, por edhe rezultojnë, sipas burimeve hetimore të kenë hyrë në Shqipëri pa u regjistruar në sistemin TIMS. Një prej të kërkuarve është larguar në drejtim të Italisë, një tjetër në drejtim të Greqisë dhe një tjetër drejt Malit të Zi. Dekonspirimi i dosjes hetimore duket se ka ndodhur javë më parë, që ditën kur u kërkua arrestimi i Tahirit. Më pas, ata janë rikthyer në Shqipëri pa u regjistruar në sistemin TIMS. Burimet saktësojnë se të tre oficerët kanë qenë nën vëzhgim deri në momentin kur ka dalë urdhëri për arrestim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Prokuroria: Kërkim ndërkombëtar

Prokuroria e Krimeve të Rënda do t’i kërkojë zyrës së Interpol Tiranës që të vendosë në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefin e Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-Shefin e Postës Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode. Prokuroria është e bindur se mosprangosja e tre ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Qarkut Vlorë, ishte dekonsperuar nga kolegët e tyre.
Oficerët e Policisë Gjyqësore, kishin arritur të binin në gjurmët e ish-funksionarëve të policisë dy ditë para se të lëshoheshin 3 urdhërat e ndalimit, ku për Sokol Boden Gjykata kishte vendosur më herët “arrest në burg” në mungesë. Për këtë arsye, thekson Prokuroria, dyshimet se mund të ketë pasur rrjedhje të informacionit nga vetë strukturat policore, pasi të tre të kërkuarit ishin lokalizuar më herët dhe pritej vetëm arrestimi i tyre. Edhe pse në sistemin TIMS, Jaeld Çela ishte larguar më 22 tetor 2017 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit me një kompani fluturimi drejt shtetit turk, ai, -thekson organi i akuzës-kishte hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë. Burime konfidenciale nga grupi hetimor pohojnë se, Çela kishte mundur të largohej përsëri jashtë territorit shqiptar mbëmjen e 20 nëntorit, duke i shpëtuar prangosjes.
Të njëjtën mënyrë kamuflimi kishin ndjekur edhe dy drejtuesit e tjerë të Policisë Vlorë. Sokol Bode ishte larguar me automjet nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit më date 29 gusht të këtij viti. Ndërkohë Gjergj Kohila ishte regjistruar në sistemin TIMS më 11 nëntor dhe kishte dalë nga pika kufitare e Kakavijës. Emrat e tre personave nën hetim, ishin regjistuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth një vit më parë, ku ish-drejtori i Qarkut Vlorë, Jaeld Çela, së bashku me dy vartësit e tij, kishin siguruar kushtet për paprekshmërinë e grupit kriminal të Habilajve. Në tetor të 2016-ës në zonën e Treblovës dhe Veshdanisht u sekuestruam rreth 23 tonë kanabis dhe u prangosën 6 persona.

R.POLISI

Artikulli paraprakProgrami i “Check-up” duhet të marrë fund, një humbje e madhe parash publike
Artikulli tjetërRrëfimi i pasagjerëve: Kërcitën plumbat, grabitësit me maska na morën gjithçka