Rrëfimi i pasagjerëve: Kërcitën plumbat, grabitësit me maska na morën gjithçka

Shtatë persona janë grabitur në një “Fouristradë” që është shkrumbuar në Kir të Dukagjinit. Tre persona me maska dhe të armatosur kanë ulur nga makina pasagjerët dhe shoferin, duke i marrë gjithçka çfarë kishin. Njëri prej grabitësve fillimisht ka qëlluar gomën e makinës dhe më pas ka detyruar të gjithë të zbresin. Menjëherë u kanë marrë telefonat, ndërsa shoferit edhe paratë, rreth 1 milion lekë të vjetër që kishte me vete. Grabitësit i kanë detyruar 7 personat që të largohen dhe nëse ndonjëri do kthente kokën i kanë kërcënuar se do t’i vrasin. Pasi janë larguar “Fouristradën” grabitësit e kanë djegur totalisht, duke mos lënë asnjë gjurmë. Pasagjerët tregojnë momentin e tmerrshëm.
“Na kanë dalë para në afërsi të antenave në Kir. Ne po uleshim nga Bregu i Lumit poshtë. Na ulën në tokë dhe na thanë lini telefonat. Njëri qëlloi njëherë. Ne u bindëm, i lamë telefonat ndërsa para nuk kishim. Na thanë ikni përpara dhe mos ktheni kokën. U detyruam që të ecnim para, sepse ishin me automatikë në duar dhe të maskuar. Kishim frikë, sepse ata ishin të armatosur”, thotë Nikë Hasani, njëri prej pasagjerëve, raporton “ShkodraNews”.
“Kemi qenë në makinë si pasagjerë, kur papritur na dolëm 3 persona përpara të maskuar, me rroba të zeza dhe me automatik në dorë. Na kërkuam që të ulemi nga makina dhe të dorëzojmë telefonat. Ne ashtu bëmë, sepse s’kishim rrugë tjetër. Shoferit i morën edhe portofolin, ndërsa unë s’kisha para, por as pasagjerët e tjerë. Na urdhëruan që të ecim drejt dhe të mos kthenim kokën mbrapa. Na thanë që kush kthen kokën do të vritet. Ne vazhduam rrugën dhe kemi ecur në këmbë për rreth 50 minuta deri sa kemi shkuar tek një lokal që është më poshtë dhe aty është njoftuar policia. Në ato momente kishim frikë dhe e lamë veten për të vdekur”, thotë një tjetër dëshmitar në ngjarje.

Artikulli paraprakDekonspirimi, 3 oficerët e drogës u zhdukën ditën e fletë-arresteve
Artikulli tjetër12 tonelatat e drogës në Përmet, kapet administratori i magazinës