Deeuroizimi dhe volumi i ulët tregtar çojnë euron në nivelin më të ulët të 10 viteve

Euro ka vijuar nënçmimin në tregun vendas edhe gjatë ditës së sotme, duke kapur nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro këmbehet sot me 131.9 lekë, rreth 0.8 lekë më pak se një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët nga gushti i vitit 2009. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor se arsyet e nënçmimit të euros në nivelet më të ulëta të dhjetë viteve është politika e deeuroizimit dhe volumi i ulët tregtar. Ekspertët argumentojnë se, përpos faktorëve të zakonshëm që ndikojnë në kursin e këmbimit, deeurozimi dhe masat që po marrin bankat e nivelit të dytë po zhvlerësojnë monedhën e përbashkët me shpejtësi. Bankat po orientojnë klientët drejt produkteve në valutën vendase dhe kjo ka rritur ofertën në valutë. Arsyeja e dytë sipas aktorëve kryesorë të tregut, një tjetër arsye është volumi i ulët tregtar. Duke qenë se qarkullimi i parasë nga ana biznesit është në nivelet më të ulëta historike, ndërsa oferta në valutë mbetet e lartë, çmimi i këmbimit euro-lek ka qenë në rënie, shpjegon një nga ekspertët për “Monitor”. Ata thonë se ndryshe nga vitet e kaluara, kur monedha e përbashkët çmohej në mars për shkak të transferimit të fitimit nga kompanitë e huaja në vend, këtë vit fitimet e kompanive kanë qenë të ulëta, si dhe një pjesë e tyre janë detyruar që të prekin depozitat në valutë për të kryer pagesa të ndryshme. Për këtë arsye me afrimin e datës për pagesën e TVSH-së dhe të sigurimeve, euro ka tendencën që të humbi pikë përkundrejt lekut, duke qenë se bizneset prekin depozitat e tyre në valutë. Për sa i përket monedhës së gjelbër, ajo është çmuar sot përkundrejt lekut vendas me thuaje një pikë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar është këmbyer sot me 107.18 lekë. Vlerësimi i dollarit sipas aktorëve të tregut është nxitur prej niveleve të këmbimit përkundrejt euros në bursa. Një euro po këmbehet me 1.23 dollarë, ndërkohë që pak javë më parë euro arriti nivelet më të larta të tre viteve të këmbimit me dollarin.

Artikulli paraprakÇfarë do të bisedojnë Kimi dhe Trumpi?
Artikulli tjetërMungon medikamenti jetëshpëtues në QSUT