Çfarë do të bisedojnë Kimi dhe Trumpi?

Benjamin Katzeff Silberstein
Lajmi se Kim Jong Un i Koresë së Veriut ka ftuar presidentin e Shteteve të Bashkuara për të biseduar dhe se Presidenti Trump ka pranuar, është pa dyshim një arritje jo e vogël, duke pasur parasysh tensionet e mëdha të kohëve të fundit që ka shkaktuar programi bërthamor i Koresë së Veriut. Të dy liderët pritet që të takohen gjatë muajit maj të këtij viti, por ka ende shumë kohë për të kaluar dhe gjithçka mund të ndodhë.  Në pritje të këtij takimi të rëndësishëm, mund të ndodhë që bisedimet të dështojnë gjatë fazës së planifikimit teksa përcaktohet se cilat do të jenë pikat që do të negociojnë në tavolinë apo se ku do të takohen palët, apo se kush duhet të përfaqësojë të dy vendet. Tani për tani, mund të themi që ky është një hap i parë i mirë dhe një zhvillim mjaft pozitiv, karahasuar me situatën ku ndodheshin të dy vendet pak javë ose pak muaj më parë.  Megjithatë, është ende e paqartë se çfarë do të bisedojnë saktësisht të dy liderët, apo se cilat janë mundësitë dhe kufizimet e këtij procesi. Një takim i vetëm nuk mund të zgjidhë dot asgjë dhe sipas gjasave, as Shtetet e Bashkuara dhe as Korea e Veriut nuk kanë ndërmend të ndryshojnë qëndrimet e tyre thelbësore. Shtetet e Bashkuara i qëndrojnë me këmbëngulje qëllimit të tyre thelbësor që është çarmatimi i plotë bërthamor i Koresë së Veriut, ndërsa Korea e Veriut duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga armët e saj bërthamore. Si Korea e Veriut ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë shfaqur mjaftueshëm fleksibël në pozicionin e tyre sa për të rënë dakord që të takohen për bisedime. Kjo është gjë e mirë. Pas muajit të kaluar me fjalën luftë që përmendej pothuajse çdo ditë në media, shumica e botës tani ka filluar të marrë frymë më lirisht.

Kur Kim Jong Un u takua me delegacionin e Koresë së Jugut në Penjan disa ditë më parë, ai theksoi se Korea e Veriut do të frenojë për momentin të gjitha testimet raketore dhe bërthamore gjatë kohës së bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht faktit që Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut vazhdojnë me stërvitjet ushtarake të përbashkëta që Veriu i konsideron si provokime dhe parapërgatitje për luftë në gadishull. Fakti më i rëndësishëm është që delegati i presidentit të Koresë së Jugut Moon, i cili u takua me Kim Jong Un, Chung Eui-yong, tha se Kimi ishte i përgatitur të çarmatosej në këmbim të “garancive të sigurisë”. Në sipërfaqe, gjithçka duket mjaft premtuese. Problemi është se asnjëherë nuk është bërë plotësisht e qartë se çfarë shpresojnë ose pretendojnë respektivisht Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara nga këto bisedime. Për Korenë e Veriut “garancitë e sigurisë” mund të jenë gjëra nga më të ndryshmet. Tërheqja e trupave amerikane nga Korea e Jugut mund të jetë vetëm fillimi. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë të domosdoshme të kenë trupa këmbësorie në Korenë e Jugut për të sulmuar ushtarakisht Veriun po të vendosë të bëjë diçka të tillë. Por po sikur kërkesat e Koresë së Veriut të rezultojnë shumë më tepër ambicioze se kaq? Por sikur të pretendojnë tërheqjen e trupave amerikane nga i gjithë rajoni, apo reduktimin reciprok të arsenalit bërthamor amerikan? Me pak fjalë, Korea e Veriut mund të vendosë edhe të parashtrojë kërkesa që Shtetet e Bashkuara nuk do të pranonin kurrë. Tani për tani, askush nuk e di se çfarë kërkon Korea e Veriut si garanci sigurie dhe duke qenë se ka parë se çfarë i ka ndodhur diktatorëve si Saddam Husseinit në Irak apo Muamar Ghaddafit në Libi, Kim Jong Un ka pas gjasa ta vendosë fatin e tij një marrëveshje paqjeje, apo diçka të tillë.

Më tej, iniciativa e Kim Jong Un për negociata nuk duhet të shihet si shenjë se sanksionet dhe presioni janë duke e lodhur regjimin, sa tani nuk ka më asnjë zgjidhe tjetër përveç se të negociojë. Në të vërtetë mund të jetë shenjë se, Kimi ndihet aq i bindur në vetvete dhe në kredibilitetin e kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut sa është i gatshëm të ulet, të bisedojë dhe të paraqesë pretendimet e tij. Në fund të fundit, situata strategjikë e Kimit është më e fortë se ajo e babait të tij gjatë bisedimeve gjashtë-palëshe për shkak të testimeve të suksesshme bërthamore që ekspertët tashmë besojnë se mund të arrijnë deri në territorin amerikan. Cilido qoftë arsyetimi që e çon Korenë e Veriut të ulet në bisedime, do të ishte gabim të shihej si shenjë dobësie. Gjatë muajve të fundit, që kur Kim Jong Un ka reaguar pozitivisht ndaj ftesës së Moon për Lojërat Olimpike, zhvillimet në gadishullin koran janë drejtuar nga veprimet e Koresë së Veriut. Moon Jae-in rezultoi të ishte një diplomat shumë i zoti, pasi arriti t’i vendoste Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Veriut në pozicionin ku të dy janë të gatshëm të bisedojnë, por është e rëndësishme të mbahet mend se gjatë shumicës së kohës, ka qenë Korea e Veriut që ka marrë iniciativa. Lajmi i mirë për momentin është që palët duan të bisedojnë, por pjesa më e vështirë, negociatat, janë përpara.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprak9 shtete që realisht mund të kishin ekzistuar
Artikulli tjetërDeeuroizimi dhe volumi i ulët tregtar çojnë euron në nivelin më të ulët të 10 viteve