De Bur në hall

“Kur shikoj Interin nga dritarja e një avioni, shqetësohem pak”. Thuhet se fjalët e para të interistit De Bur kanë qenë këto. Dëshmitarët rrëfejnë se holandezi artikuloi fjalinë e lartpërmendur teksa shikonte nga qielli, aty ku po kalonin disa avionë. Jo të njëjtët me ata që morën 13 zikaltrit gjatë ditëve të kaluara.
Udhëtime pune për ata dhe aspak të këndshme për atë. Të gjithë së bashku mund të kenë bërë pak më shumë se 143 mijë kilometra. Gati katër herë ekuatorin. Nga ana tjetër, rivalja e radhës e zikaltërve nuk do të ketë të tilla probleme, pasi Gjomber, Verre, Manaj dhe Memushaj, të katërt së bashku, kanë përshkuar pak më pak se 4 mijë km.
De Buri është i shqetësuar, pasi të dielën në mbrëmje në stadiumin “Adriatico” mendon se lojtarët e tij do të vuajnë lodhjen e udhëtimeve të panumërta… Nëse do të luhej që në këtë javë dueli mes Interit dhe Milanit, atëherë nuk do të flisnim për derbin e “Madoninës”, por për atë të lodhjes. Kushërinjtë e interistëve janë të vetmit, të cilët e kanë me tre shifra numrin e kilometrave të përshkuara.
Juventusi “vuan” më pak lodhjen e ndeshjeve të kombëtareve falë lotëve të Dibalës. Penalizimi i numrit 21 në duelin mes Argjentinës dhe Uruguait u ka kursyer pak karburant juventinëve. Por impenjimet me kombëtaret respektive nuk lënë vetëm lodhje. Pasojat e dueleve që do të caktojnë kombëtaret, të cilat do të luajnë fazën finale të Kupës së Botës në Rusi janë edhe më të rënda. Beloti, Martinez, De Rosi, Mati Fernandez dhe Kurtiç, nuk mund të luajnë me klubet respektive, pasi janë dëmtuar gjatë ditëve që janë grumbulluar nga kombëtaret.
Torino, Roma, Milani dhe Atalanta nuk kanë pasur shumë fat. Biglja, Ali Adnan dhe Banega janë tre lojtarët, të cilët kanë përshkuar më shumë kilometra. Laciali për pak kilometra i mori “medaljen” e artë irakianit të Udinezes. Interisti kënaqet me medalje bronzi, pasi ka përshkuar “vetëm” 27 mijë kilometra. Ndërkohë në “Pinetina” është ngrysur…
De Buri shikoi sërish qiellin, duke mërmëritur: “Po bëj dhe dy goditje dhe të shikoj ç’do ndodhë”. Ndërkohë, Rei Manaj ka pranuar prej kohësh se ka qenë që i vogël një tifoz i Interit dhe se bëri realitet ëndrrën e tij kur iu bashkua këtij klubi. Por tani i huazuar te Peskara, ai do të ketë si detyrë të dërgojë topin në rrjetën e ekipit të zemrës. Ndonëse vetëm 19-vjeç, Manaj që tani ka filluar të veprojë dhe mendojë si profesionist, pasi në një intervistë për “Sportmediaset”, ai tregoi se një gol i tij në fundjavë kalonte në plan të dytë para rezultatit pozitiv për Peskarën. “Nëse do të shënoja do të isha i lumtur, për veten dhe për skuadrën. Por gjëja më e rëndësishme do të jetë të sigurojmë një rezultat pozitiv”, tha ai.

Artikulli paraprakRey Manaj: Duam fitoren ndaj Interit
Artikulli tjetërFSHF na humb 3 pozicione