De Biasi mes kandidatëve për Spartakun e Moskës

Pavarësisht pse i premtoi besnikëri Shqipërisë edhe për edicionin e kualifikueseve të Botërorit 2018, klube të ndryshme të futbollit europian dhe jo vetëm provojnë të joshin Gianni de Biasin. I tillë është rasti i Spartakut të Moskës, që e ka përfshirë trajnerin e kombëtares kuqezi në listën e kandidatëve të mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës.
Rusët janë vënë në kërkim të një drejtuesi të ri për stolin, pas dorëheqjes së Dmitri Alenichev, si rezultat i eliminimit të skuadrës nga Moska nga Europa League përballë qipriotëve të AEK Larnaca. Për momentin, Spartaku i është besuar përkohësisht një tjetër italiani, Massimo Carrera, ish-koordinatorit teknik të Juventusit dhe Italisë. Do të jetë pikërisht ai njeriu që do të drejtojë skuadrën deri në momentin kur klubi të emërojë trajnerin e ri.
Por, megjithë interesin nga 9 herë kampionët e Rusisë, Gianni de Biasi duket tërësisht i përqendruar te edicioni i ri i Shqipërisë, me grumbullimin që do të nisë në fundin e këtij muaji, ku pas miqësores së 31 gushtit ndaj Marokut, kuqezinjtë do të nisin eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, me ndeshjen e parë të Grupit G, që do të luhet më 5 shtator ndaj Maqedonisë në stadiumin e rikonstruktuar të Shkodrës.

Artikulli paraprakAliji debuton me humbje në Bundesligën 2
Artikulli tjetër“Pushtimi” kinez!