Danilo Kish: Këshilla një shkrimtari të ri

– Kultivo dyshimin ndaj ideologjive dhe parimeve dominuese.
– Qëndro larg nga parimet.
– Ki mendjen të mos e ndotësh gjuhën tënde me atë të ideologjive.
– Binde veten se je më i fortë sesa gjeneralët, por mos u mat me ta.
– Mos beso se je më i dobët sesa gjeneralët, por mos u mat me ta.
– Mos beso në projekte utopike, përveç se tek ato që i koncepton vetë ti.
– Tregohu njëlloj krenar përpara parimeve dhe turmave.
– Ki ndërgjegjen e qenë për sa u përket privilegjeve që të jep zanati yt prej shkrimtari.
– Mos ngatërro mallkimin e zgjedhjes tënde me shtypjen klasore.
– Mos u obsesiono nga urgjencat historike dhe mos beso në metaforën e trenave të historisë.
– Domethënë mos vrapo të hipësh në «trenat e historisë»: është vetëm një metaforë idiote.
– Kujto gjithmonë këtë thënie: «Kush centron objektivin, gabon gjithçka».
– Mos shkruaj reportazhe për vende që i ke vizituar si turist: të mos shkruash aspak reportazhe, nuk je gazetar.
– Mos beso në statistikat, numrat, deklaratat publike: realiteti është ajo që nuk shikohet me sy të lirë.
– Mos vizito fabrikat, kolkozet, kantieret: përparimi është diçka që nuk shikohet me sy të lirë.
– Mos u merr me ekonomi, sociologji, psikanalizë.
– Mos ndiq filozofitë orientale, zen-in, budizmin, etj., ke gjëra më të rëndësishme për të bërë.
– Ji i vetëdijshëm për faktin se fantazia është motra e gënjeshtrës, kështu që është e rrezikshme.
– Mos u shoqëro me asgjë: shkrimtari është i vetëm.
– Mos u beso atyre që thonë se kjo është më e keqja e botëve.
– Mos beso tek profetët, pasi je ti profeti.
– Mos bëj profetin, arma jote është dyshimi.
– Ki ndërgjegjen e qetë. Parimet nuk kanë të bëjnë me ty: je ti parim.
– Ki ndërgjegjen e qetë. Minatorët nuk kanë të bëjnë me ty: je ti minator.
– Dije se ajo që nuk u ke thënë kurrë gazetave nuk ka humbur përgjithmonë: është torfa.
– Mos shkruaj me komandë për faktet e ditës.
– Mos vër bast mbi çastin. Do të pendoheshe.
– Mos vër bast as mbi përjetësinë. Do të pendoheshe.

– Ji i kënaqur me fatin tënd. Vetëm budallenjtë janë të kënaqur.
– Mos ji i pakënaqur me fatin tënd. Je një njeri i zgjedhur.
– Mos kërko shfajësime morale për njerëz që kanë tradhëtuar.
– Ruaju nga «koherenca e tmerrshme».
– Ruaju nga analogjitë false.
– Besoju atyre që e paguajnë shtrenjtë moskoherencën e tyre. Mos u beso atyre që e shesin shtrenjtë moskoherenca e tyre.
– Mos mbështet relativitetin e të gjitha vlerave. Hierarkia e vlerave ekziston.
– Priti me indiferencë shpërblimet e princave, por mos bëj asgjë për t’i merituar.
– Bindu se gjuha më të cilën shkruan është më e mira e të gjithave, pasi nuk ke tjetër.
– Bindu se gjuha në të cilën shkruan është më e keqja, anipse nuk do ta ndryshoje me asnjë
– Mos ji servil. Princat të marrin për një portier.
– Mos ji mendjemadh. Do te dukesh si portieri i parimeve.
– Mos beso se ajo që shkruan është socialisht e kotë.
– Mos beso se ajo që shkruan është një punë «socialsht e dobishme».
– Mos besoj se ti vetë je një anëtar i dobishëm i shoqërisë.
– Mos lejo të bindesh se për këtë je një parazit i shoqërisë.
– Krijo një opinion personal për gjithçka.
– Mos e shpreh opinionin tënd personal për gjithçka.
– Fjalët e tua janë më të çmuarat.
– Mos fol në emër të kombit tënd. Kush je ti që të përfaqësosh këdo, përveç vetvetes?
– Mos qëndro në opozitë. Ti nuk je përballë, je nën.
– Mos u vendos përkrah pushtetit. Ti je sipër.
– Lufto padrejtësitë sociale, pa e bërë atë program.
– Mos lejo që lufta kundër padrejtësive sociale të shmangë nga rruga jote.
– Njihe opinionin e të tjerëve dhe më pas harroje.
– Mos bëj ndonjë program politik, mos bëj asnjë program. Ti krijon nga magma dhe nga kaosi i botës.
– Ruaju nga kush të propozon zgjidhje finale.
– Mos ji shkrimtar i pakicave.

– Sapo një komunitet kërkon të të adopotojë, vure veten në diskutim.
– Mos shkruaj për «lexuesin mesatar»: të gjithë lexuesit janë mesatarë.
– Mos shkruaj për elitën. Elita nuk ekziston. Elita je ti.
– Mos mendo për vdekjen dhe mos harro se je i vdekshëm.
– Mos beso në pavdekshmërinë e shkrimtarëve, janë budallallëqe profesorësh.
– Mos ji serioz në mënyrë tragjike. Është gjë komike.
– Mos bëj komedianin. Bojarët janë mësuar me argëtimin.
– Mos bëj karagjozin e oborrit.
– Mos beso se shkrimtarët janë «ndërgjegja e njerëzimit»: ke parë tashmë shumë batakçinj.
– Mos e beso se je asgjë dhe askushi: ke eksperimentuar tashmë se princat kanë frikë nga poetët.
– Mos shko drejt vdekjes për asnjë ide dhe mos bind asnjë që ta bëjë.
– Mos ji frikacak dhe përbuz frikacakët.
– Mos harro se heroizmi kërkon një çmim shumë të lartë.
– Mos shkruaj në raste festash dhe përkujtimesh.
– Mos shkruaj elozhe: do të pendoheshe.
– Mos shkruaj fjalime funebër për heronjtë e kombit: do të pendoheshe.
– Nëse nuk mund ta thuash të vërtetën, hesht.
– Ruaju nga gjysmë të vërtetat.
– Kur e gjithë bota feston, nuk ka arsye që edhe ti të marrësh pjesë.
– Mos u bëj favorëve princave dhe bojarëve.
– Mos ji tolerant prej edukatës.
– Mos e përhap të vërtetën me çdo kush: «Me budallenjtë nuk diskutohet».

– Mos u bind se të gjithë kanë njëlloj të drejtë dhe se shijet nuk diskutohen.
– «Të jesh dy veta gabim nuk do të thotë se po dy veta mund të kenë të drejtë» (Karl Popper).
– «Të pranosh se një tjetër ka të drejtë nuk na mbron nga një rrezik i mëtejshëm: të besuarit se ndoshta të gjithë kanë të drejtë» (idem).
– Mos diskuto me injorantët për gjëra që i dëgjojnë për herë të parë nga ty.
– Mos ki mision.
– Ruaji nga ata që kanë mision.
– Mos beso në «mendimin shkencor».
– Mos beso tek intuita.
– Ruaju nga cinizmi, edhe nga i joti.
– Shmang klieshetë ideologjike dhe citimet.
– Ki kurajo të thuash se poezia e Aragonit për lavdinë e GPU-së është turp.
– Mos kërko për të rrethana lehtësuese.
– Mos u bind se në polemikën Sartre – Camus kishin të drejtë të dy.
– Mos beso në të shkruarën automatike dhe në «papërcaktueshmërinë e qëllimshme»: ti aspiron për qartësinë.
– Refuzo shkollat letrare që të imponohen.
– Kur dëgjon të flitet për «realizëm socialist», hiq dorë nga çdo diskutim i mëtejshëm.
– Lidhur me temën «letërsi e impenjuar» rri i heshtur si peshku. Lërua profesorëve.
– Tregoi rrugën kujt krahason kampet e përqëndrimit me Burgun e la Santé.
– Mallkoje 100 herë atë që thotë se Kolyma ushte ndryshe nga Auschwitz.
– Kush pohon se në Auschwitz shfarosnin vetëm morrat dhe jo njerëzit, kape për leckash dhe flake tej.
– Dhe kush thotë se e gjitha kjo përfaqëson një «domosdoshmëri historike», bëji të njëjtën gjë.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakEuropë, ku po shkon?
Artikulli tjetërKryetari i PE, Tajani: Situata shumë e vështirë në Shqipëri, “luftë civile” mes opozitës dhe qeverisë