Dama angleze

Preokupimi më i madh sot në Londër – dhe në Bruksel – është që të kuptohet se çfarë mendon Theresa May, Kryeministre e re konservatore e Mbretërisë së Bashkuar që ka marrë mandatin nga Mbretëresha Elisabetë dhe është ulur në Nr. 10 të Downing Street. Dimë gjithçka nga historia e saj si bijë e një pastori anglikan, për incidentin në të cilin i vdiq i ati, për sklerozën e shumëfishtë të nënës, për martesën shumë të qëndrueshme me Philip e njohur në një festë të torëve, për fëmijët që nuk kanë ardhur, për këpucët, për librat me receta gatimi, për diabetin, për fizikun e mrekullueshëm të saj, por se çfarë dëshiron vërtet dama e re e akullt e Mbretërisë së Bashkuar për të bërë bashkë një vend të tronditur nga Brexit dhe prej 3 javësh në goditje politike, përveçse të menaxhojë divorcin me Bashkimin Europian, mbetet akoma mister. Shpresat janë të larta: “The May Supremacy” titullon revista konservatore “Spectator”. “Ndoshta kjo zonjë pa karizëm, e ngurtë, e padeshifrueshme, por e ndershme do të jetë në gjendje të na mbajë të bashkuar”, thotë Stephen Glover, kolumnist i “Daily Mail” (tabloid që ka bërë fushatë për May menjëherë, me mungesën e saj të zakonshme dhe të argëtueshme të seriozitetit). Të na mbajë të bashkuar, ky është objektivi i parë: por të bashkuar në çfarë? Ndërsa njerëzit antiBrexit vazhdojnë betejën e tyre për të përmbysur rezultatin e referendumit – do të diskutohet në shtator në Parlament një peticion që kërkon të mbahet një referendum i dytë – May thekson se, megjithëse ka mbështetur Remain, qeveria e saj do të negociojë Brexit. Domethënë nuk ka kthim prapa, por nuk duket se ku shkohet përpara.
David Cameron, dje në Question Time e tij mallëngjyes të fundit, me bashkëshorten Samantha dhe fëmijët e tij për të asistuar dhe një standing ovation të ngrohtë – “Do të më mungojnë shfryrjet e parlamentarëve, do të më mungojnë diskutimet e opozitës, por do të vazhdoj të shpresoj se do të keni sukses” dhe akoma: “Dikur isha e ardhmja”, ka theksuar se uron që Mbretëria e Bashkuar të qëndrojë “sa më afër që të jetë e mundur me Bashkimin Europian”. Kjo është pika e vështirë për negociatën me Europën, por edhe për unitetin e konservatorëve i të cilit May është bërë garant. Neokryeministrja thotë “Brexit means Brexit”, por akoma nuk ka thënë se çfarë nënkupton ajo me Brexit, në mos faktin që do të presë edhe një çikë më shumë – fundin e vitit – për t’ju drejtuar Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës që çel zyrtarisht procedurën e daljes nga BE-ja. Nëse kohët kanë të pallogaritshme – parashikohen 2 vjet, Philip Hammond, i emëruar dje kancelar Skakiere në qeverinë May, ka thënë se do të duhen të paktën 6 – edhe modalitetet e divorcit janë misterioze, ashtu si rezultati që dëshirohet të arrihet. Gjatë betejës referendare, mbështetësit më të njohur të Brexit, sidomos Michael Gove, thonin se braktisja e tregut të përbashkët është mënyra e vetme për ta çliruar vendin përfundimisht nga zgjedhja europiane. Është e gatshme May për një zgjedhje kaq radikale? Pyetja është e pavend, thonë shumë komentatorë, askush nuk është gati sot për zgjedhje radikale, por siç ka nënvizuar Chris Giles i “Financial Times”, “rezultati” i kësaj pavendosmërie “është një paqartësi afatshkurtër dhe kërcënimesh afatgjata në investime, kompetitivitet dhe produktivitet”.
Në diskutimet që ka mbajtur së fundmi, May ka kërkuar që të zbusë presionet ndaj Brexit: nuk do që të jetë kjo çështja që përkufizon as qëndrimin e saj si Kryeministre, as të gjithë vendin, ka shumë tema të tjera për t’u përballuar. Por europianët murmurisin, të ndarë midis fajkojve dhe pëllumbave dhe siç ndodh shpesh pretendojnë gjithsesi të gjithë që të hartohet një road map me një objektiv final. Shpejtësi është termi që dëgjohet të përsëritet në pallatet europiane, por edhe pse askush nuk di çfarë të bëhet me kaq ngut – as europianët nuk e kanë një plan daljeje për Mbretërinë e Bashkuar – është vështirë të imagjinohet që May do të arrijë t’i shtyjë për shumë kohë presionet mbi Brexit. Detyra për të është akoma edhe më komplekse, pasi ndërsa i duhet të studiojë një projekt ndërkombëtar me një shtrirje kaq të madhe, i duhet që të bëjë bashkë rebelët e partisë së saj.
Nuk bëhet fjalë vetëm për liderë të dorëhequr në kohë rekord dhe grindje të brendshme që kanë shpërthyer të gjitha bashkë: bëhet fjalë sidomos për ide. Si do të jetë e djathta britanike që shoqëron vendin në tranzicionin paseuropian? Sa për të filluar, nënvizon Andrew Gimson, që ka shkruar një biografi të bukur të Boris Johnson dhe e njeh mirë botën konservatore, “ka përfunduar sundimi etonian”, ai formacion elitar që ka karakterizuar lidershipin konservator të dekadës së fundit. May ka pasur një formim krejt të ndryshëm dhe sidomos ka kërkuar gjithmonë t’u japë vlerë figurave që nuk qenë të perceptuar si anëtarë të një elite që ka kontribuar në krijimin e një distance të caktuar midis politikës dhe votuesve. Editorialisti i Jeremy Cliffe, duke komentuar thashethemet për qeverinë e ardhshme, ka thënë se po kalohet nga “Notting Hill set” i markës stampo cameroniane në “Maidenhead set”, ku Maidenhead është zona elektorale e May, e përbërë nga “politikanë pak të spikatur, të formuar në shkolla publike dhe të rritur në periferinë e Londrës”. Sipas disave, ky predispozicion është i dobishëm për ta çuar partinë drejt asaj klase punëtore që ndjehet e margjinalizuar gjatë këtyre viteve dhe që i ka mundësuar Brexit të afirmohet midis habisë së të gjithëve (sidomos të etonianëve, edhe atyre që megjithatë kishin bërë fushatë për Leave). Domethënë duhet një parti e re e punëtorëve dhe torët duan të jenë të parët që ta ndërtojnë, në diskutimin e saj të parë të djeshëm si Kryeministre May i ka bërë menjëherë të qarta gjërat: i është drejtuar drejtpërsëdrejt “working class”, ka thënë se do t’i përkushtohet drejtësisë sociale dhe shërimit të plagëve të pabarazive. “Është gabim i madh të marrësh në konsideratë punëtorët më të moshuar dhe me të ardhura më të ulëta si të lënët e historisë”, thonë Fraser Nelson e James Forsyth të “Spectator” që kanë lançuar një manifest për “a new workers’ party”. “Të humburit e globalizimit janë modernë si vetë globalizimi: rriten në numër e në pakënaqësi dhe është për këtë arsye që po e vënë në vështirësi politikën tradicionale në të dyja anët e Atlantikut”.
Një parti që nuk ka një mesazh të qartë dhe tërheqës për këtë elektorat është e destinuar të mos ketë konsensus. Aleancat tribale nuk janë edhe aq të forta midis anglezëve: sipas një raporti të British Election Study, midis 2010 e 2015 38 për qind e votuesve ka votuar ndryshe, “ka një fluiditet të paparë në histori”, ka shkruar Rachel Sylvester në një artikull tek “Prospect Magazine”. Për këtë nuk bëhet gjë tjetër veçse flitet për ndërtimin e një partie të re, që të lindë nga ai 48 për qindësh që nuk e do shkëputjen nga Europa – ka që i diskutojnë deri emrin, duke theksuar se në fushatën për “Remain” qenë krijuar dinamika dy/tripalëshe të paimagjinueshme, por pa kujtuar se ka një qeveri që do të përfaqësojë 52 për qindëshin që do Brexit. Edhe në brendësi të botës konservatore ka që theksojnë se partia duhet ta ndryshojë aq shumë shpirtin aq sa të rishikojë deri edhe emrin, edhe pse përvojat e së kaluarës – në veçanti spin off i viteve tetëdhjetë i lindur nga të larguarit prej laburistëve – nuk duken aspak qetësues. Gjithsesi, destinacioni duket univok: “Duhet të quhemi ‘Workers’ Party’”, ka thënë deputeti konservator Robert Halfon, që i jep shpirt forumit të Conservative Trade Unionists dhe do të marshojë drejtpërsëdrejti në territorin që historikisht u përket laburistëve. Me diskutimin e djeshëm, May ka konfirmuar se beteja është e gjitha aty, në një qendër të zverdhur që pret të dëgjohet. Duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhen laburistët, mundësitë e May janë të larta.
Në zgjedhjet administrative që janë mbajtur në maj, përpara shokut të Brexit, torët janë kthyer në të dukshëm në Skoci, duke i dyfishuar vendet e tyre (prej vitesh ishte thënë se konservatorët nuk mund të konsideroheshin parti kombëtare duke mos pasur përfaqësues në Skoci). Ajo që i ka udhëhequr drejt një rilindjeje ka qenë Ruth Davidson, vajzë me ironi therëse, shumë e zonja në debatet televizive, që mishëron rikthimin në parti të një elektorati më pak posh dhe më shumë “working class” respektivisht torëve të David Cameron. Në marsin e 2015, përpara votimit që do t’i jepte konservatorëve një fitore të pastër dhe të papritur, Theresa May tha se ëndërronte një parti “që ua merr pushtetin elitave dhe ua dhuron njerëzve, që nuk përfaqëson vetëm atë që e ka bërë, por që bëhet shtëpia e kujt punon shumë dhe do të arrijë objektiva në jetë”. Tri ditë më parë, në diskutimin me të cilin May ka shpallur kandidaturën e saj pa e ditur akoma se pak orë më pas do të mbetej pa rivalë, neokryeministrja ka thënë: “Sot, nëse lind i varfër, do të vdesësh mesatarisht 9 vjet përpara të tjerëve; nëse je zezak, do të trajtohesh nga drejtësia në mënyrë më të ashpër sesa një i bardhë; nëse je bir i një familjeje working class, ke më pak shpresa se kushdo tjetër për të hyrë në universitet; nëse frekuenton një shkollë publike, ke më pak mundësi për të siguruar punë të nivelit të lartë sesa ai që ka studiuar në shkolla private. Nëse je grua, do të fitosh gjithsesi më pak se një mashkull; nëse je rini, do të kesh më shumë vështirësi për të blerë një shtëpi sesa ka pasur më parë”. Në fjalët e May, siç e ka konfirmuar dje, pasqyrohet ai konservatorizëm “One Nation” që ishte tashmë i Cameron, por me një rreptësi kundër pabarazive që deri më tani nuk kishte qenë. Drejtësia sociale, si ilaç ndaj teprive të globalizimit, është bërë i domosdoshëm për shumë liderë politikë dhe sigurisht që është për neokryeministren angleze.
Të ashtuquajturit konservatorë të dhembshur gëzojnë: prej kohësh thonë se kjo është e “djathta e duhur”. Por reperkusionet mbi mandatin e May janë të shumta dhe “Wall Street Journal”, duke cituar një shprehje të neokryeministres – “Duhet të jemi të ashpër me papërgjegjshmëritë e big business” – paralajmëron për tendencën populiste që mund të kapë edhe konservatorët, duke ju shkatërruar projektin e restaurimit të partisë dhe bile duke konfirmuar një tendencë që po e konsumon tashmë Partinë Republikane amerikane: “Duke u përqendruar mbi pabarazitë dhe drejtësinë sociale më shumë sesa mbi rritjen, May mund t’i çojë votuesit e humbur drejt laburistëve”. Për një vend që duhet të mësojë të ecë pa mbështetjen europiane, është e rëndësishme që aftësia tërheqëse të mbesë e lartë dhe kjo vlen si për kapitalin financiar, që vjen në momentin në të cilin një vend rritet dhe është e qëndrueshme, ashtu edhe për atë human. Si ministre e Brendshme, May ka qenë mjaft e ashpër ndaj emigracionit dhe akoma javën e kaluar ka krijuar panik midis punëtorëve të huaj që qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar duke thënë se duhet rishikuar edhe statusi i tyre në dritën e Brexit. Sot May thekson se stresi i elektoratit diktohet në pjesën më të madhe nga emigrantët, duke marrë retorikën e mbështetësve të Brexit, por nuk thotë se punësimi në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur pikun e tij – në 74.2 për qind më 2016, papunësia ka zbritur nga 8 në 5 për qind – pavarësisht se, siç është e njohur, përqindja e emigracionit është shumë më e lartë se ajo që vetë Cameron kishte dhënë si objektiv.
Emigracioni si mundësi, rreptësia si instrument rritjeje: kjo është formula që krahu liberal i torëve ka krijuar për të qëndruar në pushtet nga 2010. E ngecur në etiketën e saj si “pragmatiste e madhe”, Theresa May duhet të gjejë mënyrën që të fusë edhe drejtësinë sociale për të zhdukur padurimin e një pjese të mirë të elektoratit, pa humbur konsensusin e liberalëve dhe reformatorëve që partia ka fituar në këto vite. Shumë do të varet nga ekipi që do të ndërtojë rreth vetes: George Osborne, tashmë ish-kancelar i Skakierës, ka dhënë dje dorëheqjen (“May nuk ka nevojë për të”, i kishte thënë prerë një parlamentar një gazetari të “Telegraph” pasdite), Hammond, zëvendësuesi i Osborne, konsiderohet ideologjikisht i rreshtuar në politikën e mbajtur deri më tani nga qeveria: “Është një fajkua nga pikëpamja fiskale, – ka shkruar ‘Financial Times’, – dhe qasja liberiste e tij duket në kontrast me projektin e May për t’i dhënë fund rreptësisë financiare dhe frenuar tepritë e kapitalizmit”. Nëse përveç shumë ministrive që May do absolutisht të garantojë do të krijohet një “team of rivals” – siç e demonstron kthimi i Boris Johnson, i cili dukej jashtë loje – përreth damës së Downing Street, surpriza më e madhe mund të vijë pikërisht nga kjo zonjë këmbëngulëse, e displinuar dhe vetmitare. Shkruan Ed West tek “Spectator”: “Kush e di, nëse May negocion me sukses tranzicionin e Mbretërisë së Bashkuar drejt modelit norvegjez, duke krijuar një kompromis midis atyre që janë kundër Brexit dhe atyre në favor, atëherë edhe ndarjet në Europë më në fund mund të mbyllen”. Tashmë shpresat janë shumë të larta, por në orën e inaugurimit, shumë konservatorë ndjehen në të drejtën e tyre që të shpresojnë.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakKush e ka monopolin e forcës në Shtetet e Bashkuara?
Artikulli tjetërShfuqizimi i taksave vendore, argumentet e biznesit në Kushtetuese