Shfuqizimi i taksave vendore, argumentet e biznesit në Kushtetuese

Shoqata e Mbrojtjes së Tregtarëve dhe të Tregut ka renditur një sërë argumentesh në kërkesë–padinë që i ka dorëzuar Gjykatës Kushtetuese për  të shfuqizuar disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, e cila është pranuar të shqyrtohet. Pjesa më e madhe e argumenteve lidhet me gjenden që ka krijuar te biznesi zbatimi i këtyre ndryshimeve. (Kujtojmë këtu shumëfishimin e taksës për zënien e hapësirës, dyfishimin e taksës së pastrimit, si dhe vendosjen e taksës së re të përkohshme të infrastrukturës në arsim, që biznesi e pagoi për çdo NIPT sekondar).   Shoqata në kërkesë-padinë e saj argumenton se: “Rritja e taksave vendore është jo vetëm dispropocionale, por vjen në kundërshtim të hapur me parimin e aftësisë paguese, i cili shprehet në mënyrë implicite në nenin 155 të Kushtetutës. Në këtë mënyrë bazuar në parimet makroekonomike, si dhe paketat fiskale, niveli i taksave duhet t’i përshtatet dhe t’i përafrohet sa më shumë treguesve të zhvillimit të vendit. Nëse në masën prej 95% të treguesve makroekonomikë kemi rënie të ndjeshme, nuk mund të rritet niveli i tatim taksave”. Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar palës ankimuese që të vërë në dispozicion brenda datës 9 shtator 2016 një koment me shkrim nëse do të ketë argumente shtesë për kërkesën e paraqitur.   “Në konkluzion, është evident fakti se nuk ndodhemi përballë asnjë situate të jashtëzakonshme që të hamendësojmë apo të justifikojmë veprimet e çdo strukture të ngarkuar me përgjegjësitë e botimit të akteve, për rrjedhojë është e qartë se hyrja në fuqi e ligjit të kundërshtuar bie ndesh me nenet 84, 117 dhe 155 të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Ligji nr. 142/2015 duhet të shfuqizohet në tërësinë e tij pasi efektet juridike të prodhuara prej tij bazohen në një procedurë të ndjekur haptazi në kundërshtim me Kushtetutën” thuhet në argumentat e shoqatës së tregtarëve.

Ligji është antikushtetues

Pavarësisht sa më sipër, dispozitat e ligjit objekt kundërshtimi bien ndesh me nenet 11, 41/1 dhe 17 të Kushtetutës, si dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke sjellë një gjendje antikushtetushmërie edhe në aspektin material të dispozitave ligjore të kundërshtuara. Rritja e nivelit të taksave pa u marrë në konsideratë treguesit makroekonomikë sjell rritjen e mungesës së likuiditeteve për subjektet tatim paguese. Si një proces zinxhir, rritja e mungesës së likuiditeteve, ka efekte nga Biznesi i Vogël pa TVSH, te Biznesi i Vogël me TVSH, te Biznesi i Madh, te Biznesi VIP dhe anasjelltas. Pra, rritja e nivelit të taksave dhe tatimeve me ndikim vetëm në një nga llojet e subjekteve të sipërcituara, ka ndikim të menjëhershëm te subjektet e lidhura dhe simotra. Referuar treguesit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit Tiranë, kemi një frenim të kërkesave për regjistrim si person fizik dhe si person juridik, kjo nga janari 2016 deri në mars 2016. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015, tremujori i parë i vitit 2016 shënon një frenim të kërkesës për regjistrim biznesi, i cili në mars 2016 është – 1.24%, nga +3.24%, më 2015. Pra, është evident fakti se nisma për sipërmarrje të reja shënon një ulje drastike vetëm në tremujorin e parë, ç’ka në këtë rast përkthehet në frenim të iniciativës së lirë për të ushtruar një aktivitet tregtar. Në të gjithë llojet e monedhave, kemi një ulje të ndjeshme të kërkesës për kreditim dhe në këto kushte një rritje e nivelit të taksave dhe tarifave vendore, pa sondazhe dhe studim tregu do të përkeqësonte treguesit financiarë të biznesit, me efekt direkt negative në ekonomi. Gjithashtu, ligji i kundërshtuar bie ndesh me nenin 41 të Kushtetutës, si dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Nivelet e reja të taksave vendore në thelb çojnë në pakësim të pasurisë në kundërshtim me përcaktimin e pikës 4 të nenit 41 të Kushtetutës, duke sjellë kufizim të së drejtës së pronës. Edhe pse dispozitat ligjore në fushën e tatim taksave kanë si synim kryesor vjeljen e detyrimeve të subjekteve, rritja në një masë të tillë e nivelit të taksave nuk mund të ketë asnjë interes të përligjur. Nenet e kundërshtuara cenojnë thelbin e të drejtave të taksapaguesve për të gëzuar qetësisht pasurinë e tyre. Paragrafi i dytë i nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së i jep të drejtë shtetit të nxjerrë ligje që i gjykon të domosdoshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm, ose për të siguruar pagimin e taksave apo të kontributeve të tjera, por një e drejtë e tillë nuk është e pakufizuar dhe shteti nuk mund të shkojë përtej kufijve të caktuar të interesit të përgjithshëm nga i cili udhëhiqet për të ndërhyrë në pronën dhe të drejtat e individëve.

Efektet negative të ligjit mbi taksat janë konkrete

Dispozitat e ligjit të kundërshtuar cenojnë parimin e proporcionalitetit të parashikuar në nenin 17 të Kushtetutës për shkak se rritja e nivelit të taksave vendore nuk shoqërohet me nevojën për kufizimin e garancive kushtetuese, kjo për faktin se asnjë e dhënë apo studim i kryer nuk tregon ndonjë lidhje të qenësishme dhe të drejtë midis masave të marra dhe rezultateve të dëshiruara. Për më tepër nuk ka asnjë balancim midis interesit që synohet të mbrohet dhe të drejtave të subjekteve që u kufizohen ato.  Në kushtet e mësipërme ligjvënësi duhe të garantonte të drejtat kushtetuese të pretenduara si të shkelura, së paku duke aplikuar rezervën ligjore relative, të parashikuar në nenin 155, si dhe kriteret për nxjerrjen e akteve nënligjore, të sanksionuara në nenin 118. Kështu, sipas ligjit në fuqi për taksat vendore përcaktimi i taksave vendore i është deleguar pushtetit vendor, por sigurisht brenda kritereve të përcaktuara në ligj. Në çështjen konkrete rezulton se ligjvënësi nuk ka vendosur asnjë kriter për miratimin e taksave të reja, të cilat do të frenonin pushtetin vendor për të përcaktuar me vendim të Këshillit Bashkiak në mënyrë të menjëhershme nivelin maksimal të përcaktur nga ligjvënësi, ndërkohë hapësira midis niveleve të cakuara në ligj krijon mundësinë për të aplikuar nivelet e taksave të reja në mënyrë graduale dhe proporcionale me zhvillimin ekonomik. Në referim të faktit se ky rrezik është bërë tashmë konkret, ju sjellim në vëmendje vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr. 59, datë 30.12.20015 ku për çdo taksë apo tarifë vendore janë aplikuar nivelet maksimale të niveleve respektive të parashikuara në ligj. Kjo tregon qartë rrezikun aktual që efektet negative të këtij ligji janë konkrete, madje në mënyrë paradoksale pushteti vendor në këtë rast me një vendim të kundërligjshëm i ka paraprirë edhe vetë hyrjes në fuqi të ligjit ndryshues për taksat vendore. Në këto kushte, nëse ky ligj do të mbetet në fuqi prodhimi i efekteve negative do të jetë/është i menjëhershëm dhe me pasoja të pariparueshme. Për rrjedhojë, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, kërkojmë pezullimin e ligjit pasi në rastin konkret përmbushen kushtet e imponuara nga neni 45 i ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese. Në konkluzion, kërkojmë shfuqizmin e Ligjit nr. 142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe pezullimin e zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ligji cenon rëndë të drejtën e pronës

Është qartazi e dukshme se përmbajtja e dispozitave të ligjit të kundërshtuar e kufizon iniciativën e lirë dhe të drejtën e pronës. Pra, në rastin konkret jemi përpara cenimit të këtyre të drejtave që shkaktohet nga norma ligjore. Çështja që shtrohet si pretendim nga ana jonë lidhet me faktin se ky kufizim i të drejtave është bërë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në nenin 17/1 të Kushtetutës. Ky nen parashikon se “kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë”. Në këtë mënyrë, pajtueshmëria e masës kufizuese të marrë nga ligjvënësi me ekzistencën e nevojës së kufizimit duhet të verifikohet në aspektin e kushteve të vendosura në nenin 17 të Kushtetutës. Kushti i parë është ekzistenca e “interesit publik”. Një kusht tjetër që duhet të respektojë ligjvënësi në vendosjen e kufizimit është që ky kufizim të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë, çka e imponon ligjvënësin të evidentojë nevojën reale të ndërhyrjes në të drejtat individuale në një situatë konkrete. Mjetet e zgjedhura duhet të jenë të përshtatshme për realizimin e synimeve që ndiqen dhe përdorimi i tyre të jetë i domosdoshëm, që do të thotë se synimi nuk mund të arrihet me mjete të tjera. Domosdoshmëria ka të bëjë, gjithashtu, edhe me përdorimin e mjeteve më pak kufizuese për subjektet që u cenohen të drejtat dhe liritë. Respektimi i këtyre kushteve kërkon një analizë të kujdesshme në çdo rast konkret, duke ballafaquar interesin publik që dikton kufizimin me ato të drejta që i nënshtrohen kufizimit, si dhe duke vlerësuar edhe mënyrën e kufizimit (shih vendimet nr. 25, datë 28.04.2014; nr. 4, datë 23.02.2011 të Gjykatës Kushtetuese).  Interesi publik në rastin konkret është vjelja e taksave dhe tarifave. Për të realizuar këtë qëllim ligjvënësi, nëpërmjet dispozitave objekt shqyrtimi ka kufizuar iniciativën e lirë dhe të drejtën e pronës. Në një rast të ngjashëm, Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se nuk vihet në dyshim që grumbullimi efektiv i detyrimeve që shtetasit kanë kundrejt shtetit përbën një interes të ligjshëm publik, mëse të mjaftueshëm për të justifikuar kufizime të të drejtave të shtetasve, por me kusht që ato të jenë në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës. Një ndërhyrje shtetërore, e cila kufizon të drejta të ligjshme të shtetasve, mund të ndërmerret kur është e domosdoshme dhe nuk ekziston asnjë rrugë tjetër për të mundësuar arritjen e interesave publikë. Ndërhyrja në asnjë rast nuk mund të cenojë thelbin e së drejtës dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me situatën që ka diktuar hartimin e normës kufizuese. Para së gjithash, mjeti i përdorur duhet të jetë efikas, në mënyrë që të mos kemi një cenim a mohim të të drejtave të individëve pa u arritur realizimi i interesit publik, në funksion të së cilit është hartuar norma juridike. Mjeti duhet të jetë i tillë që të shmangë, sa më shumë të jetë e mundur, kufizimet e të drejtave të individëve në raport me rezultatet që kërkohen të arrihen. Ky konkretizim i parimit të proporcionalitetit detyron ligjvënësin që në çdo rast të vërë në balancë përfitimet publike në raport me cenimin e të drejtave të individëve, duke pasur si kufizim logjik dhe juridik të përfitimeve publike, thelbin e së drejtës së individëve (shih vendimin nr. 18, datë 23.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese). Referuar çështjes konkrete rezultojnë këto fakte lidhur me rritjen e nivelit të taksave. Kështu nëpërmjet nenit 8 të ligjit, është shtuar si kategori e re “taksa mbi truallin”, ndërkohë në nenin 9 parashikohet rritja e kategorive minimale të “taksës  për ndërtesën”, e cila është rritur nga 1.4 deri 6.2 herë me një mesatare prej 3 herë më shumë. Rritja e taksës për zërin “Tokë bujqësore” ka pësuar një rritje prej 1.38 deri 1.42 herë me një mesatare prej 1.4 herë më shumë. Gjithashtu, në mënyrë krahasimore analitike, rezulton se rritja e taksës për zërin “Fjetje në hotel”, e parashikuar në nenin 13 të ligjit, ka pësuar një rritje nga 2.3 deri 2.8 herë me një mesatare prej 2.6 herë më shumë. Në nenin 14, parashikohet një kategori e re e taksës, si dhe dyfishim i kufijve për taksën e ndikimit në infrastrukturë në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit. Në këtë mënyrë, referuar standardeve të mësipërme kushtetuese, të cilat zbërthejnë parimin e proporcionalitetit, analiza tregon se rritja e taksave vendore është jo vetëm dispropocionale, por vjen në kundërshtim të hapur me parimin e aftësisë paguese, i cili shprehet në mënyrë implicite në nenin 155 të Kushtetutës. Në këtë mënyrë bazuar në parimet makroekonomike, si dhe paketat fiskale, niveli i taksave duhet t’i përshtatet dhe t’i përafrohet sa më shumë treguesve të zhvillimit të vendit. Nëse në masën prej 95% të treguesve makroekonomikë kemi rënie të ndjeshme, nuk mund të rritet niveli i tatim taksave. Për më tepër, bazuar në të dhënat e INSTAT, Prodhim i Brendshëm Bruto (PBP) ka ndikim në të gjithë treguesit makroekonomikë.

Artikulli paraprakDama angleze
Artikulli tjetërFMN: Shqipëria, me humbjen më të madhe në Europën Lindore nga emigracioni