Daja i tifozit që u vra: Nuk vdiq aksidentalisht, është shtyrë nga polici

Të afërmit e Mikel Selmanit, tifozi që humbi jetën pasditen e të mërkurës gjatë ndeshjes Flamurtari-Kukësi, japin detaje për ngjarjen. Daja i viktimës, Xhelil Xhelilaj deklaron se ndryshe nga sa u deklarua nga policia mbrëmjen e të mërkurës, vdekja e 42-vjeçarit nuk ishte aksidentale, por nga policia. “Mikeli nuk vdiq aksidentalisht, është shtyrë nga polici. Shkaktari të marrë dënimin e merituar”, u shpreh daja i viktimës. Ai shtoi më tej se, “kemi shkuar në Prokurori për hetimin e ngjarjes”.
Dëshmitarë të ngjarjes treguan mbrëmë se, rezultati i humbjes së ndeshjes ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e tifozëve vlonjatë, ku disa prej tyre janë çuar duke u larguar nga stadiumi, ndërkohë që pikërisht në këtë moment ka ndodhur dhe incidenti. Një prej tifozëve, i identifikuar si 42-vjeçari Mikel Selmanaj, ka qenë duke dalë së bashku me të tjerë, dhe pikërisht në momentin që ka qenë në shkallë, ka rënë duke përplasur dhe kokën. Menjëherë 42-vjeçari është transportuar për në spital, por goditja ka bërë që të humbiste jetën në moment dhe gjithçka ka qenë e kotë.
Ermal Xhelilaj, një tjetër i afërm i Mikelit thotë se 42-vjeçarit nuk i është dhënë ndihma në kohë. Ai thotë se pavarësisht se në stadium ndodhej një ambulancë, Mikeli është transportuar nga policët, gjë që, sipas tij, mund të ketë sjellë edhe ndonjë frakturë. “Duhet punuar me rrjetet sociale, është një video që ndihma e shpejtë është dhënë pas 10 minutash dhe mënyra si është transportuar ka qenë në mënyrën më të keqe. Pavarësisht se në stadium është një ambulancë për çfarëdolloj emergjence dhe është transportuar nga policët me uniformë. Gjë e cila mund t’i ketë shkaktuar dhe ndonjë frakturë po ashtu dhe vdekjen. Këtë gjë e provojmë me dëshmitarë, ka dhe video. Ne i kemi si me emra dhe mbiemra dhe me prova dëshmitarët që e provojnë këtë që ka ndodhur”, ka thënë ai.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet për vdekjen e tifozit. Njëra nga pistat e hetimit është ajo e dhunës së ushtruar nga një punonjës policie. Por, megjithatë ende nuk ka rezultate konkrete dhe pse janë marrë në pyetje shumë tifozë të tjerë. Policia e Vlorës njoftoi se, Mikel Selmani ka rënë aksidentalisht nga shkallët e stadiumit dhe për pasojë ka gjetur edhe vdekjen, por dëshmitarët ka deklaruar se viktima është shtyrë nga një polic dhe ka gjetur vdekjen pasi ka rënë në tokë dhe ka përplasur kokën. Nga Spitali i Vlorës u raportua që 42-vjeçari kishte mbërritur i vdekur dhe kishte plagë në kokë. Ndërkohë burime jo zyrtare tregojnë, se një punonjës policie është pezulluar nga puna për këtë ngjarje, por nuk jepet informacion për identitetin e tij.

Policia vret tifozin në Vlorë pas ndeshjes Flamurtari-Kukësi

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në stadiumin e Vlorës të mërkurën pas përfundimit të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Kukësit. Një tifoz u vra, pasi u shty nga një punonjës policie dhe ra nga shkallët e stadiumit të Vlorës, duke përplasur kokën pas betonit. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se, kanë qenë policët që i shtynë tifozët në dalje të stadiumit, pasi ata kanë qenë duke sharë. Sipas dëshmitarëve, 42-vjeçari Mikel Selmanaj, banues në Rradhimë të Vlorës, u rrëzua, pasi u shty nga një punonjës policie pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Flamurtari-Kukësi. Një tifoz deklaroi pas ngjarjes së rëndë se e kishte parë vetë policin që kishte shtyrë 42-vjeçarin Mikel Selmanaj.
“E kam parë me sytë e mi, nëse s’besoni hapni kamerat e pallatit se ka shumë kamera që të kontrollojë vendin ku personi ndërroi jetë. E ka hedhur një polic. E ka kapur nga krahu i majtë dhe e ka hedhur që na shkallët”, deklaroi të mërkurën në mbrëmje një nga tifozët në stadium. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale duken pamjet, kur tifozi sapo ka ndërruar jetë dhe njerëzit përreth viktimës janë të shokuar nga ajo që ndodhi. Sipas burimeve nga Spitali Rajonal i Vlorës, personi në fjalë ka mbërritur i pajetë në spital.
Ndërkohë pas publikimit të videos në internet ka patur reagime të ashpra të qytetarëve. “Çfarë policash janë këta, si i hedhin nga shkallët. Ja ai me xhup të zi, shefi i komisariatit. Jemi duke shikuar një polic që hodhi një qytetar nga shkallët pse shau policët. Shohim një njeri të shtrirë në tokë, nuk e kap asnjë njeri me dorë. Gjaku është sheshit. Policët në këto momente po e ngrenë. Nuk dihet çfarë po ndodh, e nxorën, shikojeni gjakun në shesh. Po e fusin në makinën e policisë, duke e dërguar në Spitalin e Vlorës. Shefat janë duke drejtuar makinën. Ata po bërtasin me njëri-tjetrin. Njeriun e rrëzoi një polic që nga shkallët lart, gjaku është sheshit. Jemi pranë stadiumit të Flamurtarit në katin e pestë”, shprehet qytetari që ka filmuar skenën e llahtarshme dhe e ka publikuar videon në internet.
Ndërkohë, bëhet e ditur se efektivi që dyshohet se ka kryer këtë akt është pezulluar ditën e djeshme, por identiteti i tij nuk bëhet me dije. Prokuroria e Vlorës ka nisur një hetim për ngjarjen, ndërsa janë marrë në pyetje edhe disa efektivë të policisë për të hedhur dritë mbi rrethanat e episodit tragjik. Grupi hetimor po merr në pyetje edhe punonjësit e tjerë të policisë që ishin në vendngjarje në momentin që tifozi përfundoi në tokë për të zbardhur më tej këtë rast të rëndë. Deri tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga policia që të sqarojë se çfarë ndodhi saktësisht gjatë ndeshjes Flamurtari-Kukësi dhe sesi përfundoi i vdekur në shkallët e stadiumit Mikel Selmanaj.
Për këtë ngjarje të rëndë ka patur edhe një reagim nga klubi i “Flamurtarit”. “Detyrimisht vëmendja jonë largohet nga futbolli në këto momente. Sipas mediave, Mikel Selmanaj, tifoz i Flamurtarit, ka humbur jetën gjatë ndeshjes Flamurtari-Kukësi. Jemi të shokuar dhe njëkohësisht të pikëlluar nga kjo ngjarje, që ndodh pikërisht aty ku shumë prej nesh kalojmë fundjavat e ndeshjeve. I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes Selmanaj dhe të afërmëve të Mikelit, që humbi jetën në një mënyrë tragjike, duke ndjekur ekipin e zemrës. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, thuhet në deklaratën për shtyp të klubit “Flamurtari”.

Berisha: Vrasje e shëmtuar shtetërore nga çunat e krimit në stadiumin e Vlorës!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për vrasjen e një sportdashësi pasditen e të mërkurës në stadiumin e Vlorës. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, Mikel Selmani, që kishte shkuar për të ndjekur ndeshjen e Flamurtarit me Kukësin, përplaset për vdekje në beton në shkallët e stadiumit të Vlorës nga kriminelë me uniformë. “Me gjithë videon e qartë të skenës së krimit, policia vrasëse po përpiqet ta paraqesë si zakonisht si një ‘vetëvrasje’, por kësaj here, pa dashje, deri tani nuk ka asnjë të arrestuar apo të ndaluar, por vetëm një polic të pezulluar që duket qartë në video që përplas qytetarin për t’i marrë jetën në betonin e shkallëve dhe e lë aty pa ndihmë sikur të ishte jo njeri, por kafshë e ngordhur”, shprehet Berisha.
Në përfundim Berisha shkruan se dënon me ashpërsi të madhe këtë krim të shëmtuar. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë krim të shëmtuar shtetëror, denoncoj qëndrimin çnjerëzor dhe kriminal të autoriteteve të zbatimit të ligjit, Saje qorrit dhe drejtuesve të policisë ndaj këtij krimi të shëmtuar! Sb”, përfundon reagimin e tij Berisha.
Ndërkohë edhe Partia Demokratike Dega Vlorë ka dënuar këtë veprim dhe i ka kërkuar Prokurorisë zbardhjen e ngjarjes. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Dega e PD Vlorë i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të sportdashësit të ndjerë Mikel Selmanaj. “Lidhur me humbjen e beftë të jetës së të ndjerit dëshmitarë të ndodhur pranë ngjarjes tragjike kanë deklaruar se tifozi është shtyrë nga një polic në shkallët e stadiumit. Njëra prej dëshmive të tyre shprehet se i ndjeri është shtyrë prej një punonjësi të policisë vendore në detyrë dhe pohon se kjo është arsyeja që policia përpiqet ta fshehë ngjarjen.
Dega e Partisë Demokratike të Vlorës i ka vlerësuar dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Rrethit të nisë menjëherë hetimet dhe të zbardhë ngjarjen. Por njëherësh Dega e PD Vlorë ka dënuar neglizhencën e Spitalit Rajonal për mungesën e qenies prezent të një autoambulance në stadium”.

R.POLISI

Artikulli paraprakFalimentime masive të bizneseve, mbyllin dyqanet se nuk ka xhiro
Artikulli tjetërPsikopati: Po u zgjodh Trumpi President do prishim marrëdhëniet me SHBA-në