Cruz fton Bashën, këshilla për korrupsionin e drejtësinë

Kryetari i PD, Basha ka qenë dje i ftuari i Senatorit Ted Cruz me rastin e ceremonive në prag të inaugurimit të Presidentit Trump. Ted Cruz ish-rivali në garën republikane i Trump, pas shpalljes së kandidaturës zyrtare të Trump u bë një mbështetës i tij dhe sot është një nga zërat më të fortë të republikanëve amerikane, por edhe në Senat.
Basha tha pas takimit se dy këshillat kryesore të Cruz kanë qenë për luftë ndaj korrupsionit dhe forcimin e drejtësisë.
“Kisha nderin të isha i ftuar në pritjen e organizuar nga Senatori Ted Cruz me të cilin pata një nga bisedat më mbresëlënëse. Jurist i shkëlqyer, prokuror dhe avokat i suksesshëm i Shtetit të Teksasit dhe njohës i rrallë i politikave publike, ai më ofroi këshilla interesante për të luftuar korrupsionin dhe forcuar drejtësinë.
Ted Cruz është vetë mishërimi i ëndrrës amerikane: me baba kubanezo-spanjoll dhe nënë irlandeze, i lindur në Kanada dhe i rritur në Teksas, sot është figura kyçe e Senatit dhe një ndër politikanët më të rëndësishëm të Amerikës. Kjo karrierë është e mundur vetëm në një vend të lirë dhe të hapur për të gjithë”, u shpreh Basha në Facebook pas takimit me Cruz.
Ted Cruz është Senator i Teksasit që prej vitit 2013. Më herët, ai ka punuar në Komisionin Federal të Tregtisë dhe ka qenë zëvendësprokuror i Përgjithshëm. Cruz ka këshilluar George Ë. Bush gjatë fushatës presidenciale të vitit 2000.
Është i martuar dhe ka dy vajza, Caroline dhe Catherine. Familja ndjek rregullisht meshat e Kishës së Parë Baptiste në Hjuston. Ai është kundër aborteve, mbështet dënimin me vdekje dhe është kundër pagës minimale, ndërsa mbështet një taksë të sheshtë.
Takimi i djeshëm i Bashës me senatorin Cruz është një tregues i lidhjeve të afërta dhe mjaft të ngushta që kryetari i opozitës Basha ka vendosur me administratën e re republikane. Basha pritet që të ketë një axhendë mjaft të ngjeshur të takimeve me personalitete të larta të politikës amerikane gjatë ditëve të ardhshme.
Sytë e opinionit botëror sot janë drejtuar nga Shtetet e Bashkuara ku pritet ceremonia e inaugurimit të Presidentit Trump, ndërsa opinioni në Shqipëri po ndjek atë se çfarë ndodh nga pas kuintave nga vizita e kryetarit të opozitës në Shtetet e Bashkuara. Në fillim debati lindi për ftesat. Xhelozia e Ramës, i paftuar në ceremoninë e Trump ka forcuar dyshimet se Rama dhe ajo që ai përfaqëson në politikën shqiptare do të jetë e papranueshme për standardin e demokracisë amerikane. Lidhjet e Bashës me krahun fitues të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara pritet të sjellin mesazhe të reja në Shqipëri. Dihet se ndryshimet e mëdha në Shqipëri vijnë edhe nga frymëzimi amerikan.

Artikulli paraprakKokëdhima-Ramës: Boll vodhe vota, votim elektronik
Artikulli tjetërEpoka Trump!