Coleman: Uroj Portugalinë, krenar për Uellsin

Ëndrra e Uellsit në Euro 2016 përfundoi me humbjen 2-0 ndaj Portugalisë në gjysmëfinale, por disfata ndaj përfaqësueses luzitane nuk ka lënë aspak të zhgënjyer trajnerin e kombëtares britanike, Chris Coleman. Në konferencën për shtyp në pëfundim të sfidës, 46-vjeçari nga Swansea falënderoi futbollistët e tij për shpirtin e madh të garës që shfaqën në këtë Europian.
“Nuk mund t’ua përshkruaj dot sesa krenar ndihem në këto momente. Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e skuadrës time. Të gjithë kanë dhënë maksimumin dhe kanë sakfrikuar për të mbërritur deri në këtë pikë. Kur një ekip jep më të mirën nga vetja në çdo ndeshje vjen një moment që edhe të japësh maksimumin nuk mjafton më pasi bëhet fjalë për një kompeticion madhor si Euro 2016, ku shkalla e vështirësisë është maksimale. Ëndrra jonë përfundoi këtu, por jemi me të vërtetë krenarë për atë çfarë arritëm në Kampionatin Europian dhe tashmë do të kthehemi në Cardif shumë të kënaqur”, u shpreh Coleman.
Më pas Coleman i bëri një analizë ndeshjes ndaj Portugalisë duke e vendosur theksin te fakti që Uellsi pësoi dy gola në pak minuta dhe kjo e gjë e penalizoi. “Skuadra që do të shënonte e para në këtë sfidë do ta kishte më të thjeshtë ta fitonte ndeshjen, pasi mbi të gjitha do të ishte më lart psikologjikisht se kundërshtari. Goli i Ronaldos na i prishi planet, por ai që na dha goditjen përfundimtare ishte finalizimi i Nanit vetëm pak minuta pas golit të parë. U zhgënjyem disi, por më duhet të komplimentoj edhe Portugalinë që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë”, përfundoi ai.
Bale u përpoq të rikthente në lojë Uellsin me një goditje tipike të tijën nga distanca, por Rui Patricio tregoi se Portugalia ka fenomenë dhe në portë.
Për Uellsin, debutues, që ishte dhe gjysmëfinalja e parë në një Europian, u ndje mbi të gjitha mungesa e Ramsey-t që ishte çelësi i mesfushës së britanikëve, por dhe përvoja e një sfide të tillë krahasuar me portugezët, që jo vetëm kanë qenë shpeshherë në të tilla situata, por gjithashtu kanë në skuadër dhe një lojtar si Ronaldo, që pavarësisht ironive ndaj tij në këtë turne, në fund tregoi se mund të bëjë të madhe Portugalinë, ashtu siç është dhe vetë ai duke i treguar të tijve rrugën drejt harkut të triumfit të futbollit, “Saint Denis”.

Artikulli paraprakKrenar për Portugalinë
Artikulli tjetërRepublikanët, akuza ndaj FBI për hetimin e Hillarit