Krenar për Portugalinë

Cristiano Ronaldo, mbret i golit në Europian, teksa me finalizimin e tij ndaj Uellsit, portugezi barazoi rekordin e Michel Platinisë me 9 realizime në historinë e këtij kompeticioni. Më i madhi i të gjitha kohërave për vendin e tij, jo vetëm për golat e shënuar, por mbi të gjitha dhe për faktin se bëhet i pari portugez që udhëheq kombëtaren e tij në dy finale të një turneu të tillë. Në momentin që u paraqit në sallën e konferencave, e gjithë vëmendja ishte për të, me gazetarët që menjëherë u përqendruan te krahasimet me Platininë, por për CR7, gjëja më e rëndësishme është kualifikimi i skuadrës.
“Ajo që ka vlerë është fakti që ne do të luajmë në finale. Mendoj se të gjithë lojtarët dhe stafi i Portugalisë meritojnë të përgëzohen për këtë. Sa i përket rekordeve, ato janë gjithmonë të bukura dhe pse nuk është se janë një obsesion për mua. Gjithsesi e theksoj finalja është ajo që ka rëndësi. Tani jemi vetëm një hap larg qëllimit tonë. Ëndrrat nuk kushtojnë ndaj ne do të vazhdojmë të ëndërrojmë për trofeun”, u shpreh Ronaldo.
Ronaldo ka luajtur dhe në finalen e Euro 2004, ku Portugalia u mund nga Greqia në kompeticionin e shtëpisë, por kjo e 2016 është krejtësisht e veçantë. “Në atë periudhë isha vetëm 18 vjeç dhe ishte finalja ime e parë. Fakti që jemi sërish pas 12 vjetësh në një finale më bën të ndihem krenar. Gjithmonë kam ëndërruar të fitoj diçka të rëndësishme me kombëtaren dhe shpresoj që kjo të jetë hera e duhur. Askush nuk besonte se Portugalia mund të arrinte në finale, por ne ia dolëm. Dhe kjo më bën të ndihem krenar dhe të përgatitem tashmë për një të dielë të mbushur plot me ëndrra”, tha ai.
Në fund të sfidës, Ronaldo u pa teksa pati dhe një bashkëbisedim, përmbajtja e të cilit ka krijuar jo pak kuriozitet. “Ne patëm një bisedë normale, të cilën nuk dëshiroj gjithsesi ta bëj publike. Nuk kishte diçka të veçantë, thjesht e përgëzova për mënyrën sesi ai dhe skuadra e tij kanë luajtur në këtë Europian. Kanë arritur diçka madhështore dhe ndaj i urova fat”, përfundoi Ronaldo.
Luzitanët regjistruan fitoren e parë brenda 90 minutave në turneun e kësaj vere dhe për këtë gjetën momentin më të volitshëm, duke likuiduar 2-0 Uellsin dhe duke arritur aty ku dështuan në shtëpi, në vitin 2004. Në Lion ishte në diskutim një biletë për “Stad de France” dhe sytë ishin të fokusuar te lojtarët kryesorë, Garet Bejl dhe Cristiano Ronaldo. Pjesë e parë në kafaz. Fraksionit hapës i mungoi futbolli tërheqës dhe taktikat e skuadrave imponuan një lojë të ngadaltë e të kujdesshme me Ronaldon dhe Zhoao Marion që kishin gjithsesi shanse për të zhbllokuar.
Ajo çfarë kishte ndërtuar Uellsi u shkatërrua në vetëm 3 minuta lojë në “Stad de Lymier”. Një finish ekselent i Cristiano Ronaldos me kokë, tundi rrjetën e Henesit dhe ishullorët morën goditjen e parë. Ende pa u rikuperuar nga shoku psikologjik, formacioni i Kolmen përfitoi nga një aksion me fat për të hipotekuar finalen. Goditje e Ronaldos dhe devijim i Nanit me sytë nga anësori. Kjo ishte sinteza e rrjetës që konfirmoi supremacinë e Portugalisë dhe deri në fund shifrat nuk ndryshuan më.

Artikulli paraprakShtyhet rinovimi i Hysajt, menaxheri: Qëndron te Napoli
Artikulli tjetërColeman: Uroj Portugalinë, krenar për Uellsin