Çmimin më të ulët të naftës në Ballkan

Lulzim Basha shpalosi dje programin për bujqësinë dhe rritjen ekonomike me fermerët e Zvezdës në Korçë. Basha tha se fermerët do të mbështeten me para në dorë në shumën 100 milionë euro në vit. Këto para do të ulin koston e punës dhe do të rrisin fitimet për fermerët.
“Unë kam ardhur me një program serioz, të zbatueshëm, të verifikuar nga ekspertët ekonomikë më të mirë të Europës të kancelares Merkel. Këto janë zgjidhjet që do të funksionojnë për gjithë ekonominë. Por një shtyllë e rëndësishme është bujqësia, janë fermerët, sepse 47 shqiptarë në 100, jetojnë me aktivitetin rural, me bujqësi, me blegtori, me bletari, një pjesë e vogël me peshkim dhe natyrisht agrobiznesi. Është shtylla e ekonomisë shqiptare. Ky thotë merrni kredi. Nuk e ka haberin se çfarë keni hequr këto 3 vite. Ky nuk e di se edhe po të doni nuk merrni dot kredi se jeni zhytur në borxhe apo jo. Programi im ka investimet në bujqësi, ka subvencionin e drejtpërdrejtë pa NIPT, pa burokraci, pa kasë fiskale, pa rregulla të kota që shpiken për mosdhënien e subvencionit. Paratë do të shkojnë tek fermerët në bazë të prodhimit që gjeneroni, plot 100 milionë euro që së pari do të zeroni koston e mekanikës. Së dyti, do të tentojmë uljen dhe zerimin e kostove për plehrat kimike dhe imputeve të tjera bujqësore”, tha Basha.
Kryedemokrati Basha tha se ulja e taksave, rritja e pensioneve, do të rrisë fuqinë blerëse të shqiptarëve. Kjo do të rrisë prodhimin dhe vendet e punës për shqiptarët.
“Nga ana tjetër, do të ulim TVSH-në që do të gjenerojë 400 milionë euro në xhepat e shqiptarëve, të cilat do të rrisin konsumin. Ku ka treg nëse s’ka lekë për të harxhuar?! Vetëm me uljen e TVSH-së ne do e rrisim fuqinë blerëse me 400 milionë euro vit për vit. Këto lekë, i marrin sot tatimorët, ia çojnë Edi Ramës dhe ai i bën kullë në Korçë. Taksa të ulëta, rritje konsumi, subvencione për fermerët, ndalimi i importeve që konkurrojnë në mënyrë të pandershme djersën tuaj, masa ekonomike që do të rrisin fuqinë e shtresave në nevojë, si dhe për pensionistët, të gjitha janë të lidhura në një koncept të ekonomisë së fortë dhe të një të nesërme të sigurtë”, tha Basha.
Kryetari i opozitës premtoi mbështetje për sektorin e bujqësisë, ndërsa tha se programi ekonomik i Partisë Demokratike parashikon për këtë sektor 100 milionë euro subvencione dhe heqjen e taksës së naftës prej 24 lekë. Basha tha se programi i opozitës është realiste dhe nxjerr ekonominë nga kriza, ndërsa akuzoi  kryeministrin Edi Rama, se me fushatën e karagjozllëqeve synon të heqë vëmendjen nga dështimi, varfëria dhe kriminalizimi i shtetit që sipas tij sollën kolapsin ekonomik.
“Mund të ishte ndalur gërryerja e fermerëve shqiptarë, tha Basha. Por subvencionet kanë zbritur në 7 milionë USD. Dhe tani subvencionohen vetëm 45 fermerë grosistë. Trau i doganës është hapur dhe tani vjen fasulja, patatja, mishi nga fermerët e huaj në një kohë kur ata vijnë këtu me plus euro sepse subvenciohen, kurse fermerët shqiptarë e fillojnë me minus 200 lekë. Në anën tjetër kemi opozitën e bashkuar, numrin 6. Unë kam ardhur me një program të zbatueshëm, të konsultuar me ekspertët e Merkel. Shtyllë e fuqishme e ekonomisë është bujqësia. 47% merren me fermat. Ndaj programi im ekonomik ka mbështetjen e bujqësisë të parën. 100 milionë euro në vit që do të mundësojë së pari zerimin e kostos së mekanisës bujqësore. Kjo është republika e politikanëve që merr fund me votën tuaj më 25 qershor. Kjo është rruga e daljes për gjithë ekonominë shqiptare. 100 milionë euro subvencion për fermerët pa NIPT, pa kasë fiskale, pa kufizime, por vetëm në bazë të prodhimit. Kjo do të ndihmojë fermerët, konsumin”. “Ja dhe një absurd tjetër që ma thanë në Divjakë: Vijnë kamionët nga Kosova dhe rajoni për të marrë prodhime, po këta i vendosin taksa 600-700 euro për kamion. Në vend që t’i lehtësojnë…. Dhe ata nuk vijnë më. Çmimi i naftës do të ulet. ‘Taksa Rama’ mbi naftën do të eliminohet. Që ditën time të parë në zyrë do të keni naftën 240 lekë më pak dhe synimi im, fjala që ju jap sot, është që brenda vitit të parë në asnjë vend tjetër të Ballkanit, nuk do të jetë nafta më e lirë sesa në Shqipëri!”, theksoi kryetari i PD-së. Basha akuzoi kundërshtarët politikë, teksa tha se Rama e Meta, janë të tërbuar pasi po iu prishen pazaret. “Janë bërë si të tërbuar me njëri-tjetrin, për pushtetin e xhepin e tyre. I keni parë kanë hedhur dhe militantët duke i rënë me karrige njëri-tjetrit”.

Fermeri zbulon sekretin e Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, la të kuptohet se do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump. “Sekreti” i kryetarit të opozitës u zbulua nga një fermer në Korçë, gjatë një takimi elektoral. Basha i tha fermerit të mos japë detaje pasi mund të bëhet keq kryeministri Edi Rama. Gjatë takimit elektoral me fermerët e Korçës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, la të kuptohet se mund të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. Madje kryetari i opozitës e cilësoi nxjerrje sekreti kur u pyet për këtë nga një fermer.
Fermeri: Uroj që t’ia thuash Presidentit Trump këto që po themi ne, kur të shkosh atje.
Basha: Petrit, jam kurioz kush të tha, nga e more vesh që do të takoj Presidentin Trump? Puna jote nga e more vesh, por mos na i hap sekretet kështu se do të mërzitet Ed Rama se nuk e takoi dot. Pas mbledhjes do të ma tregosh nga e more vesh që do të takoj Presidentin Trump.
Siç ma the Petrit dhe unë do t’ia them presidentit Trump kur ta takoj se fermerët e Zemblakut, Zvezdës e kudo presin që unë ta zbatoj modelin e tij dhe duke besuar fort tek modeli i tij, tek tregtia e lirë në kushte të barabarta,  unë do të vendos traun e doganës me taksa, me qëllim që djersa e fermerëve tanë të peshojë njësoj si djersa e fermerëve tanë: Sa subvencion të marrin nga vendet e tyre, aq do të taksohen tek ne.

Artikulli paraprakSkandali tjetër i Ramës, privatizon sheshin në Vlorë
Artikulli tjetërHahn: Kosova të formojë qeveri pro evropiane