Çmimi i karburanteve do të rritet sërish, qeveria shton taksa të reja

Nënkontraktorët e kompanive që kryejnë operacione hidrokarbure do të përfshihen në regjimin tatimor më të lartë prej 50% të fitimit nga operacionet hidrokarbure, deri tek regjimi më i ulët 15%.

Deputetët e komisionit të Veprimtarive Prodhuese miratuan në parim projektligjin “Për regjimin fiskal në sistemin hidrokarbur”.

Në diskutimet nen për nen, kompania Shell kundërshtoi zbatimin e regjimit fiskal, sipas projektligjit të hartuar nga Ministria e Financave. Përfaqësuesja e kompanisë Shell, Xheni Karakiqi u shpreh se duhet të zbatohen disa kritere për kompanitë që kryejnë operacioni hidrokarbure, para se të përdoret ligji i veçantë për regjimin e tyre fiskal.

“Nëse do të zbatohet taksa 50% do të rriten kostot e kompanive dhe çmimet për nënkontraktorët, sidomos ata vendas. Regjimi i veçantë fiskal nuk duhet të jetë i përgjithshëm për të gjitha kompanitë, por të zbatohet nëse verifikohet që ka shmangie të tatim-fitimit”.

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera shpjegoi se për projektligjin për trajtimin fiskal të operacioneve hidrokarbureve është punuar për 2 vjet dhe diskutuar me kompanitë e naftës. Lera tha se drafti i hartuar rregullon marrëdhëniet me nënkontraktorët e kërkimeve të naftës, që prej 20 vitesh kanë shmangur detyrimet.

“Për taksimin e operacioneve hidrokarbure, janë marrë në konsideratë të gjitha modelet më të mira, për të gjitha kemi pasur mbështetjen e FMN-s, edhe të kompanisë Shell prej 3 vitesh.

E para, nënkontraktorët e operacioneve hidrakarbure do të taksohen me 50% tatimfitim deri në 15%. I gjithë sektori operonte me një Dekret të miratuar në vitin 1994, që kishte 3-4 nene dhe shteti shqiptar nuk ka marrë asnjë lekë, pasi problemi ka qenë nga nënkontraktorët. Pra ligji zgjidh një problem 20 vjeçar të këtij sektori. Po ju sjell këtu rastin e një kompanie që deklaronte 37 miliardë lekë humbje, ndërsa nënkontraktorët e tij deklaronin fitim 31 miliardë lekë. Ndaj ne kërkuam që të mbyllim transferimin e brendshëm të fitimit. Varianti i projektligjit i dakortësuar synon që të gjithë të paguajnë çfarë i takon dhe të rregullojë marrëdhëniet edhe në këtë drejtim. Vetëm për kompanitë Shell dhe Bankers Petroleum janë dërguar 27 faqe përgjigje për pyetje, kërkesa dhe riformulime që janë reflektuara në draft”, sqaroi zoti Lera.

Projektligji i propozuar synon, të reduktojë shmangien e taksave nga regjimi fiskal me normë tatimfitimi më të lartë (50%) tek regjimi i zakonshëm më i ulët (15%), nëpërmjet përfshirjes në këtë ligj të nënkontraktorëve, sipas rregullave që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Drafti gjithashtu synon të llogarisë fitimin e tatueshëm të një personi nga një operacion i veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore, duke zbritur nga të ardhurat shpenzimet e zbritshëm dhe humbjet e lejuara, por me kusht që zbritja të mos kalojë 85% të të ardhurave të operacionit për periudhën.

Artikulli paraprakKush janë qytetet me pijedashës dhe duhanpirës në Shqipëri
Artikulli tjetërTabaku publikon shifrën zyrtare: 7.2 miliardë dëmi nga korrupsioni i Ramës në 7 vite