Clinton apo Trump, kë preferon Kremlini?

Dmitry Polikanov

Kandidati republikan Donald Trump dhe kundërshtarja e tij demokrate Hillary Cliton duket se kanë më shumë gjasa të jenë protagonistët e garës presidenciale amerikane të vitit 2016. Secili prej tyre ka vizion të ndryshëm për sa i përket marrëdhënieve amerikano-ruse dhe kjo e bën më të vështirë parashikimin e Krimlinit të mënyrës se si do të evoluojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vende gjatë viteve të ardhshme.
Tani për tani, duket se lidershipi rus ka më shumë simpati për Trumpin. Në fund të fundit, kandidati kryesor republikan ka premtuar se do të shkojë mirë me Rusinë dhe se do të nisë një debat serioz në Shtetet e Bashkuara lidhur me politikën e ardhme kundrejt Kremlinit. Atëherë, deri ku shtrihen shpresat e Moskës për përmirësimin e mundshëm të marrëdhënieve me Uashingtonit nën lidershipin e Trumpit dhe sa të justifikuara janë ato?
Skeptikët mund të argumentojnë se, mbështetja që presidenti rus Vladimir Putin ka treguar ndaj Trumpit është thjesht një mënyrë e zgjuar për Kremlinin që të hapë diskutimin e dobësive të theksuara të sistemit politik të Shteteve të Bashkuara dhe defektet e sistemit të votimit amerikan. Sipas këtij shpjegimi, vetë ekzistenca e Trumpit si kandidat mund të konsiderohet si dhuratë për Kremlinin që vërteton se “Amerika është duke degraduar” dhe së shpejti do të ngelet mbrapa.
Më tej, ekspertë të ndryshëm argumentojnë se presidenca e Trumpit do të sillte avantazhe për Rusinë për shkak se do ta dobësonte ndjeshëm pozicionin e Shteteve të Bashkuara në botë. Trump është shfaqur hezitues për të përdorur forcën dhe po bën thirrje për ndjekjen e një lloji të ri izolacionizmi. Dyshimet e shfaqura kohët e fundit nga ana e kandidatit republikan lidhur me vlefshmërinë e NATO-s ishin si muzikë për veshët e Rusisë.
Edhe nëse distancohemi nga spekullimet, Trump duket përsëri një kandidat joshës për elitën politike ruse. Përveç aftësisë së tij për të çrrënjosur stereotipet e vjetra të politikës amerikane, Trumpi është një pragmatist i lindur. Me pak fjalë, ai nuk është detyrimisht i kufizuar brenda “rregullave” të politikës së Shteteve të Bashkuara. Për sytë e Moskës, ai është një lider i vërtetë i karakterizuar nga mashkullorësi e shfrenuar, një tipar tepër i rëndësishëm për liderët rusë, të cilët besojnë në vlerën e marrëdhënieve ndërpersonale ndërmet krerëve të shteteve.
Kandidatja e Partisë Demokratikë është një tjetër rast tërësisht i ndryshëm. Pasi ka kaluar dekada të tëra në politikën amerikane, ajo, sipas mendimit të Kremlinit, është tepër e lidhur me stereotipet politike, veçanërisht atyre të formuar gjatë mandatit të saj si Sekretare e Shtetit. Natyrisht, ndryshe nga Donald Trump, Hillary e njeh më mirë Moskën dhe ka qëndrime më të forta dhe të rrënjosura mirë kundrejt marrëdhënieve dy-palëshe, gjë që e bën më të parashikueshme për Kremlinin.
Në të njëjtën kohë, Hallary ka fituar reputacionin e një politikaneje të vjetër dhe tepër kërkuese, një lloj “gruaje të hekurt” me të cilën është e vështirë të përballesh. Lidershipi rus ka një kujtesë të fortë dhe i mban mend shumë mirë fjalimet e debatueshme të Clintonit rreth presidentit Putin, thirrjet e saj për të frenuar “perandorinë” ruse dhe kundërshtinë e hapur që ka shfaqur gjithnjë për “sferat e influencës” së Rusisë, për të mos folur më pas për entuziazmin e saj për politikën ndërhyrëse në Libi, Siri dhe Ukrainë.
Si presidente e ardhshme e Shteteve të Bashkuara, Clinton ka shumë gjasa të shtyjë më tej përpjekjet për demokraci, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ndryshimin e regjimit në afërsi të kufijve rusë, sipas Kremlinit. Këto dyshime duket se kanë gjeneruar pritshmëri negative për Moskën, ku shqetësimet e Amerikës rreth të drejtave të njeriut konsiderohen si një formë hipokrize e pastër që mbulon realpolitikën e stilit amerikan.
Dy gjëra shpesh keqkuptohen në Moskë. E para, është influenca e ekipit të presidentit. Të gjithë presidentët nuk janë të lirë për të bërë gjithçka që mendojnë, është ekipi i partisë dhe administratës ai që drejton në fakt politikën amerikane. Qoftë Trump apo Clinton, kur të vijë në pushtet do të ketë një punë të përditshme radikalisht të ndryshme nga deklarata dhe fjalimet e mbajtura gjatë fushatës.
Nuk është ende plotësisht e qartë nëse Trump është një izolacionist, apo thjesht po luan rolin e tillë për të fituar sa më shumë vota. Ai gjithsesi po përpiqet të bëhet sa më elastik të jetë e mundur. Duke patur parasysh këtë, mund të ndodhë që Trump të sulmojë publikisht Putinin në të ardhmen vetëm për të qenë përsëri në qendër të vëmendjes. Ekipi i tij i këshilltarëve të politikës së jashtme do të përbëhet nga neokonservatorë, vizioni i të cilëve rreth botës është tepër i ndryshëm nga ai që po përçohet në fjalmet e Trumpit gjatë ditëve të sotme.
Ekipi i Clintonit është fakt më i favorshëm për Rusisë. Ajo e ka rrethuar veten me veteranë të administratës Obama, me të njëjtët njerëz që kanë qenë arkitektët e politikës së ripërtëritjes së marrëdhënieve me Rusinë. Nga kjo perspektivë, ekipi i Clintonit ka më tepër eksperiencë se ai i Trumpit për të krijuar bazat e përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë.
Faktori që Moska e mbivlerëson më tepër se çduhet është roli i Rusisë në politkën amerikane. Për të dhënë të vërtetë, votuesit amerikanë nuk kanë asnjë interes për politikën e jashtme dhe Rusia nuk gjendet aspak në listën e prioriteteve të tyre, madje edhe kur flitet për marrëdhënie ndërkombëtare. Si Trump, ashtu edhe Clinton e kanë përmendur “çështjen ruse” gjatë fushatës së tyre, por është një çështje që qëndron tërësisht në periferi krahasuar me të probleme të tjera të shqyrtuara nga kandidatët.
Pavarësisht simpatisë së dukshme për presidencën e Trumpit, Rusia si gjithmonë po përpiqet të mos t’i vendosë të gjitha vezët brenda një shporte të vetme. Kremlini shpreson për fitoren e Trumpit, por po përgatitet për negociata të ashpra me Clintonin. Politikanët rusë e dinë mirë se politika amerikane mund të bëhet shpesh e parashikueshme.
Ajo që liderët rusë nuk do të donin kurrë është një tjetër aktivitet ndërhyrës nga ana e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Nëse kjo nuk ndodh, Kremlini duket se është i gatshëm të mbështesë cilindo kandidat që do të fitojë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e këtij viti.

Artikulli paraprakAtletiko-Bajern, gjykon anglezi Klatenburg
Artikulli tjetërCruz dhe Kasich shpallin aleancën ndaj Trump