Çekiçi i drejtësisë që godet krimin, tmerri i Ramës

Arben RISTANI

Vendi po kalon ditë të vështira, po qeverisemi nga një bandë kriminale që me skandalet e saj monstruoze po cenon sigurinë kombëtare, po cenon demokracinë, po cenon jetën e gjithsecilit nga ne.
Me shumë përgjegjshmëri, do t’ju kërkoja të jeni syçelur, të mos keni frikë, të jemi të vendosur për të shkatërruar shtetin brenda shtetit që kanë krijuar Rama dhe të vetët.
Nuk mund të bëjmë asnjë hap përpara, nuk do të mund të kemi një jetë më të mirë, një jetë dinjitoze si qytetarë europiane, në rast se shkatërrojmë demokracinë si sistem, në rast se shkelmojmë parimet demokratike mbi të cilat kemi themeluar Kushtetutën tonë, asnjë hap përpara, përkundrazi, keq e më keq do të bëhet, në rast se shkelmojmë parimin e shtetit të së drejtës, parimin e ndarjes së pushteteve, parimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në këtë mënxyrë po na tërheq Edi Rama! Ne nuk jetojmë më të izoluar, por kemi mundësi ende të pafundme, për të parë ç’ndodh përreth dhe më gjerë. Në Shkup, protestuesit antiqeveritarë, kanë veshur bluza ku kanë stampuar portretet e tri prokurorëve maqedonas që u vunë në radhën e parë të luftës kundër krimit qeveritar. Portretet e prokurorëve Risteska, Janeva dhe Fetai kanë pushtuar gjokset e demonstruesve, sepse puna e tyre, për të çliruar popullin maqedonas nga zyrtarët e korruptuar dhe me interesa antikombëtare, ka pushtuar zemrat e popullit. Sot do të kisha dashur seriozisht të kisha tani, këtu, një bluzë të veshur me portretin e prokurorit të Përgjithshëm.
Kemi kaq kohë që flasim për pandëshkueshmëri, për korrupsion galopant, për plotësim të standardeve europiane, përsa i përket barazisë përpara ligjit, të zyrtarit të lartë të shtetit përkundrejt më të fundit të shqiptarëve të thjeshtë. Dhe sot në të parën përpjekje serioze për të treguar forcën e ligjit, barazinë e ligjit për të gjithë, sot që fillon një hetim normal për një dyshim serioz mbi një vepër penale, shumë të rëndë për nga pasojat që mund të ketë sjellë dhe për nga kategoria e zyrtarëve shtetërorë të dyshuar si autorë, pikërisht tani, fillon një sulm i çmendur i Kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe strukturave qeveritare kundër Prokurorisë dhe gjykatës shqiptare.
Në këtë moment, me precedent vetëm në fazat e para të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, në këtë moment ku është ngritur i gjithë pushteti ekzekutiv kundër pushtetit gjyqësor. Në këtë moment ku po rrezikohet seriozisht demokracia. Në këtë moment ku vendi është zhytur në varfëri dhe krim nga banda kriminale në qeverisje. Në këtë moment, unë jam në krah të prokurorit të Përgjithshëm dhe çdo gjyqtari të ndershëm, profesionist dhe të guximshëm që godet fort, po fort ama, me çekiçin e drejtësisë, krimin e veshur me pushtet dhe qeveritarët e zhytur në krim. Thirrjet e çmendura, antikushtetuese të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, për linçimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që guxojnë të bëjnë punën e tyre, janë sot shumëfish më të rënda dhe shoqërisht më të rrezikshme se sa vetë vepra penale e përgjimit të paligjshëm që dyshohet se është kryer.
Këta njerëz pa tru, ose më saktë me mendje ekstremisht të rrezikshme për shoqërinë, këtë veprim që po bëjnë sot e kanë të përsëritur, të mirëmenduar dhe pjesë të planit ogurzi për shqiptarët. Të njëjtin veprim për nga qëllimi, por më të butë për nga artikulimi, bëri KM ndaj Gjykatës Kushtetuese kur kjo e fundit i hoqi mandatin e deputetit Koço Kokdhimës, i cili kishte përfituar në mënyrë të kundërligjshme, fonde publike. Edhe në këtë rast KM shfryu inatin e tij dhe lëshoi kërcënimet e tij ndaj kësaj gjykate. Deri në demostrata para gjykatave ka shkuar kjo bandë kriminale, sepse drejtësia e pavarur atë e tmerron, sepse drejtësia e pavarur atë e nxjerr lakuriq përpara shqiptarëve, sepse drejtësia e pavarur nuk e lejon bandën të shtojë zullumin e saj.
Prandaj duan ata ta kapin me çdo kusht drejtësinë. Prandaj duam ne, me mish e me shpirt të mos e lejojmë që drejtësia të bjerë në duart e bandës. Prandaj unë sot jam me prokurorin e Përgjithshëm, prandaj unë sot jam me gjykatën e pavarur. Prandaj unë sot jam me Unionin e Gjyqtarëve, me Unionin e Prokurorëve, me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Shqiptarët e dinë mirë, e mbajnë mend mirë sesi po ky KM “inkurajonte” po të njëjtën Prokurori, për të bërë punën e saj deri në fund dhe mbështeste gjykatën me qëllim që sipas tij, drejtësia dhe jo politika të thoshte fjalën e fundit në lidhje me rastin e ish-kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika.
Në atë rast, kryetari i Bashkisë i po të njëjtës bandë që është edhe sot në pushtet, u dërgua në burg si masë sigurie dhe doli që andej vetëm se desh humbi jetën dhe Rama mbështeti gjoja drejtësinë. Ndërsa sot që merret një masë ndaluese dhe jo shtrënguese, pra vetëm pezullohet nga detyra dhe nuk arrestohet i dyshuari për të njëjtën vepër penale me kryebashkiakun Gjika, shpërdorim detyre, KM dhe MB, dalin më shumë se tre herë brenda ditës në konferenca shtypi duke sharë gjyqtarët derdimenë, alienë, kokëqelbur, kriminelë etj. Këta duan të na zënë sytë me propagandën e tyre, të mbështetur nga paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit duke na servirur gjoja vullnetin e tyre për një Reformë në Drejtësi.
Drejtësia të dashur qytetarë, së pari është zemër, pjekuri dhe përgjegjshmëri dhe së dyti është ligj. A mund të ketë zemër, pjekuri dhe përgjegjshmëri një Kryeministër si Edi Rama që, në ditët e para të këtij Parlamenti, kërcënonte opozitën me shprehjen “ikni nga Parlamenti me preteksin se po ushtroj dhunë, por prisni se s’keni parë gjë akoma”. Çfarë zemre, pjekurie apo përgjegjshmërie mund të ketë ky njeri, që solli në këtë Parlament, trafikantë droge, trafikantë prostitutash, vrasës dhe banditë të rëndomtë?
Furnizoi me të njëjtën kategori bashkitë e vendit dhe administratën shtetërore. Harxhon ky njeri 80 milionë dollarë në vit vetëm për zyra, orendi dhe luks, nga këto 14 milionë dollarë vetëm për bileta avionësh, ndërkohë që mijëra shqiptarë janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike dhe janë lënë të vdesin për bukën e gojës, ashtu si janë të sëmurë dhe me fëmijë të vegjël. Pjell politika e këtij njeriu, çdo ditë, zyrtarë si Cania në Sarandë, Luiza në Lushnjë, Shukriu në Dibër dhe nuk ndalet as në nivel ministrash, që do Zoti na e kursen të shohim dhe shëmti të tilla të racës bastarde njerëzore. Vendi është kthyer në një plantacion të stërmadh droge dhe po tmerrojnë çdo ditë me tonelatat që dërgojnë Italinë, Greqinë dhe Evropën mbarë.
Tashmë kallashnikovë dhe kilogramë të tëra me tritol shoqërojnë tonelatat e drogës për të furnizuar edhe terrorizmin ndërkombëtar. Çfarë zemre, pjekurie apo përgjegjshmërie mund të ketë një KM i tillë? Ndërkohë që shkarravit muret e zyrës së shtetit dhe bën kosha me top basketbolli po në zyrat e shtetit, ju deklaron dynjasë se është në një situatë skizofrenie midis politikës dhe artit dhe shpreson shumë se e pret edhe një jetë e tretë. Si mundet o shqiptarë të prisni nga njerëz të tillë të ndërtojnë shtet demokratik, të duan dhe të vendosin drejtësi? Çfarë tjetër presin gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi nga ky njeri, përveç se t’i shajë, derdimenë, alienë, kokëqelbur e kriminelë?
Por kujdes, të nderuar qytetarë, skizofren është, siç i kanë thënë dhe ja thotë vetes, por atë që kërkon e di mirë. Mos haroni që OSBE përmendi që para një vit se kishte një pasuri 200 milionë dollarëshe, sot sigurisht që e ka shtuar dhe është normale që i duhet ta mbrojë dhe është afër mendsh që i duhet të kapë drejtësinë. I duhet sepse edhe për vete mbrohet edhe kundërshtarëve u mbyll gojën. Kemi kaq muaj që vijmë vërdallë me historinë e Reformës në Drejtësi dhe do ta theksoj thjesht dhe shkoqur që ta kuptojë i madh e i vogël, me dhe pa shkollë. Është një institucion që kontrollon, disiplinon, promovon etj., gjyqtarët i cili është parashikuar të përbëhet nga 11 vetë. 6 nga këta 11 vetë i zgjedhin vetë gjyqtarët, 5 të tjerët i zgjedh politika nëpërmjet Parlamentit. Meqë ne të përgjegjshmit, të pjekurit, njerëzit me zemër, nuk po merreshim vesh se si t’i ndanim apo t’i zgjidhnim këta të 5, ekspertët amerikanë, europianë dhe Komisioni i Venecias, na rekomanduan më të thjeshtën.
Bëni, thanë ata, nga një listë me profesionistë të dy palët dhe zgjidhni 2 nga lista e njërës palë dhe 2 nga lista e tjetrës, të pestin lerjani shoqërisë civile. Saktë, thjesht, bukur, asnjëra nga palët nuk ka mundësinë të emërojë gjyqtarë njerëzit që do vetë. Po kështu, me të njëjtën formulë zgjidhim edhe institucionin ekuivalent të Prokurorisë. Kaq e thjeshtë është o të dashur qytetarë! Dhe po kaq e thjeshtë është edhe loja e politico-artistikut që ka filluar të mendojë për jetën e tretë. Ai ka vetëm një qëllim, o e bën drejtësinë si do vetë dhe në shërbim të tij, o nuk e bën fare. Në të dy rastet del i fituar, prandaj dhe mban dy fjalime në xhep dhe i nxjerr kur i duhen të ngrohta si petulla. Për t’ju rikthyer edhe një herë skandalit të përgjimeve.
Është e thjeshtë përsëri për t’u kuptuar, Prokuroria ka nisur një hetim, dyshon se një pajisje ilegale përgjimi është futur në Shqipëri dhe përgjon dynjanë. Saja me të vetët thotë jo, me atë pajisje kam bërë trajnime. Heton Prokuroria, gjen prova që Saja ka të drejtë se ka bërë trajnime dhe çështja mbyllet me të gjithë të lumtur.  Po atëherë çka Saja që shan e bërtet, po politiko-artistiku çka?! Mos vallë është e vërtetë se kanë shkelur ligjin dhe kanë frikë se Prokuroria i nxjerr zbuluar?! Po  sikur ky rast të kishte ndodhur pasi të ishte krijuar Prokuroria speciale dhe Byroja e Hetimit e pavarur dhe e mbikëqyrur nga amerikanët do e zgjidhte dot me të shara, të bërtitura dhe me presion Rama?! Sigurisht që jo. Kaq e thjeshtë është. Prandaj unë sot jam me prokurorin e Përgjithshëm. Prandaj unë sot jam me garancitë që krijon shteti i të drejtës, pushtetet e ndara, Kushtetuta jonë me sanksionimet për liritë dhe të drejtat e njeriut. Prandaj unë sot ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të qëndrojnë syçelur dhe të mos mashtrohen nga propaganda që financohet me miliona euro nga paratë e drogës dhe korrupsionit dhe kërkon të na shesë sapunin për djathë. Prandaj unë sot do të isha gati si në Shkup të mbështesja njerëzit e drejtësisë në luftë kundër pushtetit të krimit dhe të krimit në pushtet.

Artikulli paraprakReforma kërkon dije e vizion, jo kazmën e Edi Ramës
Artikulli tjetërPërgjimi, si vrasja në Sarajevë